Fjalori


PËR FJALORIN


REDAKSIA
Akad. prof. dr. Jani THOMAI (kryeredaktor)
Akad. prof. dr. Valter MEMISHA (zëvendëskryeredaktor dhe sekretar shkencor)
Prof. dr. Shezai RROKAJ (zëvendëskryeredaktor)
Prof. dr. Dhimitër (Miço) SAMARA
Prof. dr. Shefkije ISLAMAJ
Akad. prof. dr. Gjovalin SHKURTAJ
Prof. dr. Ali JASHARI
Prof. dr. Anila OMARI
Prof. dr. Anila KANANAJ

HARTUES
Akad. prof. dr. Jani THOMAI, akad. prof. dr. Valter MEMISHA,
prof. dr. Shezai RROKAJ, prof. dr. Dhimitër (Miço) SAMARA,
prof. dr. Shefkije ISLAMAJ, akad. prof. dr. Gjovalin SHKURTAJ,
prof. dr. Ali JASHARI, prof. dr. Anila OMARI, prof. dr. Anila KANANAJ, prof. dr. Artur LAMA, prof. as. dr. Abdurrahim MAXHUNI, prof. as. dr. Idriz METANI, prof. as. dr. Juljana KUME, prof. dr. Mimoza PRIKU, prof. as. dr. Naim BERISHA, prof. as. dr. Rozana RUSHITI, prof. as. dr. Teuta TOSKA, prof. as. dr. Rrezarta DRAÇINI, prof. as. dr. Sejdi GASHI, prof. as. dr. Manjola ZAÇELLARI, dr. Behar HOXHAJ, dr. Resul TELHAJ, dr. Olger BRAME, dr. Engjëllushe KARAJ, msc. Petrit ZENELI, msc. Viktor BAKILLARI
Për leksikun arbëresh: Akad. prof. dr. Gjovalin SHKURTAJ, prof. dr. Shezai RROKAJ, akad. prof. dr. Valter MEMISHA

KOORDINATORE: Prof. dr. Anila KANANAJ

GRUPI TEKNIKO-SHKENCOR
Prof. dr. Anila KANANAJ (koordinatore dhe sekretare shkencore e teknike),
dr. Brikena LIKO (programuese dhe specialiste e gjuhësisë kompjuterike),
prof. as. dr. Manjola ZAÇELLARI, dr. Engjëllushe KARAJ,
msc. Erjena LAMAJ

KORREKTORË GJUHËSORË E TEKNIKË
Prof. as. dr. Teuta Toska
Prof. as. dr. Rozana Rushiti
Dr. Behar Hoxhaj
Dr. Olger Brame
Dr. Resul Telhaj
Dr. Engjëllushe Karaj

 

PARATHËNIE

 

Pas hartimit e botimit të disa fjalorëve shpjegues të përgjithshëm, të tipit të vogël e të mesëm, si “Fjalor i gjuhës shqipe”, 1954, “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe”, 1980, “Fjalor i shqipes së sotme”, 1984/2002, “Fjalor i gjuhës shqipe”, 2006, “Fjalor i gjuhës shqipe”, 2020, “Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe”, “Fjalor i antonimeve në gjuhën shqipe”, 1998, “Fjalor i homonimeve në gjuhën shqipe”, 2020, “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe”, 1999/2010, 2004, dhjetëra fjalorë terminologjikë shpjegues e shumëgjuhësh, mbi 40 fjalorë krahinorë, shumë fjalorë dygjuhësh, fjalorë specialë etj. (bibliografia e leksikografisë shqipe, që nga fjalori i parë i Frang Bardhit, “Dictionarium latino-epiroticum”, 1635, e deri më sot, përmban mbi 600 tituj), hartimi i një fjalori të madh të gjuhës shqipe ishte bërë domosdoshmëri e kohës dhe sipërmarrje e mundshme për t’u përmbushur. Hartimin e kësaj vepre e bënin tashmë të mundshëm shumë faktorë: mbledhja e gjerë e lëndës leksiko-frazeologjike dhe semantike e shqipes së shkruar e të folur, e përfshirë në disa kartoteka të leksikut të shqipes, në fisha apo elektronike; studimi i saj në shumë aspekte, veçanërisht në sistemin fjalëformues e atë semantik; përpunimi leksikografik i pjesës thelbësore e i shtresave të ndryshme leksikore në fjalorë të tipeve të ndryshme; përftimi i dijeve teorike e i përvojës praktike në hartimin e fjalorëve shpjegues me përbërësit kryesorë të fjalorëve të mëdhenj (veçanërisht zbërthimi kuptimor e ndërtimi i strukturave kuptimore të fjalëve); njohja e përdorimi i teknikave dhe i metodave bashkëkohore në leksikografi (rrjeti kompjuterik, analiza semasiologjike, organizimi i punës mbi bazë projekti e grupi); përgatitja për të përmbushur kërkesat e praktikës gjuhësore për fjalorë të përdorimit të përgjithshëm; të dhënat e fjalorëve shpjegues të shqipes dhe të gjuhëve të huaja të tipit të mesëm e të madh; arritjet në teorinë e leksikografisë shqiptare si në atë botërore; njohja e mundësia e zbatimit të metodologjisë dhe të praktikave bashkëkohore të hartimit të fjalorëve shpjegues kombëtarë të tipit të mesëm e të madh; rritja e mundësive autoriale dhe institucionale te ne për ndërmarrje të tilla shkencore etj.

 Për të njohur fjalë që nuk i dimë, d.m.th. që nuk i kemi dëgjuar ndonjëherë e nuk i kemi lexuar kund ose për të mësuar më shumë për të gjitha vlerat e fjalëve që i kemi ndeshur diku, do të duhej një fjalor alfabetik, analogjik a ideografik. Kështu shërbejnë edhe fjalorët alfabetiko-ideografikë, në të cilët përdoren edhe skica e fotografi.

Në kushtet tona të sotme mundëm të ndërmerrnim hartimin e një fjalori të madh (në parime e kritere leksikografike), alfabetik, shpjegues, të përgjithshëm, normativ, me kritere të fjalorit të mesëm vetëm në shembullzim etj. Natyrisht, një vepër e tillë, që kërkonte njëherazi punë të organizuar e të pandërprerë, konsultim të çdoçastshëm ndërmjet leksikografëve, përcaktim e përvetësim të praktikës së punës hartuese, të mënyrës së komunikimit e të bashkëpunimit ndërmjet vetë hartuesve dhe ndërmjet hartuesve me redaktorët, me zëvendëskryeredaktorët e me kryeredaktorin, si dhe plotësim të kërkesave të tjera që lidhen me një punë në grup, paraqiste vështirësi herë-herë të skajshme, pavarësisht komunikimit elektronik (internet etj.); vetë autorët, hartues e redaktorë, nuk ishin brenda një institucioni, çka do të siguronte mundësi më të mira për sinkronizim, harmonizim dhe bashkëpunim më të lehtë, të drejtpërdrejtë e të pashkëputur. Gjithashtu, shumë autorë e bashkëpunëtorë ishin në marrëdhënie të njëkohshme me procesin e punës për Fjalorin jo në kushte të barabarta; disa prej tyre ishin në detyra të tjera në institucione shtetërore ose në pension. Këto janë rrethana pune, jo përligjje për produktin e punës.

“Fjalori i madh i gjuhës shqipe” (FMGJSH), me mbi 125.000 njësi leksikografike (rreth 105.000 fjalë në zëra të veçantë, rreth 3500 fjalë “të fshehura” në kuptime si emra, mbiemra a ndajfolje, rreth 12.500 njësi frazeologjike, rreth 5000 togfjalësha terminologjikë, rreth 1200 emërtime shkurtesore, rreth 250 terma të rinj të paasimiluar fonetikisht, rreth 1650 shprehje të huaja të paasimiluara e rreth 250.000 kuptime leksikore), vjen sot si vepra leksikografike prej kohësh e munguar dhe mjaft e kërkuar nga shumë përdorues të gjuhës shqipe: nga studiues, nga leksikografë të fjalorëve dygjuhësh, nga shkollat e larta, nga përkthyes, nga shkrimtarë, nga publicistë, nga teksthartues etj. Ky fjalor, duke pasqyruar në një masë e cilësi të re këtë pasuri leksikore të shqipes bashkëkohore, më shumë se dy herë i vëllimit të të gjithë fjalorëve të mëparshëm shpjegues, në aspektin kombëtar bëhet edhe treguesi më i plotë i pasurisë, i larmisë, i forcës dhe i bukurisë së fjalës shqipe, pa kufizime territoriale, sociale, autoriale, mendësore etj.; ai mishëron pasurinë me vlera shënuese e shprehëse më jetësore të shqipes, krijon kështu mundësi të pafundme, me lëndën e vet, që ajo t’i kryejë fuqishëm, me pasurinë e nevojshme e me hijeshi, funksionet komunikuese në të gjitha fushat e ligjërimit e stilet e përdorimit. Fjalori, duke qenë normativ, përveç që ndihmon për ruajtjen e pastërtisë së shqipes e për njësimin gjuhësor sipas standardit, u shërben gjithashtu edhe të huajve që mësojnë e studiojnë shqipen thellësisht.

Hartimi i një fjalori të përgjithshëm shpjegues të tipit të madh ka qenë jo vetëm dëshirë e synim i leksikografisë shqiptare, por edhe nxitje për përgatitje të shumanshme: për ndërtimin e një projekti e të parashtresave me parime e kritere leksikografike, për konstituimin e grupit hartues e të grupeve të tjera të punës, për sigurimin e bazës materiale objektive (kartotekat leksikore e frazeologjike) etj. Projekti, Parimet e kriteret leksikografike  dhe Parashtresat u hartuan nga akad. prof. dr. Jani Thomai si përfaqësues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe akad. prof. dr. Valter Memisha si përfaqësues i ish-Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA). Projekti, bashkë me grupin fillestar të autorëve të veprës, u miratuan e u pranuan nga ASHSH e nga ASA, si dhe u mbështetën me bashkëpunimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës (IAP) e të Universitetit të Kalabrisë (Kozencë), me leksikografë nga Universiteti i Tiranës, nga Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës, nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës dhe nga leksikografë të tjerë nga Republika e Shqipërisë, nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë së Veriut, nga Palermoja.

 

Në etapën e parë, pas miratimit e pranimit të Projektit nga ASHSH, puna filloi në tri drejtime:

1. Formimi i grupit të autorëve. U ngritën grupet e punës: Redaksia (kryeredaktor, zëvendëskryeredaktorë, sekretar shkencor, anëtarë redaksie); grupi i redaktorëve e i kryetarëve të grupeve të hartuesve; grupi i hartuesve  (të organizuar në tetë nëngrupe sipas fushave të lëndës e shkronjave të Fjalorit); grupi i bashkëpunëtorëve; grupi i specialistëve konsulentë; grupi tekniko-shkencor ndihmës; grupi i korrektorëve gjuhësorë e teknikë. 

 Në këtë përbërje të strukturës së mësipërme punuan:

 

Redaktorë e hartues 

Drejtues të Projektit dhe hartues – akad. prof. dr. Jani Thomai, akad. prof. dr. Valter Memisha;

Kryeredaktor – akad. prof. dr. Jani Thomai; zëvendëskryeredaktor e sekretar shkencor i redaksisë – akad. prof. dr. Valter Memisha, zëvendëskryeredaktor –  prof. dr. Shezai Rrokaj; 

Grupi I: akad. prof. dr. Jani Thomai – redaktor e hartues, prof. dr. Ali Jashari  – redaktor e hartues, dr. Olger Brame – hartues; 

Grupi II: prof. dr. Miço Samara – redaktor e hartues, prof. dr. Artur Lama – hartues; prof. as. dr. Juljana Kume – hartuese; 

Grupi III: akad. prof. dr. Valter Memisha – redaktor e hartues, prof. as. dr. Manjola Zaçellari – hartuese;

Grupi IV: prof. dr. Shefkije Islamaj – redaktore e hartuese, prof. as. dr. Naim Berisha – hartues;  prof. as. dr. Abdurrahim Maxhuni, prof. as. dr. Sejdi Gashi – hartues;

Grupi V: akad. prof. dr. Gjovalin Shkurtaj – redaktor e hartues, prof. dr. Mimoza Priku – hartuese; prof. as. dr. Idriz Metani – hartues;  msc. Petrit Zeneli – hartues; 

Grupi VI: prof. as. dr. Anila Kananaj – redaktore e hartuese; prof. as. dr. Teuta Toska – hartuese; prof. as. dr. Rrezarta Draçini, – hartuese; dr. Engjëllushe Karaj – hartuese; msc. Viktor Bakillari;

Grupi VII: prof. dr. Shezai Rrokaj – redaktor e hartues; prof. dr. Anila Omari – hartuese; prof. as. dr. Rozana Rushiti – hartuese; dr. Resul Telhaj, dr. Behar Hoxhaj;

Grupi VIII: prof. dr. Anila Omari  redaktore e hartuese.

Grupi IX: akad. prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, prof. dr. Shezai Rrokajakad. prof. dr. Valter Memisha

 

Bashkëpunëtorë 

Akad. prof. dr. Jani Vangjeli, akad. prof. dr. Dhimitër Haxhimihali, 

akad. Vasil Tole, akad. as. prof. dr. Rrapo Ormëni, prof. dr. Adem Tamo, prof. dr. Agron Duro, prof. dr. Hëna Pasho, prof. dr. Pirro Miso,  prof. dr. Qemal Murati, prof. dr. Izmit Durmishi,  prof. dr. Zyhdi Dervishi, prof. dr. Linda Mëniku, prof. dr. Baftjar Kryeziu, prof. dr. Berton Sulejmani, prof. dr. Nexhip Mërkuri, prof. dr. Luljeta Buza, prof. dr. Muhamet Metaj, dr. Afërdita Abdullahi, dr. Shpresa Ismajli, prof. as. dr. Adelinë Selmani, dr. Nermin Basha, dr. Asime Feraj, prof. dr. Begzad Baliu, dr. Engjëllushe Karaj, msc. Erjena Lamaj, msc. Fatmir Muçaj. 

 

Grupi tekniko-shkencor

Prof. dr. Anila KANANAJ (koordinatore dhe sekretare shkencore e teknike), dr. Brikena LIKO (programuese dhe specialiste e gjuhësisë kompjuterike), prof. as. dr. Manjola ZAÇELLARI, dr. Engjëllushe KARAJ, msc. Erjena Lamaj.

 

Grupi i korrektorëve gjuhësorë e teknikë 

Prof. as. dr. Teuta Toska

Prof. as. dr. Rozana Rushiti

Dr. Behar Hoxhaj

Dr. Olger Brame

Dr. Resul Telhaj

Dr. Engjëllushe Karaj

 

 2. Ngritja e Kartotekës së posaçme për FMGJSH. Përveç Kartotekës së leksikut të shqipes (KLSH) e kartotekave të tjera në ASHSH në Tiranë dhe kartotekave në Prishtinë (IAP) e Kozencë (Universiteti i Kalabrisë), për FMGJSH u ngrit edhe Kartoteka e posaçme (ad hoc) me punën dyvjeçare të grupit tekniko-shkencor, me skanimin e qindra mijë faqeve të teksteve të shkruara nga të gjitha fushat dhe nga veprat e shumë autorëve, nga janë nxjerrë mikrotekste të përdorimit të njësive leksiko-semantike (fjalë, njësi frazeologjike, emërtime të pathjeshta, kuptime etj.), si dhe me lematizimin, sipas programeve kompjuterike. Kjo kartotekë elektronike, me mbi 800.000.000 mikrotekste, përmban një korpus prej mbi 250.000 njësish leksikore e frazeologjike. Nga ky korpus u përzgjodh fjalësi i FMGJSH, me rreth 105.000 njësi leksikore (nga 90.000 njësi leksikore të parashikuara në Projekt) e rreth 12.500 njësi frazeologjike (nga 10.000 njësi frazeologjike të parashikuara në Projekt). Fjalorët e shqipes (shpjegues të përgjithshëm, krahinorë, terminologjikë, sinonimikë, antonimikë, homonimikë, frazeologjikë, dygjuhësh etj.) kanë qenë gjithashtu burime kryesore të lëndës. 

Edhe “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (FGJSSH),1980, ka qenë vepër referimi si burim lënde e gjedhesh leksikografike. Siç dihet, FGJSSH u hartua nga një grup leksikografësh të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Akademinë e Shkencave, i përbërë nga akad. Androkli Kostallari (kryeredaktor), Jani Thomai, Xhevat Lloshi e Miço Samara (redaktorë), Androkli Kostallari, Jani Thomai, Xhevat Lloshi, Miço Samara, Pavli Haxhillazi, Hajri Shehu, Ferdinand Leka, Emil Lafe, Kornelja Sima, Thanas Feka, Betriçe Keta, Agim Hidi (hartues), si projekt, vepër e botim i Akademisë sonë të Shkencave. Ai u parapri nga “Parimet themelore për hartimin e ‘Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe’”, të hartuara nga akad. Androkli Kostallari, parime në nismë me vështrim nga fjalori i madh i gjuhës shqipe (4-5 vëllime), për të cilin filloi edhe puna, por, për shkak të kërkesave të ngutshme të kohës për një fjalor të mesëm (“Fjalori i gjuhës shqipe”, 1954, ishte i tejkaluar dhe nuk i plotësonte më kërkesat e kohës), nisi puna për hartimin e FGJSSH me të njëjtat parime. Vëllimi i fjalësit (i glosarit) u kufizua në përmasat e tipit të mesëm (rreth 41.000 fjalë), por mikrostrukturat e fjalëve, vëllimi e strukturat kuptimore të fjalëve, vëllimi dhe strukturat e kuptimeve me përbërësit kuptimorë (komponentët semantikë a semat), gjerësia e tipi i shpjegimeve etj. u ndërtuan thuajse si për një fjalor të madh njëvëllimësh të shkallës së parë (më të ulët) në tipologjinë leksikografike të fjalorëve të mëdhenj. Në këtë aspekt, FGJSSH ka dhënë edhe modele të trajtimit leksiko-semantik për tipe të ndryshme fjalësh, për ndonjë klasë leksikore edhe në shpjegime të tipizuara. Kjo u bë e mundur dhe u realizua duke nxjerrë së pari të dhënat e nevojshme nga KLSH, bazë lëndore objektive, që atë kohë kishte rreth 4.000.000 skeda (fisha) me tekste të vjela nga të gjithë fjalorët e botuar për shqipen, nga qindra mijë faqe letërsi artistike e shkencore, nga folklori e publicistika ose të mbledhura nga ligjërimi i folur popullor nga qindra gjurmues të fjalës shqipe me ekspedita leksikologjike ose nga bashkëpunëtorë të jashtëm në të gjitha trevat shqipfolëse në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Itali etj. KLSHpronë shkencore e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Akademinë e Shkencave, ishte arritje kolektive e mijëra leksikografëve, autorëve e hulumtuesve të pasurisë leksiko-frazeologjike e semantike të gjuhës shqipe. FGJSSHsi një nënprodukt i kësaj kartoteke, pasqyroi shtresën më themelore, më të përgjithshme, më cilësore e më aktive leksikore, frazeologjike e semantike që përmbante ajo

Ka qenë e natyrshme shkencërisht, etike dhe e dobishme praktikisht që nga FGJSSH të përfitohej më pas për hartimin e fjalorëve të shqipes, shpjegues e dygjuhësh e tash, si një kërkesë metodologjike-shkencore, edhe për “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”, në fjalës e në mikrostrukturë, doemos “duke e shkrirë” me lëndën e re me vëllim thuajse tri herë më të madh dhe duke e përpunuar në përshtatje me të dhënat e reja të kohës sonë e me kriteret e një fjalori të tipit të madh. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si institucioni me të drejtë të plotë të pronësisë të FGJSSH, e ka përligjur Projektin e FMGJSH edhe për mënyrën e shfrytëzimit të tij, si edhe të burimeve të tjera të lëndës. Gjithsesi, e ndiejmë për detyrë, veçanërisht për këtë vepër, për aq sa është përfituar prej saj, pronësinë shkencore ta shprehim nëpërmjet referimit që në Parathënie, me titull dhe autorë.

3. Baza teknike. Bashkë me mjediset e punës, u siguruan nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë kompjutera, server qendror, flesh-disqe me kapacitet të madh etj.

4. Ecuria. Pas hartimit të fjalësit të përgjithshëm të Fjalorit, pas redaktimit e pas miratimit në redaksi, nisi faza e hartimit të fjalëve, në grupe të ndara si më poshtë: Jani Thomai – korpusi frazeologjik i Fjalorit, Parathënia, Hyrja; Shefkije Islamaj – shkronja A; Ali Jashari – shkronja B dhe pjesërisht ZH, korpusi frazeologjik, shtojca me shprehje të huaja të papërvetësuara; Artur Lama – shkronja C; Olger Brame –  shkronja D dhe pjesërisht Z; Dhimitër (Miço) Samara – shkronja K; Juljana Kume – shkronja H; Teuta Toska – shkronjat Ç, DH, E; Manjola Zaçellari – shkronjat I, X, XH, Y; Valter Memisha – shkronja P, tabelat gramatikore, Hyrja, emërtimet shkurtesore; Engjëllushe Karaj – shkronjat – N, NJ, Ë; Naim Berisha – shkronja L; Viktor Bakillari – shkronja T; Abdurrahim Maxhuni – shkronja TH; Sejdi Gashi – shkronja O; Gjovalin Shkurtaj – shkronja J; Mimoza Priku – shkronja SH; Rrezarta Draçini – shkronja S; Petrit Zeneli – shkronja V; Shezai Rrokaj – shkronja F; Anila Omari – shkronja R; Anila Kananaj – shkronja M; Rozana Rushiti – shkronjat Q, GJ; Behar Hoxhaj – shkronja RR; Resul Telhaj – shkronjat G, U; Idriz Metani – shkronjat Z, ZH (pjesërisht).

Redaktimi i parë është kryer nga redaktorët – kryetarë të grupeve të hartuesve.

Redaktimi i dytë është kryer nga Valter Memisha (shkronjat A, B, Ç, D, DH, E, Ë, H, I, N, NJ, S, P, X, XH, Y, Z, ZH) e Shezai Rrokaj (shkronjat C, F, G, Gj, K, L, LL, M, O, Q, R, RR, SH, T, TH, U, V).

Redaktimi përfundimtar i Fjalorit është kryer nga Jani Thomai.                                                     

 

***

 

FMGJSH mbështetet në parimet leksikografike të traditës e ato bashkëkohore, vendëse e ndërkombëtare, për fjalorët e tipit të madh, shpjegues, të përgjithshëm e normativ, me rritje të ndjeshme të funksionit informues. Këta fjalorë janë vepra që plotësojnë, sipas vëllimit të tyre, kërkesën e parimit të përgjithshëm leksikografik: Të regjistrojnë, të ruajnë e të hedhin në përdorim pasuri leksikore, frazeologjike e semantike të gjuhës, si një “arkivë” përherë e hapur për shfrytëzim, pa kufizime sociale, krahinore, profesionale etj., si burim lënde e informacioni gjuhësor e konceptologjik për shumë të interesuar, si për funksionet e komunikimit gjuhësor të kësaj lënde, ashtu edhe për qartësi konceptore, stilistike etj. Fjalorët janë vetë gjuha. Quhen “fjalorë”, siç dihet, sipas renditjes alfabetike të fjalëve nga të gjitha fushat e jetës, të veprimtarive, të botës së gjallë e të natyrës. Por vlerat më të mëdha i mbart përmbajtja leksiko-semantike dhe e mbishtresuar, si edhe përdorimi në praktikën e komunikimit të këtyre fjalëve. Fjalorët janë një mjet themelor për të kuptuar gjuhën, strukturën dhe zhvillimin e saj historik. Ata hedhin dritë jo vetëm mbi gjendjen e gjuhës në një fazë të caktuar, por edhe na mësojnë si ta përdorim atë në të gjithë pasurinë e saj leksikore e frazeologjike. Megjithatë, fjalorët, edhe pse përpiqen të “fotografojnë” rrjedhën e gjuhës në një moment të caktuar dhe të pasqyrojnë ndryshimet e ndodhura në të, ata tejkalohen shumë shpejt nga zhvillimet e gjuhës së gjallë në përdorimin e saj komunikues. Në aspektin kombëtar ata bëhen shprehësit më të plotë të pasurisë, të larmisë, të forcës e të bukurisë së gjuhës, të mundësive që jep ajo për të gjitha fushat e veprimtarisë së gjallë gjuhësore.

Fjalori kërkon përpikëri absolute, zgjidhje tipologjike plotësisht të njësuara, deri te vlerat e shenjave e të shënimeve, të pikësimit, të renditjes funksionale të lëndës, të strukturimit të jashtëm e të brendshëm, të paraqitjes grafike etj. Njësimi i zgjidhjeve shkencore e teknike është vlerë e pandashme e një fjalori shkencor të mirëfilltë. Me lëndë gjuhësore të detyrueshme, fjalori nuk e njeh përmbylljen me “etj.” në fraza shpjegimesh a vargje shembujsh si në studimet e veprat e tipeve të tjera shkencore. Edhe ky tipar lidhet me kërkesën e prerë për fjalorin – njësim deri në imtësi drejtshkrimore.

Ndërkaq, fjalorit shpjegues të përgjithshëm ia njohin një “dobësi”: Është vepra shkencore më e kritikueshme, më e hapura për vërejtje, madje edhe nga jogjuhëtarë, për tri arsye: Së pari, sepse ai pasqyron njësi të nënsistemit më të lëvizshëm të gjuhës, siç është leksiku e sidomos semantika leksikore. Në gjuhësinë shqiptare është dëshmuar se, që nga vepra e parë e shkruar e shqipes, “Meshari” i Gjon Buzukut, afër 6 shekuj më parë, sistemi gramatikor i shqipes thuajse nuk ka ndryshuar, edhe kodifikimi i tij thuajse është kryer, i mundësuar nga qëndrueshmëria e këtij sistemi, kurse në leksik e në semantikën leksikore kanë ndodhur lëvizje të mëdha: shumë fjalë e kuptime janë zhdukur, kanë lindur shumë fjalë e kuptime të tjera, shumë fjalë kanë ndryshuar kuptim. Fjalori “mbetet prapa” këtij zhvillimi dinamik, kështu, “fjalori fillon të vjetrohet që të nesërmen e botimit të tij”. Prandaj fjalorët janë vepra përherë të hapura për pasurim e ndryshime, prandaj dhe kjo është arsyeja që ata përditësohen shpesh. Së dyti, sepse fjalori, me objektivitetin e tij, qëndron përballë subjektivitetit të çdo përdoruesi. Për këdo ai mund të ketë mungesa fjalësh, kuptimesh a përdorimesh ose secili mund të dijë diçka ndryshe nga fjalori e përmbi fjalorin, sipas formimit të tij gjuhësor, sipas variantit (edhe dialektor) që njeh e që flet, sipas shkallës së njohurive leksikografike e nuhatjes a shijes gjuhësore etj. Së treti, sepse edhe gabimet e autorit (e autorëve) të fjalorit janë të mundshme, të kuptueshme, të përligjura, kur punohet për dhjetëra mijë fjalë, për qindra mijë kuptime, edhe më shumë se kaq për përbërës kuptimorë (sema), përveç njësive e mjeteve leksikografike plotësuese (si shkurtesat për karakterizimin leksiko-gramatikor, leksikor, ligjërimor, stilistik etj. të fjalëve). Përdoruesi i fjalorit është në të drejtën e vet me kritika të tilla, edhe sepse kjo është e natyrshme në diferencat ndërmjet funksionit e trajtimit përgjithësues të fjalorit dhe formimit, shijes e njohurive individuale gjuhësore të përdoruesit. 

Fjalorët janë veprat më të kërkuara nga shumë grupe sociale e profesionale, nga studiues e leksikografë, sidomos nga shkrimtarë, përkthyes e publicistë, vepra që ndihmojnë në punën e tyre, për të kuptuar a për të mësuar gjuhën, mjet pune për t’i shërbyer veprimtarisë së secilit në jetë. Fjalorët janë vepra të ripunueshme e të riprodhueshme shpesh, sepse, siç dihet, leksiku e semantika leksikore janë nënsistemet më të lëvizshme të gjuhës, thuajse përditë dalin a formohen fjalë të reja ose hyjnë rishtas huazime leksikore, disa fjalë vjetrohen a ndryshojnë formë e përmbajtje, ka lëvizje të shpeshta në klasa e fusha leksikore, ndryshon shtrirja a denduria në përdorim etj. Ndërkaq, janë veprat shkencore më objektive, që nuk durojnë politizime e ideologjizime, interpretime vetjake, shtrembërime për interesa klasorë a grupesh sociale. E së fundmi, fjalorët janë vepra që nuk lexohen njëherësh e tërësisht ose vetëm një a dy herë, u drejtohemi atyre vazhdimisht, sa herë duam informacionin e kërkuar. Për leksikografin këto janë kritere shkencore pune.

Para së gjithash, fjalorët janë vepra shkencore të mirëfillta: E paraqesin çdo fjalë në të tria përmasat, në formë – në përmbajtje – në përdorim, pas studimit të plotë e të imët të çdo fjale e pas zbulimit të të gjitha vlerave e funksioneve për të cilat është krijuar. Fjalorë të tillë japin në formatin e vet rezultatet e këtij studimi. Fjalorët janë vepra ku pasqyrohen e gjenden tingujt (fonetika) e fjalëve dhe alfabeti i gjuhës për variantin e shkruar; drejtshkrimi, theksi e drejtshqiptimi i fjalëve, f.v.  MESHÓLLË mb. [lexo: MES-HÓLLË]; trajtat për kategori gramatikore themelore të fjalëve (gjinia, shquarsia e numri për emrat, diateza, e kryera e thjeshtë e pjesorja për foljet etj.) dhe disa shënime për gramatikën e fjalëve; semantika leksikore me strukturat semantike të fjalëve e me shpjegimet e kuptimeve; vlerat e mbishtresuara stilistike, ligjërimore e shprehëse me shpjegimet e me shënimet përkatëse; historia e gjeografia e fjalëve; shtresat e klasat leksikore, burimet (dialektologjia ose krijuesit e fjalëve); fushat e përdorimit të fjalëve me shënimet përkatëse; lidhjet fjalëformuese të fjalëve; sintaksa e gjuhës me lidhjet sintagmatike të fjalëve në togfjalësha e fjali; grupet paradigmatike leksikore që formojnë fjalët (sinonimia, antonimia, homonimia) etj. Në fjalor jepet e plotë gjithçka që duhet dhënë nga tërësia e fjalëve sipas tipit të tyre, sipas prerjes leksikore a kërkesave leksikografike. Kjo është “matematika” e fjalorëve të tillë.

FMGJSH u konceptua si vepër mbarëkombëtare. Sipas kërkesave të punës me projekt, u parashikua struktura shkencore e Fjalorit, vëllimi i veprës, grupi i hartuesve, i redaktorëve (redaksia), grupi i leksikografëve bashkëpunues, grupi i specialistëve konsulentë, grupi i punonjësve ndihmës (operatorë, korrektorë, kartelistë etj.). U parashikuan gjithashtu përfituesit e drejtpërdrejtë e të tërthortë të Fjalorit, grafiku i punës në vite dhe afatet, baza materiale e teknike (aparatura, literaturë leksikografike, kancelari etj.) etj. Dihet që çdo fjalor i madh është afatgjatë jo vetëm në procesin e hartimit, por edhe në jetën e vet të qarkullimit e të përdorimit: me thesarin e vlerat e tij ai duhet t’i qëndrojë një kohe të gjatë deri sa të ndihet e nevojshme të rimerret hartimi i një fjalori tjetër të madh ose të ripunohet fjalori i botuar. Prandaj edhe cilësia e tij duhet t’i qëndrojë kësaj kohe dhe ripunimet e fjalorit a vëllimet shtesë të mos ndihen aq shpejt të mungueshme.

Për shkak të vëllimit të madh dhe të të dhënave të shumanshme, hartimi i kësaj vepre kërkoi patjetër thithjen e bashkëpunimin e specialistëve më të mirë të gjuhësisë shqiptare dhe të fushave të tjera për konsultim, që mund t’u jepnin zgjidhje të sigurta kërkesave shkencore të Fjalorit. Forca plotësuese duheshin edhe në nivel të mesëm, për vjelje, skedim e alfabetizim, për punë me KLSH, për korrigjime, për kompjuterizim, për formatim etj. Vëllimi dhe vështirësitë e hartimit të një vepre të tillë madhore në gjuhësi kërkonin në radhë të parë harmonizim të punës së hartuesve e të redaktorëve për të siguruar njësimin e veprës me shumë autorë.

FMGJSH është vepër e re, me dallime të rëndësishme në vëllimin e lëndës dhe në trajtimin leksikografik. Ai nuk ka dalë nga një rritje mekanike e numrit të fjalëve, por nga hartimi tërësor si një vepër e re, natyrisht, duke u mbështetur në gjithë trashëgiminë tonë leksikografike. Çdo vit ka pasur vjelje të reja fjalësh, kuptimesh, njësish frazeologjike, në mënyrë që vëllimi i Fjalorit të përditësohej me lëndë të re deri në çastin e botimit.

Në përputhje të plotë me natyrën e leksikut e të semantikës leksikore si nënsistemet më të lëvizshme të gjuhës dhe me kriteret e një fjalori të madh, edhe në fjalor i është hapur udha neologjisë leksiko-semantike – formimit të fjalëve të reja me mjetet e shqipes dhe lindjes së kuptimeve të reja leksikore, sipas modeleve të shqipes, që kanë marrë një zhvillim të veçantë sidomos dhjetëvjeçarët e fundit me hapjen e shqipes, përpjesëtimisht me hapjen e Shqipërisë, me zhvillimet më të hershme të disa fushave dhe me zhvillimet bashkëkohore të fushave të reja (si f.v. informatika), çka shpreh edhe vlerësimin shkencor për pasurimin e shpejtë e të madh të shqipes së sotme e të variantit të saj standard dhe pasqyron realitetin e zhvillimeve të sotme të gjuhës sonë, e ngritur në nivelin e gjuhëve të tjera të zhvilluara evropiane, duke rritur aftësitë e gjuhës, duke zgjeruar forcën shprehëse dhe qartësinë, saktësinë e bukurinë e ligjërimit në çdo stil.

Vepra dallohet për disa risi, ndër të cilat po përmendim:

 

       I. Risi tipologjike

- Është i pari fjalor i tipit të madh në leksikografinë shqiptare. Me rreth 130.000 fjalë (njësi leksikore) e njësi frazeologjike, ai është mbi mesataren në rendin e fjalorëve të mëdhenj dhe jo vetëm regjistron gjendjen më të plotë të leksikut, të semantikës, të frazeologjisë e të leksematikës së shqipes së sotme, por hap rrugën për një fjalor edhe më të madh, të tipit Thesaurus, me rreth 150.000 - 170.000 fjalë.

Pasqyron besnikërisht gjendjen e sotme të leksikut e të semantikës leksikore në gjuhën shqipe, që vjen nga një lëndë burimore e pasur dhe objektive.

Ka një përputhje të plotë përpjesëtimore në zgjerimin e strukturave kuptimore të fjalëve me gjerësinë e korpusit leksikor.

Ruan përpjesëtimin ndërmjet shtresave e fushave leksikore të shqipes së sotme (shtresa e përgjithshme, terminologjike, krahinore, e huazuar, e vjetruar, e markuar stilistikisht etj.).

 

      II. Risi kategoriale

- Fjalori u hartua në variant elektronik, duke u shërbyer nga metodat e mjetet elektronike, që nga  korpusi shumë i pasur i lëndës i siguruar me vjelje integrale e deri te formatimi.

- Fjalori plotëson në mënyrë sistematike çerdhet fjalëformuese, paradigmat leksikore (marrëdhëniet sinonimike, antonimike e homonimike, fushat leksikore etj.) në përputhje me realitetin gjuhësor e tipin leksikografik.

- Fjalori qartëson nëpërmjet shpjegimeve lidhjet koncept / kuptim, sipas marrëdhënieve formale e brendiore fjalë / term.

- Në Fjalor përdoren në mënyrën më të përshtatur e sistemore sipas tipit të fjalëve të gjitha llojet e shpjegimeve (perifrazim, përshkrim, përkufizim, sinonim, referim), duke dhënë kështu edhe mundësinë të dallohet norma nga jonorma gjuhësore edhe pa shënime të veçanta.

- Në shpjegimet e fjalëve jepen (me fjalë, togfjalësha a fjali) sa më shumë variante të mundshme të shprehjes së të njëjtit kuptim, si për qartësi maksimale të kuptimit, ashtu edhe për larmi të shprehjes, me forcën e bukurinë e saj.

- Në Fjalor janë dalluar mirë tipet e togfjalëshave (të lirë, të qëndrueshëm, terminologjikë, frazeologjikë), duke i trajtuar leksikografikisht sipas një kriteri njësues.

- Fjalori shfrytëzon maksimalisht përvojën leksikografike shqiptare e të huaj, duke ruajtur origjinalitetin si të gjuhës, edhe të veprës.

 

       III. Risi strukturore

- Fjalori ka risi në dhënien e disa klasave leksikore, me shënime të reja në leksikografinë tonë (vep., jovep. etj.) dhe me një skemë të re të zërave leksikografikë.

- Në Fjalor togfjalëshat terminologjikë janë përfshirë në kuptimet e fjalëve kyçe, me shpjegime ose me referim (me asterisk).

- Në Fjalor janë ndërtuar vargjet sinonimike, që jepen veçan pas strukturës kuptimore të sinonimeve më të përgjithshme a dominante, me vlera plotësuese të kuptimeve të fjalës dhe si pasuri,  që i japin ligjërimit qartësi, forcë, larmi e bukuri.

- Në Fjalor frazeologjia është përmbledhur në një paragraf të veçantë e jepet pas strukturës kuptimore ose pas vargut sinonimik të fjalëve kyçe, çka ka dhënë mundësi që njësitë frazeologjike të karakterizohen si njësi të mëvetësishme shënuese (jo si lëndë ilustruese e fjalëve), të shpjegohen më gjerë dhe të duket më qartë lidhja e gjallëria frazeoformuese e fjalëve.

- Fjalori përmban në fund edhe pesë shtojca: për emërtimet shkurtesore (OKB...), për fjalët e huaja të paasimiluara grafikisht në shqipe (Whatsapp...), për shprehjet e huaja të paasimiluara në shqipe (conditio sine qua non...), për pasqyrat gramatikore dhe për burimet e lëndës.

Hartimi i një fjalori të pasur dhe me shumë vlera shkencore e praktike ka qenë një dëshirë e hershme jona, ky ka qenë synimi i punës sonë. Shpresojmë t’ia kemi arritur qëllimit, t’u kemi dhënë përdoruesve të tij veprën leksikografike që duan e që ua plotëson të gjitha kërkesat. Ky është shpërblimi më i çmuar për autorët e saj.

Redaksia e Fjalorit falënderon ASHSH dhe të gjitha institucionet e tjera bashkëpunuese për mbështetjen, ndihmën e nxitjen për hartimin e tij.

 

REDAKSIA

 

 

HYRJE


A. PARASHTRESË E PËRGJITHSHME

 

“Fjalori i madh i gjuhës shqipe” (FMGJSH) është vepër madhore leksikografike, e domosdoshme për të pasqyruar, për të ruajtur dhe për të hedhur në përdorim një pasuri të gjerë leksikore, frazeologjike e semantike të gjuhës shqipe dhe njëherazi burim këshillimi e studimi shkencor. Fjalori ka rrezatim të gjerë përdorimi, ai u shërben të gjithë atyre që merren veçanërisht me gjuhën e shkruar, por edhe të folur, me krijime e me përkthime etj. Ai është i nevojshëm për shkrimtarët e për publicistët, për përkthyesit, për pedagogët e studentët dhe për këdo që merret me lëvrimin e përdorimin e gjuhës amtare. Gjuha shqipe është ndër të rrallat që nuk ka pasur një fjalor të tillë.

FMGJSH, vepër madhore e leksikografisë shqiptare, projekt shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, krahasuar me fjalorët shpjegues të mëparshëm të botuar, i rrit ndjeshëm vlerat e funksionet e veta. FMGJSH paraqitet deri më sot si treguesi më i plotë i pasurisë, i larmisë, i forcës dhe i bukurisë së fjalëve e të frazeologjisë që përfshihen e përdoren në gjuhën shqipe, të pranuara e të trajtuara sipas vlerave të tyre leksiko-semantike, ligjërimore e stilistike që mbartin. Me lëndën e vet, Fjalori pasqyron pasurinë e mjeteve leksiko-frazeologjike me funksione shënuese e shprehëse më jetësore të gjuhës shqipes, krijon kështu mundësi të pafundme, jo vetëm duke e ruajtur këtë lëndë, por edhe duke e fuqizuar atë me të gjitha vlerat e nevojshme e larminë e nuancave, që të kryejë plotësisht funksionet komunikuese.

   Baza lëndore kryesore për hartimin e FMGJSH është e gjerë, që nga kartotekat e leksikut të shqipes, të digjitalizuara, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Veç këtyre, po rikujtojmë se ishte e domosdoshme të ngrihej edhe një kartotekë e posaçme e leksikut të shqipes, e digjitalizuar, me akses të përgjithshëm të kontrolluar, që përfshin të gjithë fjalorët e tjerë të shqipes (shpjegues, krahinorë, terminologjikë, dygjuhësh, të autorëve etj.), burime nga gjuha e shkruar në të gjitha gjinitë e ligjërimeve etj. Vepra të tilla leksikografike, si çdo fjalor i madh, kërkojnë domosdo shfrytëzimin dhe pasqyrimin e lëndës leksiko-frazeologjike e semantike të shqipes në gjithë shtrirjen e saj truallsore, kohore e ligjërimore, të përdorur në të shkruar e në të folur, në fazën e parë me shfrytëzimin e kartotekave të tilla dhe më tej me pasurimin e saj me vjelje integrale të veprave të autorëve të letërsisë artistike me gjuhë të pasur, të ligjërimit shkencor, të publicistikës, të krijimtarisë gojore popullore etj.

Puna për hartimin e FMGJSH kërkonte së pari të përcaktohej sa më mirë shkencërisht, sipas tipit të tij, çfarë do të përmbante dhe si do të jepej lënda e përfshirë në të. Një fjalor i madh nënkupton jo vetëm rritjen e numrit të fjalëve, por edhe zgjerimin, përpjesëtimisht me fjalësin, të strukturave kuptimore dhe të formulimit të shpjegimeve, sepse në atë përfshihet sa më gjerë përmbajtja e njësive leksikore e frazeologjike. Parimet e përgjithshme dhe kriteret e veçanta të fjalorëve të tillë njihen në leksikografi, por zbatimi i tyre për lëndën e shqipes ka edhe veçanti të përligjura.  

FMGJSH shënon regjistrimin e parë të pasurisë më të madhe e më kryesore të fjalëve, të frazeologjisë e të kuptimeve leksikore të gjuhës sonë, pasurinë e gjallë të gjuhës; ai është vepër përgjithësuese, që përmban shtresën më aktive të leksikut të shqipes dhe një pjesë të madhe të shtresës pasive. Zgjerim kanë disa shtresa leksikore të pasuruara e të gjallëruara rishtas, si nga fusha të elektronikës e të informatikës, të financave e të bankave, të artit e të kulturës, të biznesit, të organizimit shtetëror, të politikës e të marrëdhënieve ndërkombëtare etj. Zgjerim kanë veçanërisht shtresat leksikore nga fusha e terminologjisë, e leksikut dialektor, e neologjizmave, e huazimeve të përligjura, sidomos ndërkombëtare, të kohëve të fundit etj. Kështu, Fjalori është edhe pasqyrë e zhvillimit, e pasurimit dhe e ndryshimeve të pandërprera të gjuhës sonë.

Rrjedhim i tipit të FMGJSH është edhe ndryshimi i raportit ndërmjet funksionit informues e funksionit normativ: Funksioni informues në fjalor rritet më shumë, krahasuar me fjalorët e vegjël e të mesëm, si në fjalës, edhe në përbërësit e tjerë të makrostrukturës e të mikrostrukturës. Norma gjuhësore e standardit në Fjalor përcaktohet jo thjesht nëpërmjet përjashtimit (lënies jashtë tij) të fjalëve a të kuptimeve, por shpesh nëpërmjet kufizimeve të brendshme me shënimet e nevojshme të njësive jonormë (të fjalëve e të kuptimeve të vjetruara, krahinore të ngushta, të huaja të panevojshme etj., të përfshira në Fjalor). Mjet e mënyrë dallimi ndërmjet normës e jonormës është edhe tipi i shpjegimit: Ka më shumë shpjegime me sinonimi a me referim për njësitë leksikore të kufizuara. Por, në pajtim me veçoritë e normës leksikore (shumë më e çlirët se norma fonetike e ajo gramatikore), cilësimi i jonormës përballë normës bëhet vetëm në raste krejt të qarta e të domosdoshme, që lidhen edhe me ruajtjen e pastërtisë së gjuhës. Përkundër kësaj, shumë fjalëve krahinore, krijimeve të reja me mjetet e sipas gjedheve të shqipes, që sjellin pasurim leksiko-semantik e mbishtresor për shqipen standarde ose kanë perspektivën për t’u shtrirë në përdorim u hapet rruga drejt standardit, duke mos i kufizuar me shënime të posaçme për burimin e tyre. Fjalori nuk synon t’u mbyllë dyert fjalëve, shprehjeve e kuptimeve, por i hedh ato të konkurrojnë lirisht e të provohen realisht në truallin e përdorimit të gjallë ligjërimor, sipas vlerave reale e funksionale, pavarësisht nga burimi krahinor, nga krijuesi, nga struktura fjalëformuese, nga mosha etj. Rrjedhimisht, brenda këtij Fjalori zënë vend gjithsesi më shumë fjalë të vjetra (edhe të vjetruara), më shumë krijime të reja (produkt i gjallërimit të ndjeshëm të formimit të fjalëve në gjuhën e sotme shqipe me ndajshtesa, me prejardhje e me përbërje), sidomos më shumë fjalë, shprehje e kuptime nga të folmet popullore, që janë të brumit të shqipes, që janë përdorur ose që mund të përdoren në ndonjë variant të gjuhës së folur a të shkruar. Është e kuptueshme që, në dritën e konceptit të sotëm për statusin e leksikut e për normën leksikore, për gjuhët kombëtare e për “purizmin”, për marrëdhëniet ndërgjuhësore e për prirjet integruese globale, për varësinë e ndërsjellë të faktorëve gjuhësorë e jashtëgjuhësorë (etnolinguistikë, sociolinguistikë, psikolinguistikë), zgjerohet disi, siç u tha, edhe shtresa e fjalëve të huazuara rishtas, më shumë huazime terminologjike e huazime mjaft aktive në shqipen e sotme, veçanërisht të ditëve tona, por pa synuar që ky fjalor të plotësojë kërkesat e një fjalori huazimesh në gjuhën shqipe, sikundër nuk plotëson kërkesat e fjalorit dialektor, terminologjik etj. Si fjalor i madh e i përgjithshëm, duke përfshirë thuajse tërësisht shtresën aktive dhe pjesën më të madhe të shtresës pasive të leksikut, të frazeologjisë e të semantikës leksikore të shqipes, FMGJSH zgjeron edhe kufijtë historikë (përtej Rilindjes Kombëtare), kufijtë e rrafsheve të gjuhës (të të folmeve, të ligjërimeve e të stileve) dhe të fushave të veprimtarisë gjuhësore.

Në rendin tipologjik të fjalorëve të mëdhenj FMGJSH përbën shkallën e parë. Hartimi i një fjalori me vëllim të tillë kërkonte një grup leksikografësh me përvojë dhe një punë të ngulët disavjeçare, por vepra e kryer mirë e vlen kohën e mundin. Në rastin e shqipes, kur mungonte një fjalor i tillë, ai shënon, siç u tha, edhe regjistrimin e parë të pasurisë më të madhe e më kryesore të fjalëve, të frazeologjisë e të kuptimeve leksikore të gjuhës sonë, pasurinë e gjallë të gjuhës, për ta ruajtur nga humbja dhe për t’ua dhënë gjithë atyre që merren veçanërisht me gjuhën e shkruar, por edhe të folur. Përtej kësaj, në prerjen e sotme Fjalori synon të pasqyrojë po ashtu zhvillimet më të fundit të leksikut e të semantikës leksikore të gjuhës shqipe, gjallërimin e formimit të fjalëve të reja dhe ngjitjen drejt standardit të leksikut krahinor, rigjallërimin e fjalëve të vjetruara, lëvizjet në shtresat leksikore e stilistike, shkallën e kristalizimit të normës gjuhësore etj. Është e kuptueshme që, në dritën e konceptit të sotëm për statusin e leksikut e për normën leksikore, për gjuhët kombëtare e për “purizmin”, për marrëdhëniet ndërgjuhësore e për prirjet integruese globale, për varësinë e ndërsjellë të faktorëve gjuhësorë e jashtëgjuhësorë, të jepen në rendin e tyre alfabetik edhe shumë fjalë nga zhvillimet fjalëformuese, që në fjalorët e mëparshëm janë pasqyruar në mënyrë të kufizuar si  “të vetëkuptueshme dhe të lehta për t’u formuar nga çdo shqipfolës”.

Njihet tashmë që një folës i zakonshëm përdor në të gjitha situatat ligjërimore e shumta deri në 5000 fjalë. Te veprat e shkrimtarëve të mëdhenj thuhet se arrin deri në 20.000 fjalë fjalori i përdorur. Në të dyja rastet strukturat kuptimore të fjalëve të përdorura janë shumë më të ngushta sesa ato që jepen ndër fjalorët e tipit të mesëm. Por secili merr nga fjalorët atë që i duhet. Pra, një fjalor me rreth 50.000 fjalë do të ishte i mjaftueshëm për përdorim praktik nga të gjithë. Fjalorët e  mëdhenj “e bjerrin” disi vlerën praktike masive dhe shtojnë vlerat që i përmendëm më lart.

FMGJSHduke e pasqyruar leksikun e shqipes me të gjithë përbërësit e tij (fjalë, kuptime, nuanca mbishtresore, lidhje sintagmatike të lira, të qëndrueshme e frazeologjike, lidhje paradigmatike, të dhëna gramatikore e stilistike, shënime plotësuese për fusha përdorimi e për barasvlerës shkencorë etj.), në aspektin kombëtar jep shprehësit më të plotë të pasurisë, të larmisë, të forcës e të bukurisë së gjuhës, të mundësive që afron ajo për të gjitha fushat e veprimtarisë së gjallë gjuhësore. Përdoruesi i Fjalorit gjen aty vetë gjuhën shqipe. 

Parimet e kriteret e përgjithshme, që shërbejnë si mbështetje për hartimin e FMGJSH më të madh, të njohura tashmë në teorinë e praktikën leksikografike, nuk e ndiejmë të nevojshme t’i përimtojmë e t’i interpretojmë këtu hollësisht. Të tilla janë: koncepti për fjalën e frazeologjinë, për semantikën leksikore e për ngjyrimet e mbishtresuara; koncepti, teoria dhe gjendja e gjuhës standarde, e përditësuar me vështrimin e ri për standardet gjuhësore dhe për shqipen standarde sot; koncepti, teoria dhe gjendja e normës gjuhësore; koncepti për shtresat leksikore, veçanërisht për leksikun krahinor; kriteret për zgjedhjen e fjalëve, për shpjegimin e për ilustrimin e tyre dhe teknika leksikografike e paraqitjes në fjalor etj. Ndërkaq, mbahet parasysh që specifika nuk qëndron aq në teorinë leksikografike, sesa në sendërtimin e kësaj teorie në fushën e hartimit të fjalorëve të shqipes a me shqipen.

 


STRUKTURA E FJALORIT

 

Fjalori i madh i gjuhës shqipe (2025) është strukturuar: Parathënie, Hyrje, Shpjegime për ndërtimin dhe për përdorimin e fjalorit, Lënda leksikografike në rend alfabetik (sipas shkronjave të alfabetit). Në pjesën e fundit të veprës jepen 5 shtojca: I. Shprehje të huaja të paasimiluara në shqipe. II. Emërtime me shkurtesa. III. Tabela gramatikore. IV. Fjalë të huaja të paasimiluara në ligjërimin e shkruar. V. Burimet e lëndës.

Makrostruktura e FMGJSH ka zgjerim në të tre përbërësit themelorë të fjalorëve të këtij tipi: në fjalësin (glosarin), në semantikën leksikore dhe në sintagmatikën e njësive leksikore (ilustrimi me më shumë thënie të domosdoshme). Ritheksojmë që ai, si vepër me karakter informues e normëzues, ka disa tipare të fjalorit të madh e të mesëm njëherazi, si në numrin e fjalëve që përfshin, në shkallën e zbërthimit kuptimor të fjalëve, në llojin e ilustrimit me thënie e jo me shembuj burimorë, në emërtimet shkencore latinisht të bimëve e të kafshëve etj. Fjalori, siç u tha, qëndron në shkallën e parë të tipologjisë së fjalorëve të mëdhenj, d.m.th. është “në kufi” me fjalorët e mesëm, prandaj mund të trashëgojë prej tyre ndonjë zgjidhje sipas kritereve leksikografike, që nuk prekin përmbajtjen (f.v. njësitë ilustruese janë togfjalësha të lirë e të qëndrueshëm, pra nuk ka citate të plota nga autorë e vepra të ndryshme; edhe togfjalëshat ilustrues janë më të kufizuar krahasuar me fjalorët shumëvëllimësh etj.). Gjithsesi, këto zgjidhje sipas kriteresh leksikografike janë përcaktuar më parë nga redaksia e Fjalorit.             

Fjalësi është nxjerrë së pari nga regjistri i përgjithshëm i KLSH dhe nga vetë kjo kartotekë, nga fjalorët (shpjegues, sinonimikë, frazeologjikë, terminologjikë e sidomos krahinorë të kohëve të fundit), nga filiali i KLSH me lëndë të re të vjelë gjatë 15 vjetëve të fundit, nga kartoteka e gramatikës, e dialektologjisë etj. Meqenëse KLSH e sotme nuk mundësonte cilësinë e plotë të një vepre të tillë, u ngrit kartoteka e posaçme për Fjalorin, e digjitalizuar.

Fjalësi është zgjedhur duke e gjykuar jo vetëm nga vlerat e fjalëve të veçuara, por edhe nga raporti i shtresave, i klasave e i fushave leksikore (të përgjithshme, të kufizuara, terma, neologjizma, huazime etj.), në përputhje me kriteret sipas tipit të Fjalorit. Përpjesëtimet ruhen sa më shumë edhe për paradigmat leksikore, si për sinonimet, për antonimet, për emrat e mbiemrat prejfoljorë, për formimet me ndajshtesa të specializuara ose me përbërje modelore etj. Fjalori do të ketë edhe botim elektronik, mund të qarkullojë në CD ose në faqe interneti.

Mikrostruktura e FMGJSH zbërthen më tej tipin e makrostrukturës në paragrafin leksikografik për çdo fjalë, duke iu përgjigjur përpjesëtimisht në radhë të parë përmasave të saj, d.m.th. ka afërsisht atë gjerësi, atë analitizëm dhe ata përbërës kuptimorë që i kërkon makrostruktura e një fjalori të këtij tipi, e plotësuar me elemente specifike të mikrostrukturës.

Zëri leksikografik: Fjala në fjalor jepet leksikografisht sipas traditës së fjalorëve të deritashëm të shqipes e të gjuhëve të tjera: në trajtën përfaqësuese, me trajta plotësuese të temave themelore, me shënimet e nevojshme gramatikore për pjesët e ligjëratës dhe për kuptimet gramatikore bazë dhe me shënimet e nevojshme stilistike e të përdorimit të gjallë të fjalës, përgjithësisht më të pasura se në fjalorët e tipit të mesëm. Veç këtyre, ky tip fjalori ka lejuar që disa fjalë të parme, të huazuara rishtas, të shoqërohen me shënime për “etimologjinë” e tyre, d.m.th. të gjuhës nga vijnë, kurse termat nga botanika e zoologjia të shoqërohen me emërtimin shkencor në latinishte; p.sh.:

 

BUF,~I m. sh. ~Ë, ~ËT dhe ~ËR, ~ËRIT 1. zool. (lat. Bubo maximus) Shpend grabitqar i natës, me kokë të madhe e të rrumbullakët, me sy të mëdhenj në ballë, me sqep të shkurtër e të kthyer, që rron ndër pyje e në gërmadha dhe që këndon natën sikur vajton; buvesh. Bufi veshgjatë. Bufi veshshkurtër. Bufi polar. Buf kënete. Sy bufi. Sheh si buf. Rri si buf. Bufi mburr zogjtë e tij thuhet për atë që përpiqet të mburrë punën e vet edhe kur nuk vlen, shoshari shoshën e tij lëvdon. 

PÍSH/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. bot. (lat. Pinus) Dru pylli me trung të lartë e të drejtë, me lëvore të plasaritur e me gjethe halore përherë të blerta, që e ka lëndën të fortë, me rrëshirë e që digjet lehtë. Dru pishe. Hala pishe. Boçat e pishës. Rrëshira e pishës. Pyll me pisha. Mbjell pisha. Nuk pritet pisha për hala. (fj. u.).

 

Në mënyrë sistemore e të plotë të tilla shënime për gjuhën huazuese (latine, frënge, angleze etj.) janë vënë për shprehjet e huaja të paasimiluara, që jepen në një shtojcë të veçantë në fund të Fjalorit; p.sh.:

 

Dum spiro, spero (dum spíro, spéro) lat. derisa marr frymë, shpresoj (Ovidi).

Ignorantia non est argumentum (ignoráncia non est arguméntum) lat. padija (mosdija, injoranca) nuk është argument.

Tel père tel fils (tel pérë tel fís) frëngj. si i ati dhe i biri; janë njësoj, i kanë ngjarë shumë njëri-tjetrit (shprehja përdoret me kuptimin: fëmija ngjan e sillet si prindërit e vet); bëmë baba të të ngjaj.

Semantika leksikore u përgjigjet kritereve e përmasave të fjalësit. Prirjet kryesore janë dy: a) Pasuri sa më të madhe të strukturave kuptimore të fjalëve, duke sjellë në Fjalor kuptime të reja që kanë fituar fjalët, kuptime që në fjalorët e mëparshëm nuk janë dhënë për arsye të ndryshme, zhvillime semantike letraro-gjuhësore me prirje drejt leksikalizimit etj.; b) trajtim analitik i tipologjisë semantike, d.m.th. jo sinteza kuptimore drejt kuptimesh të përgjithshme, por veçimi i kuptimeve sipas tipit të përbërësve kuptimorë (të semave: konkret / abstrakt, i drejtpërdrejtë / i figurshëm, klasë / tipar etj.), gjë që siguron pasqyrimin e nuancave më të holla kuptimore dhe të vlerave shprehëse-emocionuese të fjalëve.

Semantika leksikore në mikrostrukturë lidhet me ndërtimin e strukturës kuptimore të fjalëve, e cila është më e gjerë e më analitike se në fjalorët e tipit të mesëm. Zbërthimi kuptimor është i plotë, duke ndarë si kuptime më vete të gjitha njësitë semantike që dallohen nga përbërësit semantikë themelorë ose nga shumica e përbërësve (përfshirë figurshmërinë, grupet e realieve që u referohen etj.). Kuptimet renditen në kryeradhë, sipas prejardhjes e sipas vlerës në gjendjen e sotme të përdorimit. Kjo sjell që edhe lidhja e prejardhjes së kuptimeve nga njëri-tjetri del më e qartë, kurse në fjalët e prejardhura e të përbëra del më qartë edhe lidhja e kuptimeve me strukturën fjalëformuese të njësive leksikore.

Për lëndën e referuar nga vepra të tjera leksikografike e sidomos nga FGJSSH, në Fjalor janë bërë të gjitha ndryshimet e domosdoshme edhe në strukturat kuptimore të fjalëve, në pajtim me tipin e fjalorit të madh dhe me përditësimin gjuhësor-leksikografik. Janë ruajtur në përgjithësi strukturat kuptimore që janë të tipit të fjalorit të madh dhe janë rishikuar rastet kur nuk janë në formatin e këtij fjalori. Kështu, janë ndarë në kuptime të veçanta disa nuanca kuptimore me dallime thelbësore ose të shumë përbërësve semantikë dhe janë shtuar kuptime që nuk i ka FGJSSH te fjalët me zhvillim të ri kuptimor ose të lëna jashtë tij si fjalor i mesëm (p.sh., shtohen fjalët adresoj, adresim, krahas adresë, kurse te folja adresoj shtohet një kuptim që del sot në thëniet: problemin do ta adresojmë për zgjidhje; duhen adresuar ankesat e drejta të njerëzve...: libr. “e vë në rrugën për t’u zgjidhur një çështje, i jap drejtimin e duhur...”).

Tipet e shpjegimit (me perifrazim, me përshkrim, me përkufizim, me sinonim e me referim) në Fjalor përdoren sipas vlerës leksiko-semantike e përdorimit të fjalëve, si edhe sipas natyrës së konceptit të cilit i referohen kuptimet.

a) Shpjegimi me perifrazim përdoret kryesisht për kuptime abstrakte të fjalëve, duke përmendur e duke renditur përbërësit semantikë (semat) e atij kuptimi, të formuluar sipas parimit nga më i përgjithshmi te më i veçanti; p.sh.:

 

BUKURÍ,~AI f. sh. ~, ~TË 1. nj. Të qenët i bukur, vetia e asaj që është e bukur; e bukura. Bukuria në jetë e në natyrë. Bukuria vetë. 

2. Tërësia e anëve dhe e tipareve të bukura që ka një njeri, një send etj., të cilat të tërheqin e të ngjallin kënaqësi; pamja e jashtme e bukur ose cilësitë e brendshme, shpirtërore e morale të bukura. Bukuri trupore (fizike). Bukuri shpirtërore (morale). Me bukuri të rrallë. Bukuria e fytyrës. Bukuria e bregdetit (e detit, e maleve, e pranverës). Bukuria e luleve. Yll nga bukuria. Humbi bukurinë. Ia shton bukurinë. 

3. kryes. sh. Gjë e bukur, ajo që është e bukur; anët e bukura, pamjet tërheqëse të një vendi. Bukuritë e natyrës. Bukuritë e atdheut (e vendlindjes). 

4. bised., iron. E keqja më e madhe, e bukura (përdoret me kuptim të kundërt nga ai që ka zakonisht kjo fjalë). Bukuria ishte se...

5. poet. Qenie shumë e bukur, ai ose ajo që shquhet për bukuri trupore dhe për veti të larta shpirtërore.  Bukuria vetë.

Sin: e bukura, hir, hije, hijeshi, stoli, lezet, pashi, nur, estetikë, hirësi.

 

b) Shpjegimi me përshkrim përdoret kryesisht për kuptime që u referohen realieve konkrete, por edhe veprimeve e cilësive që mund të përshkruhen; p.sh.:

 

BUGÁÇ/E,~JA f. sh. ~E, ~ET gjell. Lloj gatese për mëngjes, e përgatitur me tri petë me miell gruri, të lyera midis tyre me gjalpë e të pjekura në furrë, që shërbehet më pas e mëlkuar sërish me gjalpë të shkrirë e të nxehtë brenda në simite a në pite. Bugaçe Elbasani. Bugaçe e butë. Bugaçe e pjekur mirë. Simite me bugaçe. 

 

c) Shpjegimi me përkufizim përdoret kryesisht për kuptimet terminologjike, sipas kërkesave të fushës terminologjike, por me përpunim leksikografik për ta bërë sa më filologjik e më të thjeshtë; p.sh.:

 

BULLÍZ/ËM~MI f. sh. ~A, ~AT psikol. Sjellje a dukuri shoqërore, kur dikush a disa vetë, përmes forcës ose pushtetit të tyre, frikësojnë, dhunojnë, përndjekin ose ushtrojnë trysni në mënyrë të përsëritur ndaj të tjerëve më të dobët se ata, të cilët nuk dinë a nuk mund të mbrohen, duke u shkaktuar atyre pasoja të rënda psikologjike, fizike etj. Bullizëm psikologjik dhunë psikologjike e dikujt, që shkakton stres emocional, ankth, depresion, dëmtim psikologjik etj. te dikush tjetër. Bullizëm fizik dhunë fizike që ushtron dikush ndaj dikujt tjetër për ta dëmtuar atë fizikisht. Bullizëm verbal përdorimi i fyerjeve, i sharjeve, i poshtërimeve etj. ndaj dikujt duke i shkaktuar atij gjendje të keqe emocionale. Bullizëm elektronik shfrytëzimi i rrjeteve sociale në internet duke shpërndarë lajme, foto, mesazhe negative etj. në dëm të dikujt. Bullizëm shkollor sjellje, qëndrime e akte të padrejta ndaj një nxënësi a një grupi nxënësish, që ushtrohen në një mjedis shkollor nga bashkëmoshatarët e tyre ose nga mësuesit. Bullizmi në punë sjellje të rënda në mjedisin e punës nga dikush ndaj dikujt tjetër, si fyerjet, talljet, diskriminimi etj. Bullizëm social sjellje a veprime negative që kanë për qëllim të veçojnë dikë nga rrethi i tij shoqëror a nga shoqëria në përgjithësi. Akte bullizmi. Pasojat e bullizmit.

 

ç) Shpjegimi me sinonim përdoret për fjalë me kufizime të ndryshme (territoriale, historike, ligjërimore etj.) që kanë një sinonim më të përgjithshëm, i vetëmjaftueshëm plotësisht si shpjegim; p.sh.:

 

BULLAMÁÇ/E,~JA f. sh. ~E, ~ET keq. Bullafiqe.

 

d) Shpjegimi me referim përdoret zakonisht për fjalë a kuptime të vjetruara, të huazuara pa nevojë etj., që jepen në Fjalor sipas funksionit informues dhe që, me anë të referimit te fjalë të tjera, shënohet kështu edhe norma e përdorimit; p.sh.:

 

BUFÓN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1.  shih GAZTÓR,~I2, 3.  Bufon i cirkut (i estradës).

2. përb. Njeri qesharak e pa karakter; palaço. Ishte një bufon i mjerë.

3. vjet. Hokatar në oborrin e mbretit; lolo, palaço. 

Sin:  kloun, palaço, karagjoz, hokatar, lolo.  

BUJTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. shih BÚJTËS,~I.

2. Ai që pret miq në shtëpinë e tij, i zoti i shtëpisë. Bujtari ka mjaft miq besnikë.

3. I zoti i bujtinës, bujtinar. 

BULÍR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT shih BUCÉL/Ë,~A1.

 

Është e kuptueshme që, në fjalë shumëkuptimëshe mund të kërkohen tipe të ndryshme shpjegimi për kuptime të ndryshme të fjalës, sipas natyrës së kuptimeve.

Shpjegimet janë përgjithësisht filologjike; të dhënat enciklopedike a historike  përdoren vetëm në raste të domosdoshme dhe kur ndihmojnë për qartësinë e shpjegimit filologjik. Po ashtu, vetë shpjegimet e kuptimeve janë më të gjera për të qenë sa më të plota e të qarta, japin sa më shumë elemente të kuptimit e të nuancave kuptimore, të ngjyrimeve të ndryshme, të veçorive të përdorimit etj., që do të thotë se përmbajnë të shprehur më shumë përbërës kuptimorë (sema); plotësohen edhe shpjegimet sipas kuptimeve të reja, si tek operatór,~i: operatori i shpërndarjes së energjisë; operator turistik etj. Shpjegimet janë sa më të plota, por pa tepri fjalësh të panevojshme, të thjeshta, të ndërtuara drejt sipas normës. Për ndonjë pjesë të shpjegimeve janë shfrytëzuar edhe fjalorët e mëparshëm, por në pajtim me realitetin gjuhësor të sotëm, me atë që jep lënda burimore dhe në pajtim me tipin e fjalorit. Meqë Fjalori zgjerohet me fjalë krahinore, të reja, të huaja etj., të cilat mund të kenë një sinonim më të përgjithshëm a më të njohur, përdoret më dendur, siç u tha, shpjegimi me sinonim. Por edhe kur jepet një shpjegim perifrastik a analitik, jepen sinonimet kryesore të fjalës në atë kuptim, sikundër edhe antonimet e mundshme. Në fjalët e prejardhura e të përbëra shfrytëzohet për shpjegim edhe motivi semantik fjalëformues, d.m.th. përmbajtja reale e gjymtyrëve ose figura gjuhësore sipas së cilës ka lindur kuptimi i figurshëm. Me mënyrat e njohura leksikografike ky motiv bëhet sa më i dukshëm, që të lehtësohet rrokja sa më e plotë dhe sa më e saktë e kuptimit në tërësi. Si strukturat kuptimore, ashtu edhe shpjegimet krahasohen me ato të sinonimeve e të antonimeve të fjalës, të fjalëve të së njëjtës paradigmë (fjalëformuese, leksiko-gramatikore etj.) ose të së njëjtës fushë leksikore. Shpjegime ka edhe për thënie e togje fjalësh që jepen në Fjalor dhe që kanë nevojë për shpjegime të tilla.

Sintagmatika e njësive leksikore, sipas ndërtimit e raporteve të brendshme dhe sipas informacioneve plotësuese që sjell, është më e gjerë dhe udhëhiqet nga të njëjtat kërkesa të fjalorëve që e përdorin atë (plotësimi e qartësimi i përmbajtjes leksikore të fjalëve, zbulimi i vlerave të mbishtresuara që nuk jepen plotësisht nëpërmjet shpjegimeve e shënimeve të posaçme, dëshmimi i përdorimit të fjalëve në ato kuptime në lidhje sintagmatike të ndryshme, me kuptimet gramatikore të mundshme, në fusha të ndryshme të gjuhës ose në situata të ndryshme ligjërimore etj.). Sintagmatika e fjalës jepet me anë të togfjalëshave dhe të fjalive të shkurtra 3-4-gjymtyrëshe (pa shënime për burimin). Pra, shembujt në Fjalor janë vetëm togfjalësha (thënie) ose fjali të shkurtra, më të shumta dhe pa dëshmim të autorit. Thëniet vihen zakonisht kur shprehin nuanca kuptimore e stilistike të holla të fjalës së shpjeguar, lidhje kryesore e specifike të fjalës me fjalë të tjera etj., sikundër është vepruar edhe në fjalorët e mëparshëm shpjegues. Ky tip shembujsh paraqitet në përputhje me normën gjuhësore. Meqë nuk ka shembuj me referim të burimit, paragrafi i thënieve rritet, natyrisht me thënie të nxjerra nga shembujt që japin burimet e lëndës. Kriter i zgjedhjes së togfjalëshave është vlera e tyre dëshmuese semantike, shprehëse-stilistike, gramatikore etj., pa përsëritur njëri-tjetrin; vlerësohet edhe estetika gjuhësore e shprehjes. Jo të gjitha fjalët dhe jo të gjitha kuptimet e një fjale shoqërohen me thënie; kjo bëhet kryesisht për fjalë e kuptime që kanë nevojë për vlerat plotësuese që sjellin këto mjete të sintagmatikës. Shtohen kështu thëniet plotësuese për fjalë kur është e nevojshme. Shënime e shpjegime plotësuese shtohen edhe për përdorimin e fjalës në kuptimin e dhënë në lidhje sintagmatike sipas fushës a situatës ligjërimore.

 Gjatë hartimit të Fjalorit është përfituar nga përvoja evropiane në këtë fushë, janë konsultuar e janë shfrytëzuar fjalorët e mëdhenj të anglishtes, të frëngjishtes, të italishtes, të rusishtes etj., jo thjesht si tipe a modele leksikografike, por edhe si burim lënde e në shpjegime, veçanërisht për terminologjinë ndërkombëtare, për disa fjalë të huaja, për fjalë që shprehin pa farë dallimi të njëjtin koncept etj.

 Zbërthimi e konkretizimi i mëtejshëm i mënyrave dhe i mjeteve të pasqyrimit të makrostrukturës e të mikrostrukturës në Fjalor, në trajtë kriteresh e të teknikës leksikografike për hartimin e fjalorit, përfshirë gjithçka që është ngulitur tashmë në praktikën leksikografike nga tradita shqipe e botërore, janë vlerësuar me përparësi, duke përfituar nga mendimet e gjuhëtarëve e sidomos të leksikografëve të njohur.

 

Zgjidhje modelore në Fjalor

 

Trajtime leksiko-semantike modelore janë bërë për disa klasa a grupe fjalësh. Për të lehtësuar kuptimin e përdorimin e tyre, po japim këtu mënyrën e trajtimit leksikografik të disa grupeve njësish kategoriale.

Emrat e mocionit, si: mësúes/e,-ja f. jepen jo me formulën “fem. e  mësúes,-i m., por me shpjegimin e plotë të kuptimit e me thëniet e veta si emri mashkullor; p.sh.:

 

MËSÚES/E,~JA f. sh. ~E ~ET Ajo që jep mësim në një shkollë nëntëvjeçare a të mesme; arsimtare; mësimdhënëse. Mësuesja e gjuhës (e historisë, e kimisë...). Mësuesja e klasës së parë. Mësuesja kujdestare. Mësuese e dalluar.

 

 

Te kjo fjalë bien disa thënie gjegjëse, që jepen te mësúes,~i m.: Mësues  i Popullit. Ditari i mësuesit. Dhoma e mësuesve. Dita e Mësuesit; saktësohet “...shkollë nëntëvjeçare...” në vend të “...tetëvjeçare...”; bie po ashtu kuptimi 2 i fjalës mësúes,~i m. Këto janë gjithashtu arsye shkencore përse jepen të plotë emrat femërorë që lidhen me emrat mashkullorë.

I njëjti motivim shkencor si për emrat femërorë që vijnë nga emrat mashkullorë përkatës vlen pjesërisht edhe për emërzimet e disa mbiemrave, në strukturën semantike të të cilëve kanë lindur kuptime a nuanca kuptimore të reja, si në vetë emërtimin, edhe në sintagmatikën e tij; p.sh.:

 

BÚKUR,⁓I (i) m. …. I bukuri i unazës.

 

Përgjithësisht për emra prejfoljorë të veprimit me prapashtesat -im, -je përdoret një formulim tipologjik, që përmban kuptimin e funksionin e veprimit sipas foljes / foljeve nga formohen, jo veprim si proces, sikurse e ka folja, po veprim të substantivuar; p.sh.:

 

LÁRJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur laj dikë a diçka a kur lahem…

 

Në rastet kur ky shpjegim nuk është i përshtatshëm a i mjaftueshëm, plotësohet duke përdorur mënyra të tjera të shpjegimit, si: perifrazimi, përshkrimi, sinonimia etj., a plotësime të nevojshme në shpjegim.

Me një formulim tipologjik shpjegohen edhe emrat asnjanës në kuptimin e veprimit; p.sh.:

 

FÓLUR,~IT (të) as. 1. Aftësia për të folur…

2. Veprimi kur flasim…

 

Ngjashmërisht me mënyrën e shpjegimit të kuptimit të veprimit jepet me një formulim tipologjik edhe kuptimi i gjendjes te fjalët që kanë kuptim të tillë; p.sh.:

 

MPÍRJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur mpij dikë a diçka ose kur mpihem…

2. Gjendja kur dikush a diçka është mpirë…

 

Pas këtyre kuptimeve vihen e shpjegohen kuptimet konkrete, si te SHKRIM,~I kuptimet për “kaligrafi” ose për “diçka e shkruar…” (artikull, studim…) etj.

 

Paraqitja e termave Fjalor. Në sistemin e njësive gjuhësore, siç dihet, termat janë fjalë ose togfjalësha. Termat fjalë jepen në Fjalor si të gjitha fjalët e tjera, të përzgjedhur sipas kriterit të përdorimit. Dihet gjithashtu që sot kufijtë e terminologjisë janë zgjeruar shumë, si nga vëllimi i njësive terminologjike, ashtu edhe nga shtrirja e denduria e përdorimit. Shumë terma kanë kapërcyer kufijtë e ngushtë të fushës së tyre terminologjike dhe janë pjesë e përditshme e ligjërimeve të shumë shtresave shoqërore. Si shembull mund të përmendim termat që lidhen me kompjuterin ose me telefonin celular, që njihen e përdoren edhe nga nxënës të shkollave parauniversitare e shumë të tjerë. Në këtë mënyrë kanë fituar statusin e domosdoshëm të përfshihen edhe në fjalorë shpjegues të përgjithshëm.

Termat togfjalëshorë, me të njëjtin kriter përzgjedhës, jepen në kuptimet përkatëse të fjalëve kryesore që i përbëjnë.

Mbiemrat prejpjesorë shpjegohen lidhur me foljet përkatëse, duke shtuar shpjegime plotësuese, kur ndihet e nevojshme; p.sh.:

 

BRUMÓSUR (i, e) mb. 1. Që është brumosur, i gatuar, i ngjeshur.

2. Që është zbrujtur, i brumëzuar.

3. fig. I përgatitur dhe i formuar mirë si njeri i zoti e me cilësi të larta; që ka përvetësuar mirë një teori, një sistem konceptesh; i kalitur, i formuar. Njeri i brumosur (teorikisht). Të përgatitur e të brumosur për të drejtuar.

Sin: i gatuar, i ngjeshur, i ngjizur, i mbrujtur, i brumëzuar, i zbrujtur, i zbutur, i tutëluar, i zbrumur, i squllur, i squllët, i ndulkur, i sqaqur, i përgatitur, i formuar, i gatuar, i kalitur.

 

Emërzimet e mbiemrave: Kur mbiemrat mund të emërzohen në situata ligjërimore të ndryshme, pa fituar ende mëvetësinë e një termi a të një njësie të ngulitur, jepen në kuptim të veçantë brenda strukturës kuptimore të mbiemrave përkatës, në një kuptim të veçantë, me formulimin tipologjik, sipas rastit: si em. m. e f. Sipas kuptimit / kuptimeve të mbiemrit / si em. m. Sipas kuptimit / kuptimeve të mbiemrit / si em. f. Sipas kuptimit / kuptimeve të mbiemrit; p.sh.:

 

BARKBÚALL mb., shar. 1. Që e ka barkun të madh si të buallit.

2. si em. m. Sipas kuptimit të mbiemrit.

BOJALLÉSHË mb., bised. 1. Që ka shtat të lartë e të hedhur, shtathedhur, bojallie. Vajzë (grua) bojalleshë.

2. si em. f. Sipas kuptimit të mbiemrit.

BULLAFÍQ,~E mb. 1. I shëndoshë nga trupi e i mbushur në fytyrë; i fryrë e jo i hijshëm; kund. i hajthëm. Fëmijë bullafiq. Me fytyrë bullafiqe. 

2. bised. Që i është fryrë barku nga të ngrënët; i barkosur, i urgusur. Me barkun bullafiq.

3. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit.

 

Pra, për ta shpjeguar me shembullin e fundit, te kuptimi përmbahen dy “fjalë të fshehta”, që janë emërzime të mbiemrit përkatës: Emri i gjinisë mashkullore BULLAFÍQ,~I m. sh. ~Ë, ~ËT dhe BULLAFÍQ/E,~JA f. sh. ~E, ~ET, të dyja me strukturë kuptimore sipas kuptimeve e të mbiemrit BULLAFÍQ,~E.

Ndajfoljet me prapashtesën -azi jepen veç dhe me shpjegim vetëm me ndajfoljen me prapashtesën -as; p.sh.:

 

BRÍNJAS ndajf. 1. Nga ana e brinjëve, në krah, në brinjë. Bie brinjas. Eci brinjas. Filloi të zvarritej brinjas. 

2. Në anë të diçkaje, anash, përanash. Një pjesë e rrugës kalonte brinjas.

3. Për së gjati dikujt a diçkaje, jo drejtpërdrejt, tërthorazi. Kthej brinjas. Vështron brinjas. Dyshemeja kishte vajtur brinjas.

4. fig. Duke e prekur pak; në mënyrë të cekët, përciptas, kalimthi. Është prekur brinjas kjo temë. E përmendi brinjas. Vetëm një herë e kishte parë brinjas në rrugë. I ra çështjes brinjas.

5. Duke u kapur nga mesi a nga brinjët (kur munden dy vetë). U kapën brinjas. E përfshiu brinjas dhe e hodhi për tokë.

6. Cingëlthi. Luaj brinjas.

Sin: anazi, anash, përanash, anësisht, përbri, bërrylas, përskaj, skiç, ijas, mëkrahëzaj, tërthoras (tërthorazi), kërthazi, pjerrtas, pjerrtazi, mënjanë, shtrembër, këlliç, (për së) kithi, paksa, kalimthi, përciptas, shkaras (shkarazi), shpejt, kapërcimthi, kaluarthi, rrëshqitthi, rrëshqitas, cekët, tranzit, gomarthi, gomarazi, cingëlthi, cinglash, cinglazi, cinglapjekthi, brinjas, brinjazi.

BRÍNJAZI ndajf. Brinjas.

 

Togfjalëshat e qëndrueshëm jofrazeologjikë jepen brenda kuptimeve të fjalëve kryesore, me shkronja të vogla italike, me shënimin në kllapa për fushën e përdorimit. Përgjithësisht, ata shpjegohen te gjymtyra e parë, kurse te gjymtyra tjetër jepen pa shpjegim, por me shënimin për fushën e përdorimit; p.sh.:

 

TUNÉL,~I m. sh. ~E, ~T 1. ...Tunel panoramik (ndërt.) tunel betoni, pa gërmime nëntokësore, me hapësira drite nga njëra anë gjatësore e tij, i cili mbron rrugën nga rrëshqitja e gurëve dhe e dherave. Tuneli panoramik i Pogradecit

 

Te fjala PANORAMÍK,~E jepet vetëm: Tunel panoramik (ndërt.).

Po kështu: kurs valutor (fin.), lirim me kusht (drejt.) etj. 

 

Sinonimet, kur janë pjesë plotësuese e shpjegimeve, jepen te shpjegimet përkatëse me shkronja normale e të ndara me presje. Kur kanë ndonjë nuancë të hollë kuptimore ose mbishtresore, ndahen me pikëpresje.

Vargu sinonimik jepet si paradigmë leksikore, si pasuri e fjalës që shpjegohet. Aty përfshihen të gjitha sinonimet e të gjitha kuptimeve, pa shpjegime e pa regjistrin gjuhësor (që i kanë në rendin e tyre). Në fillim vihen sinonimet e plota, më të përgjithshme (nëse ka), pastaj sinonimet e pjesshme, të renditura sipas peshës semantike, shtrirjes në përdorim, burimit (shqip / e huazuar) etj. Në varg vihen vetëm sinonimet njëfjalëshe; sinonimet frazeologjike a perifrastike nuk përfshihen këtu.

Sinonimet jepen me italike bold, me shkronja të vogla e të ndara me presje. Në fund të vargut vihet pikë. Vargu sinonimik vihet në kryeradhë, me simbolin përkatës, në fund të strukturës kuptimore, para paragrafit të frazeologjisë; p.sh.:

  

MËRZÍT (MËRZÍS) vep., ~A, ~UR kal. 1.  Më bën të humb qetësinë dhe durimin sepse nuk kam asgjë interesante për të bërë. Mungesa e festave e mërziti. Jeta në fshat nuk na mërziti.

2. E lodh me veprime të përsëritura, që vazhdojnë për një kohë të gjatë ose që janë pa interes (duke folur pa pushim, duke bërë shumë pyetje, kërkesa, ankesa, qortime etj.), i shkaktoj mërzi. Pritja e gjatë më mërziti. E mërziti babain me pyetje. 

3. E bëj të humbasë paqen dhe lumturinë, e trazoj, e shqetësoj, i shkaktoj mërzi dikujt, i jap mërzi. Vëlla, kaq fort të paska mërzitur ty vuajtja që më flet kështu? Humbja e garës na mërziti. Kritika e mërziti.

Sin.: lodh, shqetësoj, trazoj, trishtoj, bezdis, brengos, veremos, ënjt, fryj, turbulloj, vel.

 

MËRZÍT/EM jovep., ~A (u), ~UR vetv. 1. Humb qetësinë dhe durimin sepse nuk kam asgjë interesante për të bërë, ndiej mërzi, kam mërzi, më vjen mërzi. .......

Sin.: lodhem, shqetësohem, trazohem, trishtohem, bezdisem, brengosem, veremosem, ënjtem, fryhem, turbullohem, velem.

 

 

Frazeologjia në Fjalor

 

Frazeologjia gjuhësore, si korpus njësish togfjalëshore, trajtohet në këtë fjalor krejt ndryshe nga fjalorët e mëparshëm shpjegues të gjuhës shqipe, e grupuar e në një paragraf të veçantë në fund të strukturave kuptimore të fjalëve, pas vargjeve sinonimike, për t’u dhënë më shumë hapësirë shpjegimeve për kuptimet, për ngjyresat mbishtresore dhe për përdorimin e tyre në ligjërim, jo vetëm si njësi shënuese, si fjalët, por edhe si njësi me shprehësi të veçantë nëpërmjet nuancave të holla të figurshmërisë, nuanca vlerësuese, emocionuese, ligjërimore etj., që nuk jepen brenda kuptimeve përkatëse të fjalëve. Prandaj këtu po e trajtojmë veçan e gjerësisht.

 Korpusi frazeologjik (KF) u ndërtua dhe u hartua sipas kërkesave të Projektit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për hartimin e FMGJSH. Ai u mbështet së pari te “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe” (2010), nga i cili u përzgjodhën si frazema e u përpunuan nga ana frazeografike rreth 9000 njësi frazeologjike (njf), në përshtatje me tipin e  FMGJSH; ky korpus u plotësua më tej me përzgjedhjen e mbi 2000 njf të tjera si frazema nga kartoteka ad hoc e frazeologjisë, e cila përmban rreth 40.000 njf, në mbi 80.000 skeda elektronike shembullzimi, të vjela nga fjalorët shpjegues të përgjithshëm, krahinorë e frazeologjikë (njëgjuhësh e dygjuhësh), nga botimet me lëndë frazeologjike në periodikë të ndryshëm, nga vepra të shkrimtarëve më të njohur shqiptarë e nga përkthime, nga publicistika, nga krijimtaria gojore popullore etj. KF, nga ana frazeografike, u hartua sipas kritereve të “Udhëzuesit për frazeologjinë në FMGJSH”.

KF, gati dyfishi i frazeologjisë së përfshirë në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (1980), përmban: fjalë tituj – 3243 (pra, po kaq paragrafë frazeologjikë); njësi frazeologjike të shpjeguara – 12.500; njësi frazeologjike me referime (me shih…) – 1880; njësi frazeologjike me referim (me asterisk) – 13.328.

 KF mëton që lënda frazeologjike e përzgjedhur nga fondi idiomatik i gjuhës shqipe dhe i trajtuar frazeografikisht për FMGJSH të jetë sa më përfaqësuese për një vepër të tillë madhore. Gjatë punës për hartimin e redaktimin e Fjalorit, hartuesit e redaktorët kanë bërë plotësime, heqje a ndryshime të domosdoshme.

 KF përfshin (rreth 95 për qind të vëllimit) njf të mirëfillta, pra frazeologji gjuhësore, të cilat, sipas një përkufizimi të përgjithshëm, nga forma kanë një strukturë të hapur me dy ose më shumë leksema, nga përmbajtja janë me kuptim të njësuar, tërësor e të figurshëm dhe nga funksioni (ose nga kuptimi kategorial) janë barasvlerëse të fjalës në rrjedhën e ligjërimit. Por, ndërkaq, në KF janë përfshirë e janë trajtuar frazeografikisht edhe disa shtresa të tjera të idiomatikës së shqipes.

 Së pari, nga e ashtuquajtura “frazeologji letrare”, siç janë proverbat e fjalët e urta. Dihet se as proverbat dhe as fjalët e urta nuk mund të jenë prototipe të njësive frazeologjike, por, nëpërmjet reduktimit ose fragmentarizimit në përdorimin ligjërimor, prej tyre mund të përftohen, sidomos nga proverbat, njësi frazeologjike (p.sh., nga proverbi ujku qimen e ndërron, po zakonin e vjetër s’e harron ka dalë njësia frazeologjike ka ndërruar qimen). Të tilla “frazeologjizime” janë të natyrshme në ligjërimin e folur a në letërsinë artistike, si: E bën vreshtin me urata (dikush) “do ose mburret që ta arrijë a ta fitojë diçka pa punuar, duke pritur e duke shprehur dëshirën e vet me lutje e urime” (nga: s’bëhet vreshti me urata, po me shata e lopata); Sipas vendit bën kuvendin (dikush) “di të përshtatet me rrethanat, sillet e vepron si të jetë mjedisi shoqëror, bën sipas rastit, si të shkojë puna a muhabeti” (nga: sipas vendit bëhet kuvendi) etj. 

Proverbat e disa fjalë të urta i afron me frazeologjinë gjuhësore figurshmëria dhe qëndrueshmëria e strukturës, por dallohen qartë prej saj, se kanë strukturë fjalie dhe shprehin gjykim, pra kanë edhe kuptim e funksion fjalie, si: Syri plot e dora thatë “ndonëse përreth ka me shumicë nga të gjitha gjërat, dikush nuk ka mundësi të shtjerë në dorë diçka për vete”; Sheh molla mollën e piqet / Sheh rrushi rrushin e piqet “thuhet kur dikush ndjek shembullin e një tjetri, vepron nën ndikimin e të tjerëve, siç sheh bën, merr veset a virtytet e tyre”; Kusia mbi prush e thëllëza në fushë Peshku në det e tigani në zjarr / Djali pa lerë e djepi blerë / Lepuri në mal e kusia në zjarr iron. “thuhet kur përfundimi a sigurimi i diçkaje është ende larg, kur një punë s’është kryer, ndërsa dikush kërkon para kohe të gëzojë të mirat e saj; është tepër herët për të bërë diçka, sepse mungon ende ajo që duhet” etj. 

Së dytinë KF përfshihen edhe disa ndërtime të afërta me njf ose me prirje drejt tyre, që janë karakteristike për thjeshtligjërimin, si disa urime e mallkime: me këmbë të mbarë!; paç faqen e bardhë! (ur.); thefsh qafën!; mos të rëntë në bark!; të bëfsha (të hapsha) gropën! (mallk.); formula betimi për dritën e syve!; më plaçin sytë!; pres qafën! (bet.); eufemizma iu njom barku (euf.) “lindi fëmijë nusja e shtëpisë, nuk mbeti pa fëmijë”; e bukura e minjve (euf.) “nusja e lalës” etj.

Së treti, disa ndërtime të veçanta që nuk përkojnë me strukturat e zakonshme të njf dhe kanë ngjyrim të theksuar emocionues, si: kjo kockë e di! “unë vetë që kam hequr e di, vetëm unë e di si është puna; unë kam vuajtur, jo tjetërkush; s’do ta harroj kurrë ç’kam hequr”; aty më rri! “ndalu në atë çështje, mos u largo nga ajo pikë; ajo ka rëndësi, dole aty ku duhet, e the tamam; këtu të dua”; topat të bien! “sado zhurmë e madhe të bëhet (për dikë që e zë gjumi dhe nuk zgjohet nga zhurmat a që nuk dëgjon)” etj.

 Së katërti, një vend të veçantë në KF zënë edhe kalket frazeologjike sipas modeleve të gjuhëve të tjera, me burim nga fusha të ndryshme të diturisë, të cilat dallohen zakonisht me shkurtesën libr., si: dele e zezë libr. keq. “njeri i keq a që ka bërë një turp të madh e njihet si i tillë nga të gjithë; njeri në një rreth shoqëror, që e veçojnë nga të tjerët si të keq e që duhet dënuar a duhet përbuzur”; gjethe fiku libr. “diçka e sajuar që përdoret më kot për të fshehur një gjë të vërtetë a që njihet ose për të mbuluar një turp a një poshtërsi”; stuhi (furtunë, shtrëngatë) në gotë të ujit iron. libr. “zhurmë e kotë e pa pasoja që bëhet për diçka; kërcënim i kotë e pa rrezik i dikujt” etj.

 Së pesti, në KF përfshihen disa terma togfjalëshorë dhe disa emërtime të pathjeshta, që mund të jenë me kuptim të drejtpërdrejtë e të motivueshëm qartë (si: qendra e rëndesës, pesha atomike, truri i vogël, poli i Veriut etj.) dhe me kuptim të figurshëm, të pamotivueshëm drejtpërsëdrejti nga kuptimi i gjymtyrëve (si: Kashta e Kumtrit, ballë kazani “rakia e parë” etj.).

Burimet më të pasura të njësive frazeologjike janë ligjërimi i folur popullor, krijimtaria gojore popullore e letërsia artistike shqipe dhe e përkthyer e të gjitha gjinive. Kuptohet që, për shkak të formimit të lashtë historik e popullor, shumë njësi frazeologjike lidhen me sende a me dukuri fshatarake të dikurshme. Lënda frazeologjike e KF vjen nga ligjërimet e folura popullore të të gjithave trevave të gjuhës shqipe, nga folklori shqiptar e i përkthyer (përralla, rrëfenja, fjalë të urta e proverba, këngë historike, legjendare e lirike, cikli i kreshnikëve etj.).

 Përveç burimeve të drejtpërdrejta nga kartotekat e leksikut të gjuhës shqipe, nga kartoteka e posaçme për FMGJSH, nga vjeljet e veprave të autorëve, nga publicistika, nga ligjërimi i folur, nga folklori etj., janë shfrytëzuar edhe disa fjalorë krahinorë për njësi frazeologjike që nuk i përmban “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe” (2010), si: Pano Tase, Fjalor dialektor (me fjalë e shprehje nga Jugu i Shqipërisë), 2006; Mehmet Gjevori, Frazeologjizma të gjuhës shqipe, 1972; Sulejman Drini etj., Fjalor fjalësh e shprehjesh popullore, 1982; Niko Mustaka, Shprehje popullore nga rrethi i Korçës, 1989; Jani Nushi, Fjalë popullore nga Myzeqeja, 1991; Abdyl Sulaj, Fjalor fjalësh dhe shprehjesh popullore, 2009; Qemal Murati, Fjalor i fjalëve dhe i shprehjeve nga trojet e shqipes të Maqedonisë, 2015; Qemal Murati, Fjalor i fjalëve dhe i shprehjeve të Kosovës, 2018; Petrit Zeneli, Fjalor me fjalë e shprehje të rralla, 1999; Valter Memisha, Emërtime kafshësh në Labëri (frazeologjia), 2001; Haredin Xhaferi, Fjalor me fjalë e shprehje të botës bimore e shtazore të Skraparit, 2007; Mevlud Buci, Fjalor me shprehje e njësi frazeologjike nga Dibra, 2008; Muzafer Xhaxhiu, Fjalë e shprehje nga qyteti i Gjirokastrës, 2011; Antonio Bellushi, Fjalor frazeologjik i shqiptarëve të Italisë e të Greqisë, 1989; Ali Jashari, Fjalor me shprehje të huazuara në gjuhën shqipe, 2007; Ali Jashari, Fjalor leksiko-frazeologjik i Devollit, 2016; Hajri Shehu, Fjalor me fjalë e shprehje popullore nga e folmja e Ujemujës (Qarku Dibër), 2017; Petrit Basha, Fjalor me fjalë të rralla, shprehje frazeologjike e fjalë të urta nga rrethi i Gramshit, 2020; Shpresa Ismajli, Fjalë dhe njësi frazeologjike nga rajoni i Llapit, Prishtinë, 2018 etj.

 Janë shfrytëzuar edhe disa studime ose fjalorë për autorë me frazeologji të pasur (pjesët për frazeologjinë), si Gjergj Fishta, Faik Konica, Ali Asllani, Jakov Xoxe, Martin Cama, Dritëro Agolli, Mitrush Kuteli, Sotir Andoni, Vath Koreshi etj.

 Nga këto burime të lëndës janë vjelë:

 - Njësi frazeologjike që nuk janë te “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe” (2010) dhe që janë gjykuar të vlefshme për t’u përfshirë në FMGJSH;

- njësi frazeologjike me variante njësish leksikore a fjalëformuese sinonimike, që nuk janë te “Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe” (2010) dhe që janë gjykuar të vlefshme për t’u përfshirë në FMGJSH; 

 - njësi frazeologjike që janë në “Fjalorin frazeologjik i gjuhës shqipe” (2010), por me kuptim a nuancë tjetër kuptimore, mbishtresore a stilistike, me shpjegime më të plota a me përbërës semantikë plus; fjalë të urta e proverba të frazeologjizuara etj.

KF paraprihet nga disa shpjegime e shënime udhëzuese. KF është ndërtuar në formën e paragrafëve frazeologjikë, ku renditja e njf brenda paragrafit të një fjale titull (quhet kështu çdo gjymtyrë-vatër kuptimore ku bëhet shpjegimi i njf ose çdo fjalë tjetër ku njf referohet me asterisk) bëhet sipas rendit alfabetik të gjymtyrës së parë të njf. Paragrafi frazeologjik në këtë KF vihet në fund të strukturës kuptimore të fjalëve përkatëse – paragraf i veçantë i paraprirë nga një shenjë bold (♦ - romb). Brenda strukturës kuptimore të fjalëve nuk ka njf, sepse, përveç anës praktike për përdorimin nga lexuesi, kështu ato konceptohen më mirë si njësi gjuhësore emërtuese e jo thjesht ilustruese të kuptimeve të veçanta, gjithashtu krijohet hapësirë më e madhe për strukturat kuptimore e për shpjegimet e tyre; p.sh.:

 

DUSH/K,~KU m. sh. ~QE, ~QET 1. bot. Dru i lartë pyjor me kurorë të dendur, me gjethe të shumta e të dhëmbëzuara, që lidh lëndë mjaft të fortë e të rëndë; emërtim i përgjithshëm i disa llojeve drurësh që kanë tipare të tilla të afërta (si p.sh., rrënja, bunga, qarri, shpardhi, valanidhi etj.); lis. Dushk i ri. Gjethe (degë, dru, lëndë) dushku. Prush (hi) dushku. Pyll me dushqe.

2. Lënda e këtij druri që përdoret për ndërtim, për të bërë orendi etj. Dollap dushku. Qymyr dushku.

3. përmb. Degë të vogla me gjithë gjethe, të prera prej këtij druri, që grumbullohen për dimër si ushqim për bagëtinë. Mullar me dushk. Preu (bëri, vuri) dushk.

4. krahin., vet. sh. Gjethet që mbështjellin kallirin e misrit, lëpushkat e misrit.

5. krahin. Duhan vjeshtak shumë i butë. Dushku i vjeshtës.

 ♦ *Ashkë duku (lisi, ahu). I bën dushku *arra (dikujt). Çau dushkun (dikush) shih çau ferrën (dikush). Sa dushk e bar shumë, pa masë; sa bari i tokës; sa rëra e detit. Flet për *gogla dushku në lëmë (dikush). Ia fut dushk (dikush) tall. flet pa u menduar mirë, flet kot; ia fut katundit. I dha dushkun (dikujt) shih i dha duart (dikujt). S’më laget dushku (për dikë a për diçka) nuk shqetësohem fare për diçka, nuk bëhem merak; s’më lagen drutë; s’më bëhet vonë; nuk më ftohet pilafi; nuk më ftohen fasulet thjesht. Ka mbetur në dushk (dikush) keq. është i prapambetur, është jashtë kohës; është prapa botës, i ka mbetur ora (dikujt). Mbjell në dushk (dikush) nuk punon ashtu si duhet, nuk bën punë të pastër; (punon) shkel e shko. *Pushkë në dushk. (Shkoi) dushk për gogla (diçka). 1. Shkoi kot, s’vlejti për asgjë; (shkoi) për dhjamë qeni. 2. iron. Shkoi me të hedhur, pa humbur e pa fituar gjë.

 

Siç shihet, paragrafi frazeologjik ka edhe njf, ku njëra gjymtyrë shenjohet me asterisk (*); p.sh.: I bën dushku *arra (dikujt), - çka do të thotë se njf gjendet e shpjeguar te gjymtyra (fjala titull) arr/ë,~a. Referimi me asterisk bëhet tek ajo gjymtyrë që është e domosdoshme si për strukturën formale, ashtu edhe për strukturën semantike të njësisë frazeologjike. Te gjymtyra e referuar me asterisk zbulohen a plotësohen gjithashtu përmbajtja kuptimore e figurshme dhe e mbishtresuar (ligjërimore, stilistike e emocionuese) e asaj fjale, aftësia e gjerësia frazeoformuese, leksematika e sintagmatika dhe vlera të tjera që e karakterizojnë fjalorin si vepër shkencore, përtej vlerave praktike.

Ndër përbërësit e paragrafit frazeologjik po përmendim:

Fjala titull e cila del në dy raste:

Së pari, kur kjo fjalë është përgjithësisht gjymtyrë organizuese (vatër) në njësinë frazeologjike, fjala që mbart peshën kryesore të vlerave të ndryshme të kësaj njësie. Përcaktimi i gjymtyrës vatër është i lidhur drejtpërdrejt me tipin strukturor të njësisë frazeologjike, madje edhe me njësi frazeologjike të veçanta. Në disa njësi frazeologjike gjymtyra vatër përputhet me fjalën që mbart thelbin e kuptimit frazeologjik, në disa të tjera përputhet me fjalën që i jep karakterin frazeologjik (të figurshëm a idiomatik) strukturës së dhënë, pra, mbart idiomatikën, në një grup të tretë me fjalën e parë emërtuese dhe në një grup të katërt me të dyja a me të tria gjymtyrët e njësisë frazeologjike etj. Përcaktimi i gjymtyrës vatër në njësitë frazeologjike mbështetet në tri parime kryesore, që ndërthuren ndërmjet tyre: parimi semantik, parimi strukturo-gramatikor dhe parimi thjesht leksikor.

Së dyti, kur njf referohet te gjymtyrë të tjera me asterisk te gjymtyra vatër (shih paragrafin e mësipërm me fjalën-titull dushk).

Trajta përfaqësuese e njf ose forma bazë dhe seria e formave ose e varianteve të tjera janë njësoj të domosdoshme për të veçuar njësinë frazeologjike, që do të thotë për të përcaktuar identitetin e saj. Nëpërmjet serisë së formave (të formave paradigmore) e të varianteve strukturore sinonimike mund të vendoset për formën bazë, për kufijtë e njësisë frazeologjike, për kuptimin e saj etj. Me rëndësi është që seria e formave dhe e varianteve strukturore sinonimike të hedhë dritë në dy drejtime të rëndësishme për njësinë frazeologjike: për rrugët e formimit të saj dhe për ligjësitë e përdorimit në ligjërim. Ndryshe nga fjalët, “trajtat përfaqësuese” të njësive frazeologjike nuk jepen sipas kriterit të sistemit gjuhësor, por sipas kriterit të dominantes në ligjërim (f.v., gjymtyrët foljore jo doemos në mënyrën dëftore, në kohën e tashme e në vetën e parë; p.sh.: iu pre goja, japim e marrim, dhashë e mora etj.).

Çdo njësi frazeologjike brenda paragrafit frazeologjik jepet e plotë në vendin e vet sipas rendit alfabetik të gjymtyrëve shënuese, pa marrë parasysh numrin e tyre, d.m.th. edhe renditja e njësive me një leksemë bazë bëhet sipas rendit alfabetik të gjymtyrëve shënuese (pa i ndarë në blloqe dygjymtyrëshe, tregjymtyrëshe, shumëgjymtyrëshe); p.sh.: Më bëjnë sytë. / Ma bën me sy (dikush a diçka). / Bëra (mora) një sy gjumë. / Bie në sy. / Më ranë sytë (për dikë a për diçka). / Më ra në sy (dikush a diçka). / I ra me sy (diçkaje)…

Kur gjymtyrët shënuese janë të njëjta për dy njësi frazeologjike, atëherë për renditjen merren parasysh fjalët e tjera të strukturës, si edhe gjymtyrët fakultative.

 Fjalët e mikrokontekstit ose gjymtyrët fakultative vihen me shkronja të tjera (normale) e në kllapa; p.sh.: Bën (thotë) amin (për çdo gjë). / (Është) kripë derri (dikush). / (Ia di, ia njoh) zorrët e barkut (dikujt). / (E njoh) me dhëmbë e (me) dhëmballë (dikë). / Më dhembin sytë (kur e shoh dikë a diçka)…

 Në kllapa vihen edhe gjymtyrët plotësuese të njësisë frazeologjike, si edhe gjymtyrët e variantit; p.sh.: Vë (vesh, ngjesh) dy breza (dikush). / Bëj hapa (një hap) përpara. / Matet me hijen e mëngjesit (e mbrëmjes) (dikush). / Më doli nga hundët (për hundësh) (diçka). / Gjithë (tërë) hundë (hundë e buzë)…

 Të gjitha variantet gramatikore që vijnë nga kategoritë gramatikore të gjymtyrës emërore, kur janë të përgjithshme, vihen në kllapa; p. sh.: Ta nxjerr nga syri (nga sytë, prej syrit) (diçka). / Fut hundët (hundën) (dikush). / I mbylli derën (dyert). 1. (dikujt)…. / I qan syri (i qajnë sytë) (për dikë a për diçka)…

 Variantet me lidhje sintaksore të ndryshme nga dominantja vihen në kllapa katrore; p.sh.: Jap besën [i jap besën (dikujt)]. / I mblodhi leckat (dikush) [ia mblodhi leckat (dikujt)]

  Kur gjymtyrët vatër të njf janë homonime, ato vihen sipas kuptimeve të fjalëve homonime, p.sh.:

 

BÓJ/Ë,~AI   f. … (ngjyrë)… 

♦ U bë bojë (dikush) u prish në fytyrë, u pre e u nxi në fytyrë nga një lajm i papritur, nga zemërimi, nga frika etj.; i iku boja.  I ra boja *përtokë (dikujt). I doli boja (dikujt a diçkaje) keq. 1. U zbulua se kush ishte a çfarë ishte, iu zbulua fytyra e vërtetë, iu hoq ajo që mbulonte të metat e dobësitë, doli në shesh si është në të vërtetë; i doli kallaji; i doli bakri. 2. I iku vlera, u vjetrua, doli jashtë përdorimit; humbi emrin e mirë ose nderimin nga të përsëriturit e dendur; u bë bozë; u bë bajat. 3. S’ka më pikë turpi; i ka plasur cipa (e ballit). I iku boja (dikujt) u zverdh e u shpërfytyrua (nga frika, nga turpi etj.); u bë bojë; i iku (iu prish) çehrja; kund. i erdhi boja (në vend). I jap një bojë (diçkaje) e zbukuroj nga jashtë, e lustroj për të fshehur thelbin e vërtetë; i vë bojë. S’merr bojë (diçka) nuk është mirë të veprohet në atë mënyrë, nuk ka hije ashtu; prapëseprapë e keqja nuk zbukurohet dot. U nxi me bojë (dikush). 1. E zuri e keqja, e gjeti e zeza, i ra një fatkeqësi e madhe. 2. U turpërua keq, u bë me turp; iu nxi faqja. Ia nxori bojën (dikujt) keq. e zbuloi se kush është, ia nxori të palarat në shesh, ia zbuloi fytyrën e vërtetë para të gjithëve; ia nxori kallajin; e bëri për një lek (dikë); e uli (e rrëzoi) përtokë (dikë); ia grisi cipën; s’i la din e iman thjesht. I shuari (i nxiri) me bojë! i shkreti!, i mjeri!, fatkeqi ai! *Tartakut me bojë. Pa u tharë boja libr. pa kaluar shumë kohë, shpejt, menjëherë (për punë që bëhen pas një vendimi). I vë bojë (dikujt a diçkaje). 1. Ia prish përshtypjen e mirë që kanë të tjerët për dikë a për diçka, ia mbuloj vlerat, bukurinë etj.; e fëlliq, e njollos; i vë njollë. 2. Ia mbuloj të metat e dobësitë para të tjerëve, ia fsheh me një cipë duke i përligjur; i jap një bojë. Iu vë *njollë me bojë (dikujt). Një bojë e ikte, një bojë i vinte (dikujt) ishte në gjendje shumë të vështirë, nuk dinte nga t’ia mbante a çfarë të thoshte; u turpërua shumë; i ra boja përtokë; i iku boja; e ndien veten ngushtë. I erdhi boja në vend (dikujt) e mblodhi veten, erdhi në gjendje normale (pas një frike etj.); i erdhi çehrja në vend; kund. i iku boja… 

BÓJ/Ë,~AII f. (shtat)…

♦ S’dua t’ia shoh bojën (dikujt) e kam marrë inat dikë ose nuk më pëlqen fare diçka, aq sa nuk dua të më dalë përpara; më ngjall neveri; s’e duroj dot, e përbuz; nuk e shoh dot me sy (dikë); nuk dua t’i shoh sytë; e kam halë në sy (dikë). Nuk i duket (i humbi) boja (diçkaje) nuk shihet ose nuk gjendet më asgjëkundi, u zhduk; u zhduk (humbi) pa lënë gjurmë (diçka); s’i duket (s’i gjendet) binaja thjesht. Hedh (lëshon) bojë (dikush) rritet, zgjatet në trup; hedh (lëshon) shtat; hedh hije. S’ia kam parë bojën (dikujt) mospërf. s’e di ku është, s’është dukur më; s’më ka dalë përpara. Mos ia pafsha bojën! mallk. u zhduktë e mos e pafsha më me sy!, mos më daltë përpara!...

 

Në KF dallohen veçmas në trajtën përfaqësuese edhe njësitë frazeologjike homonimike, të cilat kanë përbërje gjymtyrore e strukturë të njëjtë dhe kuptime leksikore aq të ndryshme e të dallueshme, sa nuk mund të merren si kuptime të së njëjtës njësi frazeologjike polisemantike; p.sh.: Merr erëI (diçka). 1. Qelbet, prishet, bie erë të keqe; merr amë. 2. Bëhet e ditur diçka, mësohet prej të gjithëve; nuk është më e fshehtë, zbulohet sheshit e përhapet; ka filluar t’i dalë nami i keq; e përflasin; i vjen era (diçkaje); merr amë… Merr erëII (nga diçka) e njeh diçka; e kupton, di ta bëjë a ta përdorë; ka njohuri për diçka; merr amë (nga diçka); merr vesh; ka haber bised.… E merr eraI (dikë). 1. Është fare i dobët e me trup të lehtë; s’mbahet dot më këmbë. 2. Nuk është i qëndrueshëm në bindje e në fjalë, lëkundet shpejt; ndjek një rrugë të rastësishme… E merr eraII (diçka) shkon kot; nuk zë vend; zhduket pa lënë gjurmë; nuk ngjit ose harrohet shpejt…

Fjalët e valencës shërbejnë për plotërinë e qartësinë e njf. Për njësitë frazeologjike nuk vihen shënime gramatikore të posaçme si për fjalët, por, megjithatë, jepen disa shtojca në shpjegimet, që ndihmojnë për të kuptuar kategorinë leksiko-gramatikore, lidhjet sintagmatike, fushën e përdorimit etj. Këto karakterizime plotësohen edhe me fjalët e valencës (dikush, diçka etj.), me trajtat e shkurtra përemërore, me gjymtyrët fakultative të pasvendosura; p.sh.: E mbylli derën (dikush) vdiq pa lënë njeri pas... Ia mbylli derën (me ferrë) (dikujt) i bëri gjëmën, e la pa njeri, e shoi krejt, e fiku me tërë familjen, e mjeroi... I mbyll derën (dyert). 1. (dikujt). Nuk e qas më në shtëpi... 2. (dikujt a diçkaje). I sjell pengesa të mëdha... 3. (diçkaje). Ndaloj përhapjen e një ideje, të një ndikimi...

Shënime stilistike e ligjërimore janë plotësuese për të kuptuar sidomos situatat ligjërimore të përdorimit të njf. Për vetë natyrën e njf, është e kuptueshme që të ketë më shumë shënime stilistike e ligjërimore, të cilat japin vlerat mbishtresore. Shkurtesat që përdoren për këto vlera (ligjërimore, stilistike, emocionuese, historike etj.) jepen në listë të veçantë, sipas teknikës së sotme të fjalorëve shpjegues.

Nuk vihen shënime të posaçme për njësitë frazeologjike asnjanëse (të cilat janë të rralla) dhe për ato të ligjërimit bisedor, sepse shumica e njësive frazeologjike i përkasin këtij ligjërimi. Pra, mungesa e shënimit për karakteristikën ligjërimore është dëshmi kryesisht për përkatësinë e frazeologjisë në shtresën e ligjërimit bisedor. Ato që u takojnë shtresave të tjera, kanë cilësimin përkatës: libr., etnogr., poet., tall., shpërf. etj. Frazeologjia krahinore jepet e kufizuar, kur ruan tipare të këtij kodi gjuhësor; ajo rrallë cilësohet me shkurtesën krahin. Për ngjyrimin shprehës jepen shënime përkatëse pas atyre që i thamë më sipër: ironi, tallje, shaka, keqësuese, mohuese, mospërfillëse etj. Njësitë frazeologjike të vjetruara janë më të kufizuara dhe shoqërohen me shënimin vjet.

 Shkurtesat për vlerat mbishtresore jepen me shkronja të vogla të pjerrëta (italike); p.sh.: I bie buzukut (dikush) tall. …; Ra në çanakun (e dikujt) përb. …; Bie në bylyk vjet. 

Struktura kuptimore e shpjegimet e njf. Për formulimin e shpjegimeve të njësive frazeologjike janë po ato kërkesa si për formulimin e shpjegimeve të fjalëve: plotësia, shkurtia, qartësia, thjeshtësia, saktësia etj. Por, më shumë se te fjalët, nëpërmjet shpjegimit të njësive frazeologjike, që janë njësi të ligjërimit, jepen, përveç shtjellimit të semave shënuese, edhe elemente plotësuese, pikërisht për ngjyrimet historiko-kohore, për veçoritë e përdorimit sipas situatave ligjërimore, për ngarkesat emocionuese e stilistike etj., krahas shënimeve të posaçme me shkurtesa. Shpjegimet, brenda kërkesave të mësipërme, jepen sa më gjerë jo vetëm për saktësi e plotëri të kuptimeve frazeologjike, por edhe për laryshi mjetesh të shprehjes së atyre kuptimeve me fjalë e me togje fjalësh me kuptim të njëjtë a shumë të afërt. Shpjegimet zbulojnë sa më shumë përbërës të përmbajtjes e të përdorimit të njësive frazeologjike e njëherazi, duke spikatur dallimet, tregojnë se ndërmjet tyre dhe fjalëve a shprehjeve sinonimike me to nuk ka përputhje të plotë.

 Tipologjia e shpjegimeve në KF i përgjigjet tipologjisë së kuptimeve, njësoj si në një fjalor leksemor, veçse këtu janë shumë të rralla kuptimet konkrete e të drejtpërdrejta dhe strukturat kuptimore nuk janë aq të gjera sa te fjalët. Në njësitë polisemantike kuptimet ndahen me numra dhe renditen sipas shkallës së figurshmërisë e sipas prejardhjes; p.sh.: Më bie në (më) qafë (dikush). 1. Më shqetëson pa të drejtë, më ngacmon kot, më mërzit... 2. Më ngarkon një faj që s’e kam bërë ose më qorton pa të drejtë... 3. Më ngarkon një barrë, ma hedh mua, më rëndon mua...

 Shpjegimi u përgjigjet të gjitha karakteristikave leksiko-gramatikore të trajtës përfaqësuese të njësisë frazeologjike (emërore, mbiemërore, foljore a ndajfoljore, në njëjës a në shumës, në kohën e tashme a në të shkuarën, në vetën e parë a të tretë, në diatezën veprore a vetvetore etj.).

 Shumë të rralla janë shpjegimet që nisin me formulat: “thuhet kur dikush...”, “përdoret kur...” etj. Këto shpjegime përdoren kryesisht për shprehje të figurshme (për njf me ndërtim të veçantë), që rrjedhin si vlerësim i një gjendjeje të caktuar; p.sh.: Amin o hoxhë! përdoret me shpërfillje për dikë...; I atillë e i këtillë (dikush) përdoret për të zëvendësuar fjalët vlerësuese...; Ku ishe? Asgjëkundi! përdoret duke e bërë pyetjen e duke u përgjigjur vetë...; Ndalu beg se ka hendek! tall. i thuhet dikujt që vepron pa pyetur...

 Tipi kryesor i shpjegimit të njësive frazeologjike është perifrazimi. Për njësitë frazeologjike emërore, që shënojnë sende e tipare, përdoret tipi i përshkrimit; p.sh.: Maja e ajsbergut libr. pjesa e dukshme, më e vogël, e diçkaje të keqe a të rrezikshme, pas së cilës fshihet gjithë e keqja…

 Për “variantet” sinonimike e për sinonimet e mirëfillta frazeologjike përdoret referimi te sinonimet dominante (frazeologjike) me shënimin shih; p.sh.: I hap barkun (dikujt) shih i hap zemrën (dikujt); Më dolën sytë duq shih më dolën sytë gogël; Një sahat e më parë shih një orë e më parë; Heq në shpirt shih heq në zemër; Më dhemb shpirti (në shpirt) (për dikë a për diçka) shih më dhemb (më ther) zemra (në zemër) (për dikë a për diçka).

 Disa shpjegime jepen me fjalë sinonimike; me këtë vlerë mund të shërbejë edhe fjala që ka lidhje derivacioni me të; p.sh.: Me ballë hapur ballëhapur; Me ballë të larë ballëlarë; Me ballë (ballin) lart ballëlart, krenar; Me zemër të bardhë zemërbardhë.

 Shpjegimi me përkufizim përdoret vetëm për njësitë frazeologjike që janë terma të pathjeshtë; p.sh.: Arusha (Qerrja) e Madhe astr. yllësia në gjysmërruzullin verior të qiellit, që përbëhet nga shtatë yje të renditura si qerre…

 Njf me kuptim të kundërt, antonime, jepen si mjet plotësues shpjegimi (aty ku ka); p.sh.: Ia bëj me majë (dikujt) e nderoj, e pres me gjithë të mirat; i bëj hatrin; kund. nuk e vë në shpatull të pulës (dikë); Me mendje të ftohtë jo i lodhur a i ngarkuar mendërisht, i qartë; që e merr diçka shtruar e me qetësi, i qetë; kund. me mendje të nxehtë.

 Çdo njësi frazeologjike shpjegohet e plotë zakonisht te njëra gjymtyrë, kryesisht te gjymtyra që është vatër semantike e saj, që mund të jetë emërore, mbiemërore, foljore a ndajfoljore:

- Për njësitë me bashkërenditje të së njëjtës gjymtyrë shpjegimi jepet, kuptohet, te kjo gjymtyra; p.sh.: Anës e anës tek an/ë,~a; Brez pas brezi te brez,~i; Rrotë më rrotë te rrot/ë,⁓a etj.

- Për njësitë frazeologjike me dy gjymtyrë të ndryshme, me bashkërenditje a me nënrenditje, shpjegimi jepet te gjymtyra e parë emërore; p.sh.: Nga a-ja te zhë-ja tek a,~ja; Si cjapi te kasapi te cjap,~i; Ëndrra në diell tek ënd/ërr,⁓rra; Kodra pas bregut te kod/ër,~ra etj. Te gjymtyra tjetër jepen me asterisk mbi gjymtyrën e parë e pa shpjegime, por me shënimet plotësuese (bised., keq, tall. etj.): te ngjesh: *Qesh e ngjesh; te zh: Nga *a-ja te zhë-ja; te kasap,~i:  Si *cjapi te kasapi; te diell,~i: *Ëndrra në diell; te breg,~u: *Kodra pas bregut; te vritem: Ku *rafsha mos u vrafsha etj.

- Për njësitë frazeologjike me strukturë emër / mbiemër shpjegimi jepet zakonisht te gjymtyra emërore; p.sh.: Me mendje të ngritur te mendj/e,~ja; Me gjak të ftohtë te gjak,~u etj. Te gjymtyra tjetër jepen me asterisk mbi gjymtyrën e parë e pa shpjegime, por me shënimet plotësuese (bised., keq, tall. etj.): te ngritur (i, e): Me *mendje të ngritur; te ftohtë (i, e): Me *gjak të ftohtë etj.

- Për njësitë frazeologjike me strukturë folje / folje shpjegimi jepet te gjymtyra e parë foljore; p.sh.: Fol e qesh te flas; Qesh e ngjesh te qesh; Shkel e shko te shkel etj. Te gjymtyra tjetër jepen me asterisk mbi gjymtyrën e parë e pa shpjegime, por me shënimet plotësuese (bised., keq, tall. etj.): te qesh: *Fol e qesh; te ngjesh: *Qesh e ngjesh; te shkoj: *Shkel e shko etj.

- Për njësitë frazeologjike me strukturë folje / ndajfolje shpjegimi jepet te gjymtyra e dytë ndajfoljore; p.sh.: S’ha shqip te shqip; E la prapa te prapa etj. Te gjymtyra tjetër jepen me asterisk mbi gjymtyrën e parë e pa shpjegime, por me shënimet plotësuese (bised., keq., tall. etj.): te  ha: S’ha *shqip;  te : E la *prapa etj.

- Për njësitë frazeologjike tregjymtyrëshe, që kanë në strukturë dy gjymtyrë nominale, shpjegimi jepet te gjymtyra që është vatër semantike kryesore; p.sh.: E bën mizën (pleshtin) buall te buall,⁓i; E bën qimen tra, te tra,⁓ri etj. Te gjymtyra tjetër emërore jepen me asterisk mbi gjymtyrën e parë e pa shpjegime, por me shënimet plotësuese (bised., keq, tall. etj.): te miz/ë,⁓a: E bën mizën (pleshtin) *buall; te plesht,⁓i: E bën pleshtin (mizën) *buall;  te qim/e,⁓ja: E bën qimen *tra (dikush). 

- Për njësitë frazeologjike në trajtë fjalie shpjegimi jepet te gjymtyra që është vatra kryesore semantike, kryesisht emërore; p.sh.: Ku ha pula gurë te gur,~i; Nuk shkel në dërrasë të kalbur (dikush) te dërras/ë,⁓a etj.; po kështu do të trajtohen edhe njësitë frazeologjike nga fjalët e urta në format frazeologjie; p.sh.: Gjysma e mijës pesëqind te mij/ë,~a; Njëri gozhdës e tjetri potkoit te gozhd/ë,~a; Qeni qepën të hajë te qen,~i etj. Te gjymtyra tjetër emërore a mbiemërore jepen me asterisk mbi gjymtyrën e parë pa shpjegime, por me shënimet plotësuese (bised., keq, tall. etj.); p.sh.: te pul/ë,~a: Ku ha pula *gurë; te kalbur (i, e): Nuk shkel në *dërrasë të kalbur (dikush); te pesëqind: Gjysma e *mijës pesëqind; te potk/ua,~oi: Njëri *gozhdës e tjetri potkoit; te qep/ë,~a: *Qeni qepën të hajë etj.

   - Për njësitë frazeologjike me gjymtyrë sinonimike në kllapa shpjegimi jepet te gjymtyra kryesore më e përgjithshme; p.sh.: I ktheu shpinën (kurrizin) te shpin/ë,~a; I fërkon krahët (supet) te krah,~u; Me laps (me kalem) në dorë  te laps,~i etj. Te gjymtyra tjetër jepen me asterisk mbi gjymtyrën kryesore dhe duke e nxjerrë nga kllapat: te kurriz,~i:  I kthej kurrizin (*shpinën); te sup,~i: I fërkon supet (*krahët); te kalem,~i: Me kalem (me *laps) në dorë etj.

- Shpjegimet ose referimet me asterisk te gjymtyrët e mësipërme bëhen për të mos ngarkuar pa nevojë gjymtyrët foljore fillestare kur mbartin rregullisht vetëm përbërës semantikë gramatikorë të veprimit a të gjendjes. Por, kur gjymtyra foljore, përveç përbërësit gramatikor të veprimit a të gjendjes, mbart edhe përbërës semantikë mirëfilli leksikorë të figurshëm, që shkrihen në kuptimin e përgjithshëm të njësisë frazeologjike, atëherë njësia frazeologjike vihet edhe te kjo gjymtyrë foljore, me asterisk para gjymtyrës ku është shpjeguar njësia frazeologjike; p.sh.: I thyej hundët (dikujt) shpjegohet tek emri hund/ë,~a, kurse te folja thyej referohet te gjymtyra e dytë hund/ë,⁓a me asterisk: I thyej *hundët (dikujt), pa shpjegime. T’u shoftë pragu! mallk. shpjegohet tek emri prag,~u, kurse te folja shuhem referohet te gjymtyra e dytë prag,⁓u me asterisk: T’u shoftë *pragu! mallk., pa shpjegime.

- Sinonimet frazeologjike te njësitë frazeologjike më të përgjithshme jepen pa shpjegime te këto njësi dhe dallohen grafikisht (bold italike); p.sh.: Te gisht,~i: E la me gisht në gojë (dikë).... e la gisht; e la kripë; e la kalli; e la lakuriq; e la trokë; e la biçak; e la gojëthatë; e bëri fushë; i thau kupën (dikujt); e la presh në diell; e nxori në diell etj.; te hap,~i: e ndjek në çdo hap. 1. (dikë). Shkoj kudo ku vete dikush, i vete pas kudo; e ndjek hap pas hapi; e ndjek hap për (më) hap; e ndjek në çdo çap; e ndjek gjurmë për gjurmë (gjurmë pas gjurme). 2. (dikë a diçka). E vëzhgoj vazhdimisht dikë si përparon në një punë, si sillet, çfarë bën, si përgatitet për diçka etj., e ndjek me vëmendje ose e kam kujdes në çdo ndryshim që bën; e vëzhgoj vazhdimisht e pa ndërprerje diçka si ndryshon shkallë-shkallë, si zhvillohet, çfarë ndodh etj.; e ndjek hap pas hapi; e ndjek hap për (më) hap; e ndjek në çdo çap; e ndjek gjurmë për gjurmë (gjurmë pas gjurme); E vë (e fut) në hulli (dikë) e bëj të ecë mirë, të veprojë a të sillet ashtu siç duhet, të ndjekë një rrugë të drejtë, e ndreq; e vë (e fut) në brazdë; e vë në rrugë të mbarë; e vë në udhë të mbarë; e sjell në rrugë të drejtë (të mbarë); e sjell në udhë të drejtë (të mbarë). Erdhi në hulli (dikush) u përmirësua, nisi të sillet e të veprojë mirë, u kthye në rrugë të drejtë, u ndreq; erdhi në brazdë; erdhi në udhë.

Frazeologjia në Fjalor jepet në një paragraf të veçantë, në kryeradhë, pas shenjës , në fund të fjalëve përkatëse të shpjeguara, pas vargut sinonimik (kur ka). Brenda kuptimeve nuk vihen njësi frazeologjike të mirëfillta gjuhësore. Grupimi i njësive frazeologjike në një paragraf e veçimi nga struktura kuptimore e fjalëve përkatëse bëhet për arsye se ato janë barazvlerëse të fjalëve semantikisht, por njësi sintaksore si strukturë. Nga ana praktike ky grupim jep mundësi për shpjegime më të gjera e të lidhura brenda sistemit frazeologjik, veçanërisht për nuanca kuptimore e ngjyrime të mbishtresuar (me figurshmëri të lartë, deri idiomatike), që vështirë të jepen brenda shpjegimeve të kuptimeve të fjalëve përkatëse. Kjo lehtëson edhe rrokjen e plotë të vlerave të tyre nga përdoruesit e Fjalorit. Puna hartuese e redaktuese ka synuar të arrijë paraqitjen e frazeologjisë në FMGJSH në mënyrë sa më shkencore e njëherazi sa më të lehtë për të përfituar çdo përdorues i tij të gjitha vlerat e saj.

 

 

B. SHPJEGIME PËR NDËRTIMIN DHE PËRDORIMIN E FJALORIT

 

Për të ndihmuar përdoruesin e Fjalorit, po japim shpjegimet më të nevojshme për gjithë lëndën që përfshihet në të, për ndërtimin e përgjithshëm të tij dhe të artikullit për çdo fjalë, për zbërthimin e shpjegimin e kuptimeve, për cilësimin gramatikor e stilistikor të fjalëve, si edhe për drejtshkrimin e për theksin.

 

1. NDËRTIMI I FJALORIT

 

§ 1. Fjalët në Fjalor jepen në krye të rreshtit sipas rendit alfabetik. Renditja e tyre bëhet sipas parimit alfabetik dhe jo sipas rendit të pjesëve të ligjëratës a sipas prejardhjes fjalëformuese; p.sh.:

 

DALË ndajf. 

DÁLË (i, e) mb.

DÁL/Ë,~A fsh. ~A, ~AT... 

DÁL/Ë,~A (e) f. sh. ~A (të), ~AT (të)  

DÁLË,~T (të) as.

DRITËSÍ,~A f.

DRITËSÍM,~I m. sh. ~E, ~ET

DRITËSJÉLLËS,~E mb. 

DRITËSJÉLLËS,~I m. sh. ~, ~IT

DRITËSJÉLLËS/E,~JA f. sh. ~E, ~ET

DRITËS/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR

►DRITËS/ÓHEM jovep. ~ÓVA (u), ~ÚAR

DRITËSÓR,~E mb.

DRITËSÓR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET

DRITËSÚAR (i, e) mb. 

DRITËSÚAR,~IT (të) as.

SHQIPTÁR,~E mb.

SHQIPTÁR,~I m. sh. ~ Ë, ~ËT

SHQIPTÁR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET

 

§ 2. Përveç fjalëve të njohura si të mëvetësishme e të pasqyruara në fjalorët e përgjithshëm shpjegues, në fjalorët terminologjikë, në fjalorët tematikë, në fjalorët dygjuhësh etj., jepen si zëra leksikografikë më vete dhe shpjegohen në mënyrë të plotë:

 

a. Emrat femërorë që vijnë nga emrat mashkullorë dhe që shprehin të njëjtin profesion ose të njëjtën përmbajtje semantike; p.sh.:

 

DIBRÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 

DIBRÁN/E,~IA f. sh. ~E, ~ET

 

MALËSÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 

MALËSÓR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET

 

MËSÚES,~I m. sh. ~, ~IT

MËSÚES/E,~JA f. sh. ~E, ~ET

 

QYTETÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT

QYTETÁR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 

 

 

b. Emërzimet e mbiemrave, pra kur mbiemrat kanë fituar funksionin shënues nominal dhe kanë përhapje e qëndrueshmëri në përdorim; p.sh.:

 

MADH,~E (i, e) mb.

MADH,~I (i) m. sh. MËDHÉNJ (të), MËDHÉNJTË (të)

MÁDH,~TË (të) as.

MÁDH/E,~JA (e) f. sh. MËDHÁ, MËDHÁTË (të)

 

VÉRDHË (i, e) mb. 

VÉRDH/Ë,~A (e) f. sh. ~A (të), ~AT (të)

VÉRDHË,~TË (të) as.

 

c. Emrat e mbiemërzuar, pra emrat që kanë kaluar qartë nga emër në mbiemër dhe kanë përhapje e qëndrueshmëri në përdorim; p.sh:

 

PAÇÚK,~E mb. Shtatshkurtër, trupvogël.

PAÇÚK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Kunj i shkurtër që përdoret për të hapur brima në tokë për të mbjellë hudhra, qepujka etj.

2. Njeri me trup të shkurtër.

PARAZÍT,~E mb. 1. Parazitar. Krimba parazitë. Kërpudha parazite. 

2. fig., keq. Që jeton si parazit. Jetë parazite. Njeri parazit.

PARAZÍT,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. biol. Qenie e gjallë (kafshë ose bimë) që rron e zhvillohet mbi trupin e një qenieje tjetër ose brenda organizmit të saj. Parazitët e njeriut (e kafshës). Bar kundër parazitëve. Parazitët e zorrëve krimbat e zorrëve.

2. fig., keq. Ai që nuk punon vetë dhe jeton me djersën e një tjetri ose në kurriz të shoqërisë; që jeton si parazit.

3. Ai që bën një jetë të zbrazët e të kotë.

 

ç. Disa variante fjalëformuese (formimet me prapashtesat -as, -azi etj.)duke shpjeguar variantin bazë, që është më përfaqësues, kurse varianti tjetër jepet me variantin bazë si sinonim; p.sh.:

 

PRÁPAS ndajf. Prapazi.

PRÁPAZI ndajf. Prapa, nga prapa, nga pas. I lanë prapazi fëmijët. E kafshoi qeni prapazi.

 

RÁDHAS ndajf. Radhazi. Dy herë radhas. Erdhën radhas.

RÁDHAZI ndajf. 1. Menjëherë njëri pas tjetrit, pa ndërprerje në mes, rresht; pa përjashtuar asnjë, mbarë. Skuadra siguroi fitoren e tetë radhazi. Për të pestin vit radhazi. Vijnë radhazi. I mori radhazi.

2. Me radhë, sipas rendit, njëri pas tjetrit. E bëjmë radhazi. Hedh (gjuaj) radhazi. Flasim radhazi.

3. Shpesh, dendur, zakonisht, rëndom. Vjen radhazi për vizitë. Takohemi radhazi. E bën radhazi këtë punë.

 

d. Mbiemrat e tipit strukturor i pamend dhe i pamendtë, duke e dhënë shpjegimin te varianti kryesor dhe variantet e tjera shpjegohen me sinonimi; p.sh.:

 

PAMÉND (i, e) mb. 1. Që gjykon e vepron pa mend në kokë, që nuk i mendon mirë ato që thotë e që bën. Njeri i pamend.

2. Që është bërë pa e menduar mirë; që është bërë nga një njeri, i cili nuk gjykon drejt e thellë. Punë (sjellje) e pamend. Veprim i pamend.

3. si em. Ai që gjykon e vepron pa mend në kokë, ai që nuk i mendon mirë ato që thotë e që bën. Ia la punën një të pamendi.

Sin.: i pakrye, i pamençur, i pamenduar, paarsyeshëm, i papeshuar, i nxituar, i trashë, i metë.

PAMÉNDTË (i, e) mb. I pamend. 

 

PAMBARÍM (i, e) mb. 1. Që nuk i duken kufijtë, i pakufishëm, i pafund. Hapësirë e pambarim. Det i pambarim.

2. Që duket sikur nuk ka të mbaruar, i pafund. Lumë (varg) i pambarim njerëzish. 

3. Që zgjat në kohë sa duket sikur nuk do të mbarojë kurrë, i pafund. Bisedë e pambarim. Mbledhje e pambarim.

4. sh. Që janë në numër shumë të madh e përsëriten vazhdimisht, të shumta, të pafund. Kërkesa të pambarim. Vizita të pambarim. 

Sin.: i pambarimtë, i pafund, i panumërt, i pakufishëm, i paanë, i pasosur.

PAMBARÍMTË (i, e) mb. I pambarim. Bisedë e pambarimtë. Proces i pambarimtë.

 

dh. Mbiemra që vijnë nga pjesoretduke dhënë vetëm ato formime që kanë fituar edhe semantikën e funksionin atributiv, d.m.th. që shënojnë tipar e jo veprim si kategoria foljore; p.sh.:

 

DRITËSÚAR (i, e) mb. 1. I ndriçuar, i mbushur me dritë. Vend i dritësuar.

2. fig., poet. Mendjendritur. Njeri i dritësuar. Mendje e dritësuar.

3. fig. Që ka parë dritën e botimit, që është botuar. Në fund vëllimi poetik doli i dritësuar. 

 

HÉDHUR (i, e) mb. 1. Që është hedhur… Plehra të hedhura.

2. I shkrifët, i butë, jo i ngjeshur… Dheu i hedhur nuk mban themele.

3. I shkathët, i gjallë… Djalë i hedhur.

 

MBARÚAR (i, e) mb. 1. I kryer plotësisht, që është çuar deri në fund, që është përfunduar së ndërtuari, së shkruari etj.; që mund të quhet si e kryer. Ndërtesë e mbaruar. Vepër e mbaruar. Është punë e mbaruar.

2. Që është plotësuar, i përmbushur, i kryer. Porosi e mbaruar.

3. I plotë (për arsimin që ka marrë dikush, për shkollën a kursin që ka ndjekur). Me arsim të lartë të mbaruar. Ishte jurist me akademi të mbaruar në Perëndim.

4. Që është në rënie të plotë e po shkon drejt shkatërrimit përfundimtar, që po mbaron (për dikë a për diçka); që është duke vdekur, që s’ka shpresë shpëtimi; që ka vdekur. Njeri i mbaruar.

5. I përsosur në llojin e vet, i përkryer; i përgatitur mirë në një punë a mjeshtëri, shumë i zoti a i aftë. Kishte dalë një kuzhiniere e mbaruar, salcat i qante. Mjeshtër i mbaruar. Mjek i mbaruar. Gjahtar i mbaruar. Shënjues i mbaruar. 

6. Që ka shumë nevojë për diçka, i vdekur a i fikur për diçka, i këputur. Jam e mbaruar për gjumë.

 

e. Emërzimet që kanë fituar përdorim të gjerë, të mëvetësishëm e të qëndrueshëm dhe kanë krijuar lidhje të shumta në togfjalësha e në frazeologji (si i çmendur,~i, i huaj,~i, i pasur,~i, i plagosur,~i, i ri,~u, i sëmur/ë,~i, i varf/ër,~ri, i vdekur,~i etj.), vihen si fjalë më vete; p.sh.:

 

PÁSUR,~I (i) m. sh. ~ (të), ~IT (të) Ai që ka shumë gjë e mall dhe para, ai që ka vënë pasuri të madhe; kund. i varfër.

PÁSUR,~A (e) f. sh. ~A (të), ~AT (të) Ajo që ka shumë gjë e mall dhe para, ajo që ka vënë pasuri të madhe; kund. e varfër.

 

ë. Kur emrat asnjanës janë të prejardhur nga mbiemrat prejfoljorë (si të menduar,~it, të folur,~it etj.), vihen si fjalë më vete. Disa ndërtime të tipit me të botë, me të shpejtë etj. vihen te mbiemri përkatës si përdorime emërore të tij. 

 

§ 3. Emërtimet e njerëzve sipas vendbanimeve dhe mbiemrat që lidhen me to; p.sh.:

 

PRIZRÉNAS,~E mb. Që ka të bëjë me Prizrenin, me banorët ose me kulturën e Prizrenit; që është karakteristik për Prizrenin ose për prizrenasit, i Prizrenit ose i prizrenasve; që është krijuar nga prizrenasit. Shtëpi (veshje) prizrenase.

PRIZRÉNAS,~I m. sh. ~, ~IT Banor vendës i Prizrenit ose me prejardhje nga Prizreni.

PRIZRÉNAS/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Banore vendëse e Prizrenit ose me prejardhje nga Prizreni.

 

§ 4. Foljet jepen në kundërvënien morfologjike veprore – joveprore. Forma joveprore (vetvetore, pavetore, pësore do të paraprihet nga një trekëndësh (); p.sh.: 

 

MAHNÍT vep., ~A, ~UR Bëj të habitet shumë, e lë me gojë hapur. Mahniti botën. I mahniti me trimërinë e tij.

MAHNÍT/EM,~A jovep., ~A (u), ~UR Habitem shumë nga diçka e jashtëzakonshme, mbetem me gojë hapur.

 

a. Foljet vetvetore, duke u dhënë me struktura kuptimore të plota. Kur një folje është vetvetore e pësore njëkohësisht, kuptimi pësor jepet si kuptim më vete në fund të kuptimeve të foljes vetvetore dhe shpjegohet me anë të foljes veprore, përkatëse; p.sh.:

 

KACAFÝT/EM jovep., ~A (u), ~UR vetv. 1. Zihem a ndeshem me dikë duke u kapur për fyti; fytafytem, kacambytem, kapërthehem.

2. Luftoj duke u përleshur trup me trup ose duke përdorur të gjitha forcat e armatimet; përfytem, karfosem, mbërthehem. Jemi kacafytur në luftë me pushtuesit.

3. fig. Përballoj një gjendje shumë të vështirë, duke u munduar t’u shpëtoj edhe pasojave me karakter ndjenjësor. U kacafytëm me pandeminë (me fatkeqësitë).

4. pës. e KACAFÝT.

 

b. Pësorja e foljeve që nuk kanë vetvetore, jepet me trajtën e plotë joveprore dhe shpjegohet me anë të foljes veprore përkatëse: p.sh.:

 

FAJK/ÓHET jovep., ~ÓVA, ~ÚAR pës., vet. v. III e FAJKÓJ.

PYLLËZ/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR pës., vet. v. III e PYLLËZÓJ.

 

c. Përdorimet pavetore të foljeve do të jepen te forma joveprore në një kuptim më vete në fund të kuptimeve të tjera; p.sh.: 

 

DAL vep., DÓLA, DÁLË 1. ...

........

38. pavet. v. III Sipas kuptimeve 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 15, 17, 26-29. Këtej nuk dilet. Dilet lehtë. Do t’i dilet mbanë edhe kësaj pune. Nuk i dilet përpara.

 

►PUN/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR 1. pës., vet. v. III e PUNÓJ...

2. përd. pavet. Sipas kuptimeve 1-14 të foljes PU­NÓJ. S’i punohej. Kështu nuk mund të punohet. Atje punohej shkel e shko. Shkolla është vendi ku mësohet dhe punohet. Duhet punuar koka, që të japë toka.

 

§ 5. Jepen, gjithashtu, si zëra leksikografikë më vete: 

a. Trajtat e emrave, të përemrave, të foljeve etj. me temë krejt të ndryshme nga ajo e trajtës përfaqësuese (trajtat supletive), si edhe trajtat e tyre të parregullta kur janë me ndryshime të thella fonetike nga trajta përfaqësuese; p.sh.:

 

ATË  kallëz. përem. vetor e dëft. AI, AJO.

NGRËNË pjes . e HA.

PÁRË pjes. e SHOH.

PÁTA kr.  thj. e KAM.

QE,~TË sh. i KA,~U. 

QÉSHË kr.  thj. e JAM.

 

Kur nga një trajtë e tillë foljore është  formuar një pjesë tjetër e ligjëratës ose kur ka lokucione gramatikore që lidhen me një vetë tjetër të një trajte të tillë, atëherë kjo vihet në atë vetë; p.sh.:

 

QÉSHË kr. thj. e JAM.

QÓFTË dësh. e JAM.

 

b. Disa variante fonetike të fjalëve, që janë përdorur ose përdoren gjerësisht; p.sh.:

 

BÁRK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT

VÁRK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT

DHÉMBJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET

DHÍMBJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET

MËLLÉNJ/Ë,~A f. sh. ~E, ~ET

MULLÉNJ/Ë,~A f. sh. ~E, ~ET

 

c. Disa parashtesa  që në gjuhën e sotme shqipe janë shumë prodhuese (p.sh.: ç-/sh-, jo-, mos-, pa-, për-, ri-, stër- etj.), si dhe disa sindajshtesa a morfema fjalëformuese shqipe e ndërkombëtare, që shërbejnë si pjesë e parë ose si pjesë e dytë e fjalëve të përbëra, kur këto dalin dendur në gjuhën shqipe (p.sh.: bashkë-, bio-, filo-, krye-, vetë- etj. ose -fish, -fob etj.).

 

ç. Shkronjat e alfabetit të gjuhës shqipe (A, B, C etj.). Ato dalin edhe në funksion emëror e në këto raste ruhet brenda të njëjtit zë leksikografik edhe funksioni i fituar, me shënimin: si em. ; p.sh.:

 

A 1. Njëra nga zanoret e gjuhës shqipe dhe shkronja e parë e alfabetit të saj, e cila shënon këtë zanore. Zanorja a. Tingulli a. Shkronja a. 

2. si em. f. Zanorja dhe shkronja a. A-ja e vogël (e madhe). A-ja e dorës (e shtypit). A-ja nistore. 

3. si em. f., fig. Fillimi i një pune, pikënisja për diçka. E shikova nga a-ja. E bëri nga a-ja.

4. si em. f., fig. Njohuritë fillestare e më të thjeshta për diçka, abëcëja. A-ja e kësaj çështjeje. 

5. Simboli i vitaminës A. 

Nga a-ja deri te zh-ja nga fillimi deri në fund; përfshirë të gjitha, gjithçka; plotësisht, tërësisht; nga alfa deri tek omega libr.; fund e krye (e majë).

 

M 1. Një nga bashkëtingëlloret e gjuhës shqipe dhe shkronja e tetëmbëdhjetë e alfabetit të saj, e cila shënon këtë bashkëtingëllore. Bashkëtingëllorja m. Tingulli m. Shkronja m.

2. Numri 1000 në sistemin numerik romak. Shifra M (1000) është më e madhja në sistemin e numrave romakë. Numri 2000 në sistemin numerik romak shënohet MM.

3. si em. f. Bashkëtingëllorja dhe shkronja m. M-ja e madhe (e vogël). M-ja e shtypit (e dorës).

 

§ 5. Fjalët në krye jepen në trajtën përfaqësuese dhe me trajtat kryesore plotësuese. Pas tyre vihen shënimet gramatikore e stilistike dhe shënimet për fushën e përdorimit. Nyjat e përparme të mbiemrave dhe të disa emrave e përemrave me nyjë jepen pas trajtës përfaqësuese ose pas trajtave plotësuese; ato nuk merren parasysh për renditjen alfabetike; p.sh.:

 

CÍL/I (i),~A (e) lidhor. sh. ~ËT (të), ~AT (të)

HË́N/Ë,~A (e) f. sh. ~A, ~AT (të)

MENDÚAR,~IT (të) as.

MÍRË (i, e) mb.

SJÉLLSH/ËM (i), ~ME (e) mb.

TÍLLË (i, e) përem. dëft.

VÓG/ËL,~LA (e) f. sh. ~LA (të), ~LAT (të)

 

§ 6. Homonimet e mirëfillta leksikore jepen si fjalë më vete dhe dallohen me shifra të romake; p.sh.:

 

AH,~UI m. sh. ~E, ~ET bot. Dru gjethor ...

AH,~UII m. sh. ~E, ~ET Britma që del ...

AH,~UIII m. shih HAK,~U ...

PJEKI vep. PÓQA, PJÉKUR 1. kal. Vë diçka në zjarr ...

PJEKII vep. PÓQA, PJÉKUR kal. 1. Takoj dikë ...

VÉR/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Stina e dytë dhe më e ngrohtë e vitit ...

VÉR/Ë,~AII f. Pije alkoolike ...

 

§ 7. Pjesët e pandryshueshme të ligjëratës që kanë trajtë fonetike të njëjtë dhe lidhje të drejtpërdrejtë fjalëformuese, nuk jepen si homonime, por si zëra leksikografikë të veçantë; p.sh.:

 

ÁFËR ndajf. ...

ÁFËR parafj. ...

ÁFËR pj. ...

 

BRÉNDA ndajf. ...

BRÉNDA parafj. 1. ...

BRÉNDA pj. ...

 

§ 8. Variantet fonetiko-morfologjike të së njëjtës fjalë, që kanë një përdorim pak a shumë të njëllojtë, jepen së bashku, duke vënë në fillim variantin që sot është disi më i përhapur, kurse në kllapa katrore variantin më pak të përhapur; p.sh.:

 

GURÍSHT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT [GURÍSHT/E,~JA f. sh. ~E, ~ET]

PORTOKÁ/LL,~LLI m. sh. ~J, ~JTË [PORTOKÁLL/E,~JA f. sh. ~E, ~ET]

 

Variantet fonetiko-morfologjike të foljeve, që përdoren krahas trajtës kryesore, jepen pas kësaj trajte, në kllapa harkore me shkronja të njëjta; p.sh.:

 

MËRZÍT (MËRZÍS) vep., ~A, ~UR ...

SHËTÍT (SHËTÍS) vep., ~A, ~UR ...

UJÍT (UJÍS) vep., ~A, ~UR ...

 

§ 9. Veç trajtave plotësuese dhe shënimeve gramatikore e stilistike, disa fjalëve u shtohen, sipas rastit, edhe shënime plotësuese për shqiptimin e përdorimin. Shënime të tilla vihen për të njëjtat arsye edhe kuptime të veçanta të fjalëve, si dhe te disa njësi frazeologjike (p.sh., fjalët dikujt, dikë, diçka, diçkaje që tregojnë valencën gramatikore etj.); p.sh.:

 

FALËNDER/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore) Falënderoj. Iu falënderua prindërve. 

2. pës. e FALËNDERÓJ. U falënderua nga gjithë të pranishmit.

HERËPASHÉRSH/ËM,~ËM (i), ~ME (e) mb. [lexo: HERË-PAS-HÉRSHËM]

MESHÓLLË mb. [lexo: MES-HÓLLË] 

 

§ 10. Nuk vihen si fjalë të veçanta, po përfshihen në rendin e kuptimeve:

 

a. Disa përdorime emërore, mbiemërore, ndajfoljore, pjesëzore etj.

 

ÁKU/LL,~LLI m. sh. ~J, ~JT 1. Ujë i ngrirë. Akull i trashë (i hollë). Akull i përjetshëm. Shtresë (cipë) akulli. Hell (qiri) akulli. Copë (kallëp) akulli. Fabrikë (punishte) akulli. Ujë me akull. Balet në akull. Zë akull. Shkriu (ngriu) akulli. Vë në akull. Rrëshqas në akull. 

2. si mb. Shumë i ftohtë. M'u bënë duart akull. 

3. si mb. Shumë i pastër; i ngrirë. E bëri shtëpinë akull. I rrinë (i mban) rrobat akull. 

4. si mb., fig. I ftohtë, pa ndjenja (për njeriun); i ngrirë. Është akull me mua. Më qëndron akull. 

5. si ndajf. Shumë, fare (me mbiemrat); shumë bukur, shumë mirë, shumë pastër (me foljet). Akulli ftohtë. 1 pastër akull. Akull i ri. Ishte veshur akull.

 

AFËRMÉNDËSH ndajf. 1. ... 

2. si pj. Po, sigurisht ...

 

b. Emërzimet, që nuk lidhen me një send a kategori më vete dhe dalin në të dyja gjinitë, jepen te fjala e emërzuar (në një kuptim të veçantë)  si përdorim emëror; p.sh.:

 

FAQEKÚQ,~E mb. 1. ...

......................................

4. si em. Sipas kuptimeve të mbiemrit.

 

PESHÁK,~E mb., tall. 1. Mendjetrashë. Njeri peshak. 

2. Që nuk i peshon mirë gjërat, mendjelehtë. Grua peshake.

3. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit. Mos kërko mend te peshaku. (fj. u.).

Sin.: mendjetrashë, kokëtrashë, i trashë, trugomar, budalla, mendjelehtë.

 

PRAPÁN,~E mb. 1. I praptë, i mbrapshtë. Njeri prapan. 

2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit.

 

c. Për emrat që përdoren në gjininë mashkullore dhe asnjanëse, jepet si trajtë përfaqësuese ajo e gjinisë mashkullore; por, kur asnjanësi përdoret dendur në gjuhën e sotme, vihet edhe ky pas trajtës përfaqësuese ose në një kuptim të veçantë; p.sh.:

 

DHJÁM/Ë,~I m. sh. ~ËRA, ~ËRAT [DHJÁMË,~T as.] 1. ...

2. kryes. as. nj. Zorrë ...

 

ç. Përdorimet mbiemërore, ndajfoljore etj. të emrave, që nuk kanë marrë trajtën e mbiemrit, vihen tek emrat përkatës në një kuptim të veçantë; p.sh.:

 

THÍK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. ...

..........................................

4. si mb. Shumë i pjerrët...

5. si ndajf. Pingul.

 

DËRRAS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. ...

..............................................

5. si mb., fig., bised. I rrafshët.

 

d. Përdorimet e emrave, që e kanë marrë trajtën e mbiemrit, vihen gjithashtu tek emrat përkatës në një kuptim të veçantë, por me shënim si mb.; p.sh.:

 

ÇAMËRDHÓK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT 1. ...

2. si mb. ,~E I vogël, vocërrak.

 

§ 11.Fjalor janë zbatuar rregullat e drejtshkrimit. Për fjalë të veçanta e për disa çerdhe fjalësh janë bërë plotësime e saktësime sipas parimeve të përgjithshme e të rregullave themelore të  tij.

 

§ 12. Theksi shënohet vetëm në trajtën përfaqësuese tek të gjitha fjalët që kanë më shumë se një rrokje, te trajtat me temë tjetër dhe te trajtat plotësuese që pësojnë ndryshime të zanores së temës ose lëvizje të theksit; p.sh.:

 

BÍE vep., PRÚRA, PRÚRË

DRITËS/ÓJ vep. ~ÓVA, ~ÚAR

RRETH,~I m. sh. RRÁTHË, RRÁTHËT

SHPËRTH/ÉJ vep. ~ÉVA, ~ÝER

 

Në fjalët e përbëra, që shkruhen me vizë në mes dhe kanë gjymtyrë me dy a më shumë rrokje (si vajtje-ardhje etj.), në fjalët e përbëra me përsëritje të së njëjtës temë (si copë-copë, çika-çika, pikë-pikë etj.), si edhe në fjalët të tipit kilovat-orë, kalë-fuqi etj. vihen dy theksa (një theks për çdo gjymtyrë); p.sh.:

 

TEKNÍKO-SHKENCÓR,~E mb.

CÓPË-CÓPË ndajf.

 

II. NDËRTIMI I ARTIKULLIT PËR ÇDO FJALË

 

§ 13. Çdo fjalë në fjalor trajtohet si njësi e pandarë leksiko-semantike e fonetiko-gramatikore dhe formon një zë leksikografik të veçantë me kuptimet e përdorimet e saj. Pjesa e parë e çdo zëri përfshin fjalën në trajtën përfaqësuese e trajtat e saj plotësuese, shpjegimet e kuptimeve të fjalës dhe thëniet për çdo kuptim. Pjesa e dytë e dytë përfshin vargjet e mundshme sinonimike. Pjesa e tretë përfshin frazeologjinë e mundshme.

 

a. Çdo ndryshim në trajtën përfaqësuese ose në trajtat plotësuese të fjalëve pasqyrohet që në krye të artikullit për çdo fjalë ose te kuptimet e veçanta. Pjesa e ndryshueshme e trajtës përfaqësuese të fjalës ndahet nga pjesa e pandryshueshme me një vizë të pjerrët dhe i shtohet drejtpërdrejt kësaj pjese, e cila në trajtat e tjera përfaqësohet nga një vijë e lakuar (~); p.sh.:

 

DRÉDH/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Kthesë harkore e një rruge, e një lumi etj., lak rruge, bërryl; kthesë e tillë që bën dikush a diçka kur ecën ose kur lëviz; gjarpërim. Dredhat e rrugës (e lumit, e kanalit). Dredhat e tymit. Udhë gjithë dredha. Gjarpri ecën me dredha. Vraponte me dredha.

2. Send që ka trajtën e një laku a të një harku; diçka e dredhur a e përdredhur; bërryl a kthesë spiraleje, vjaske etj. Dredhat e flokëve. Dredha e ballit tufë flokësh të përdredhur që bien mbi ballë. Dredhat e sustës (e vjaskës...). Dredhat e hardhisë. Flokë me dredha. Zbukurim me dredha. Fjongo (kordele) me dredha. I bëri një dredhë telit.

3. Rrip i hollë prej lëkurës së bagëtive, që përdoret për të qepur opingat ose diçka tjetër të lëkurtë; gjalmë opingash, retër. Pret (nxjerr) një dredhë. Lag (njom) dredhat. Qep me dredha.

4. Tufë e vogël rripash lëkure, të thurur si gërshet ose të përdredhur së bashku, që i vihen kamxhikut në majë; kamxhik. I ra (e rrahu) me dredhë.

5. Teli i harkut, me të cilin rrihet ose shprishet leshi.

6. Purtekë e gjatë dhe e dredhur në mes, që përdoret për të shirë drithin duke e rrahur; thupër e njomë dhe e dredhur, që përdoret për punë të ndryshme. I rrihnin (i shinin) të lashtat me dredhë. Bëri një dredhë për kularin. I lidhi drutë me një dredhë.

7. Shakullinë; vorbull uji. Dredhë e fortë. Dredhë bore (pluhuri, tymi). Ngrihet si dredhë. E rrëmbeu dredha.

8. fig. Dredhi. Bën dredha. Sajonte dredha. Mos i bëj dredhë fjalës. (fj. u.).

9. bot. Dredhe.

10. bised. Rrudhë. Iu mbush balli me dredha.

Sin.: bërryl, lakadredhë, dredhim, dredhje, lak, lakore, lakim, gjarpërim, kaladredhë, tërthore, dredhëse, gjalmë, retër, lidhëse, shprishës, kamxhik, kaçurrela, , shtjellë, loze, dredhe, urth.

Bën dredha (dikush) është hileqar, nuk e mban fjalën, nuk është i qëndrueshëm, luan sa andej këtej; luan nga e vërteta; bën bisht; bën lodra; bën laradashë. I bën dredha (dikujt a diçkaje) përpiqet t’i shpëtojë a t’i largohet dikujt që nuk e do, i shmanget që të mos e takojë a të mos i dalë ballas; u shmanget vështirësive, punës, detyrës, përgjegjësisë etj.; i ruhet çdo rreziku, i dredhon diçkaje të keqe; i bën bisht. I bën dredhë fjalës (dikush) nuk i qëndron fjalës së dhënë, sillet e flet si t’ia dojë puna; nuk e mban fjalën, nuk është i qëndrueshëm e i besës, e dredh; e ha fjalën. I bën dredha plumbit (dikush) i ruhet një rreziku të madh, i shmanget diçkaje shumë të rëndë; di ta ruajë veten nga rreziqet, është i shkathët e i zoti dhe nuk e gjen dot një e keqe e madhe. Dredha e djallit keq. njeri shumë i djallëzuar; djalli vetë. I hoqi (i dha) një dredhë (dikujt) e rrahu shumë me kamxhik; i dha një të rrahur; e qortoi a e kritikoi rëndë; i dha (i hoqi) një dru (të mirë). E rrëmbeu dredha (dikë) ka rënë keq si në një vorbull dhe nuk po i shkojnë punët ashtu si do vetë; ra në rrethana të papërballueshme; s’e ka në dorë veten.

 

KÓD/ËR,~RA f. sh. ~RA, ~RAT (lexo: kodër, kodra m. sh. kodra, kodrat).

KUPTÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. (lexo: i kuptueshëm, e kuptueshme mb.).

PËRMIRËS/ÓJ vep. ~ÓVA, ~ÚAR kal. (lexo: përmirësoj vep., përmirësova, përmirësuar).

 

b. Kur trajtat plotësuese të fjalës janë krejt të parregullta ose të ndryshme, atëherë ato jepen të plota; p.sh.:

 

HA vep., HË́NGRA, NGRË́NË kal.

KA,~U m. sh. QE, QÉTË 

PLAK,~U m. sh. PLÉQ, PLÉQTË

SJELL vep., SÓLLA, SJÉLLË kal.

ZI (i), ZÉZË (e) mb.

 

c. Emërtimet e pathjeshta, kur janë më shumë se një, jepen brenda një kuptimi të veçantë të fjalës kryesore pas formulës “Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje...”, me shkronja të pjerrëta dhe shpjegohen këtu me shkrim normal, kurse te gjymtyra tjetër jepen pa shpjegim dhe me markimin sipas përkatësisë në fushën tematike (bot.) për botanikë, (zool.) për zoologji, (fin.) për financë etj.; p.sh.:

 

MÁC/E,~JA fsh. ~E, ~ET 1. zool. (lat. Felis silvestris catus) Kafshë e vogël gjitare mishngrënëse, me trup të shkathët, të mbuluar me qime të buta, me sy të mprehtë e me kthetra të forta, që mbahet në shtëpi si manare ose për të gjuajtur minj. Macja mjaullin. Përkëdhel macen. Iku macja, lozin minjtë. (fj. u.). S’pi macja uthull. (fj. u.).

2. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje të ndryshme macesh ose kafshësh që në ndonjë farë mënyre kanë ngjashmëri me macet: Mace e egër (lat. Felis silvestris) mace e egër me trup të vogël, që gjuan natën dhe ushqehet me zogj e gjitarë të vegjël në pyjet e Skocisë, në Europën kontinentale e deri në Azinë Perëndimore. Mace leopard (lat. Prionailurus bengalensis) mace e egër me trup sa një mace shtëpiake, e cila është aktive gjatë ditës, por gjuan shumë edhe natën, duke parapëlqyer lepujt e minjtë. Mace peshkatare (lat. Prionailurus viverrinus) lloj maceje trupmadhe me qime gri në kafe, me njolla dhe shirita të zinj në shpatulla, që ka këmbë të shkurtra dhe bisht më të shkurtër se macet e shtëpisë. Mace deti (lat. Schyliorhinus canicula) lloj peshkaqeni me trup të hollë, të gjatë të mbuluar njolla të verdha, me turi të mprehtë dhe sy të mëdhenj si mace, që ushqehet me molusqe e peshq më të vegjël dhe gjendet me shumicë në ujërat bregdetare të Europës dhe të Afrikës Veriore.

FI/K,~KU m. sh. ~Q, ~QTË 1. bot. (lat. Ficus carica) Pemë frutore me kurorë të gjerë e të dendur, me lëvore ngjyrë hiri, me gjethe të mëdha e si këmbët e patës, që rritet në vende të ngrohta dhe bën kokrra në trajtën e një dardhe, me tul të ëmbël e plot fara të vogla, kokrra e kësaj peme. Fik i pjekur (i bërë, i arrirë;). Dru (gjethe) fiku. Varg fiqsh. Reçel fiku. Bukë fiku fiq të grirë, të ngjeshur si kulaç. Mblodhi një shportë me fiq.

2. bot. Gjymtyrë e parë e emërtimeve të pathjeshta që tregojnë lloje të ndryshme fiqsh. Fik i zi (i bardhë). Fik bishtak. Fik deti (frëngu) (lat. Opuntia ficus indica, O. erinacea) bimë shumëvjeçare a shkurre e vendeve të ngrohta, me gjethe të trasha, të tulta e të mbuluara me gjemba dhe me fryte që kanë shije si të fikut të zakonshëm; lule zbukurimi e ngjashme me këtë bimë. Fik dimëror, fik që piqet në nëntor. Fik murrash. Fik patëllxhanës fik që bën kokrra gjatoshe në ngjyrë të patëllxhanit. Fik llopës fik i bardhë kokërrmadh që piqet në shtator. Fik bualli fik vjeshtak kokërrmadh, që e ka cipën të murrme a të zezë dhe është shumë i ëmbël. Fik vjeshtak. Fik i vonë. Fik i lashtë fik që piqet herët. Fiq të parë fiqtë që piqen në qershor. Fiq të dytë fiqtë që piqen në gusht ose në vjeshtë. Fik kokërrmadh (kokërrvogël). Fik i egër (lat. Caprificus insectifera, Ficus palmata)

 

ç. Togfjalëshat e qëndrueshëm jofrazeologjikë edhe me funksion terminologjik do të jepen brenda kuptimeve përkatëse të fjalës kryesore, me shënimin për fushën e përdorimit (nëse duhet), me shpjegim te gjymtyra kryesore dhe vetëm me shënimin për fushën e përdorimit te gjymtyra tjetër, si dhe me simbol referues te gjymtyra kryesore. P.sh., togu tunel panoramik (ndërt.) do të jepet te kuptimi 1 i fjalës tunel me shpjegim dhe ndërkaq do të përfshihet edhe te lema panoramik pa shpjegim, por me simbol referues te fjala tunel; p.sh.: *Tunel panoramik (ndërt.).

 

PANORAMÍK,~E mb., libr. 1. Që ka pamje të bukur natyrore. Vend panoramik.

2. spec. Që rrok gjithë pamjen përqark, që përfshin gjithë pamjen rreth e rrotull. Dylbi panoramike. Tunel panoramik (ndërt.) tunel me hapësira drite nga njëra anë e tij.

3. Që paraqit në mënyrë të përgjithshme dukuritë e çështjet e një fushe, tërësor, i përgjithshëm. Vështrim panoramik. Pasqyrë panoramike. Në formë panoramike.

Sin.: i bukur, i përgjithshëm, tërësor, panoramor.

 

 

§ 14. Njësitë frazeologjike jepen zakonisht te dy gjymtyrët kryesore, por ato shpjegohen vetëm një herë – të gjymtuara që ka ngarkesën kuptimore e idiomatike kryesore. Te gjymtyrët e tjera njësia frazeologjike nuk shpjegohet, por çohet te gjymtyra ku është shpjeguar; p.sh.: si veshka në mes të dhjamit shpjegohet te dhjamë,~i; s’ngopet ariu me miza (fj. u.) shpjegohet tek ari,~u; e ha barutin me grushte shpjegohet te grusht,~i etj.; këto njësi frazeologjike jepen përkatësisht edhe te veshk/ë,~a, miz/ë,~a, barut,~i, por referohen te gjymtyrët ku janë shpjeguar. Njësitë frazeologjike jepen në atë trajtë dhe në ato lidhje të ngushta fjalësh në të cilat përdoren zakonisht në ligjërim; p.sh.: e hodhi lumin (hendekun, vaun); i bëri varrin (gropën); hiq (tërhiq) e mos e këput; të merr gjak në vetull; mbeti si peshku pa ujë (në zall); e kërkoi (e pësoi, vajti) si breshka te nallbani etj. Sinonimet e gjymtyrëve të njësisë frazeologjike, si dhe fjalët e afërta që mund të zëvendësojnë njëra-tjetrën në të njëjtën strukturë, jepen në kllapa; p.sh.: i ha (i kruhet) kurrizi (shpina) dikujt; i priste palla (shpata, kordha, sëpata, jatagani) nga të dyja anët (djathtas e majtas); e ka mizën nën shapkë (nën kësulë, nën feste); më zuri goja (gjuha) lesh; i zuri (i ndeshi, i hasi, i ra) sharra në gozhde etj. Renditja e njësive frazeologjike dhe e togjeve të tjera bëhet sipas numrit të gjymtyrëve dhe brenda grupeve, sipas alfabetit. Kjo renditje, nuk mbahet, kur dy njësi lidhen nga ndërtimi ose nga kuptimi dhe prandaj vihen pranë njëra-tjetrës.

 

§ 15. Kuptimet e fjalëve dëshmohen me thënie, që plotësojnë a sqarojnë më mirë shpjegimet e fjalëve, tregojnë lidhjet e mënyrën e përdorimit të tyre etj. Thëniet që vihen në fjalor janë zakonisht togje të lira e të shkurtra fjalësh (prej dy a tri gjymtyrësh), të përzgjedhura sipas vlerës që kanë për të vërtetuar jetën e gjallë të fjalës a të termit, ose nëse plotësojnë semantikisht shpjegimin (përkufizimin), ose nëse nxjerrin në pah nuanca kuptimore a ngjyrime emocionore. Ato renditen sipas kuptimit e ndërtimit: p.sh., tek emrat më parë vihen thëniet që shënojnë llojet e sendit a të dukurisë dhe që janë zakonisht emër + mbiemër (si dimër i ashpër, mot i ngrohtë, kabinë elektrike. bar i njomë, pjatë e nderë, fill i dredhur etj.), thëniet emër + emër (si qumësht lope, mish viçi, vaj ulliri, rrugë mali, kripë gjelle, kabina e shoferit, kabinë dushi) dhe thëniet emër + parafjale + emër (si gjalpë pa kripë, njeri me pushtet, fushë me grurë etj.). Pastaj vijnë thëniet për pjesët e sendit ose për veprimet që lidhen me të dhe që zakonisht përbëhen nga emër + fjala e shpjeguar (si kabina e pilotit, halat e pishës, gryka e lumit, bateritë e pultit, fleta e fletores, etj.), thëniet me marrëdhënie kundrinore që përbëhen nga folje + emër (si mora diplomën, ndez zjarrin etj.). Si thënie janë vënë edhe disa njësi frazeologjike ose fjalë të urta që lidhen drejtpërdrejt me kuptimin përkatës. Në raste të tilla shpjegimi i kuptimit plotësohet zakonisht me shënimin: edhe në një varg njësish frazeologjike. Më rrallë janë vënë si thënie fjali të plota, vargje të shkëputura ose pjesë nga dialogë, që jepen në mes dy katrorësh: p.sh.: - Nesër do të shkosh? - E, nesër. Gjymtyrët e një tipi, me të cilat mund të lidhet një fjalë për të formuar thënie të ndryshme, vihen në kllapa, pa përsëritur fjalën kryesore; p.sh.: Ana e mbarë (e prapme, e pasme). Ajka e qumështit (e gjellës, e kafesë). Mollë (dardhë) e ëmbël. Era e malit (e fushës) etj. Nuk bashkohen në këtë mënyrë gjymtyrët që kanë përmbajtje e ngjyrim krejt të kundërt, si: Njeri i mirë (i ndershëm, i drejtë). Njeri i keq (i lig, i poshtër, gënjeshtar...). etj. ose që formojnë emërtime të pathjeshta (arra kokërrzemër, arra gjethe frashër,  arra e zezë etj.).

 

 

III. SHËNIMET GRAMATIKORE

 

§ 16. Për çdo fjalë jepen vetëm ato shënime gramatikore që janë të domosdoshme për të kuptuar përmbajtjen e përdorimin e saj sipas normës së sotme gramatikore të gjuhës sonë standarde. Veç shënimeve të zakonshme, siç janë shënimet për pjesën e ligjëratës së cilës i përket fjala, për gjininë, numrin, diatezën etj., janë përdorur edhe disa shënime të tjera që tregojnë llojin e kuptimit (si përmb. për kuptimet përmbledhëse, fig. për kuptimet e figurshme, si em. për përdorimet emërore, si mb. përdorim si mbiemër etj.) ose që kufizojnë disa nga shënimet e mëparshme (si kryes. sh. për emra e folje që përdoren kryesisht në numrin shumës etj.). Për mjetet fjalëformuese është përdorur shënimi fjalëform., kurse për disa trajta me temë të ndryshme nga trajtat përfaqësuese (kryesisht foljore) nuk vihen shënime gramatikore të veçanta, pasi këto përfshihen në vetë shpjegimin.

 

§ 17. Për emrat, veç trajtës së pashquar të njëjësit, vihen si trajta plotësuese trajta e shquar dhe trajtat e numrit shumës.

Për emrat, që në numrin shumës dalin në dy trajta, këto jepen të dyja; p.sh.:

 

BUBURRÉC,~I m. sh. ~A, ~AT dhe ~Ë, ~ËT 

SHAKÁ,~JA f. sh. ~, ~TË dhe ~RA, ~RAT

 

Nëse emrat dalin në një kuptim të veçantë me trajta të tjera plotësuese të shumësit, atëherë trajtat plotësuese vihen në fillim të shpjegimit të kuptimit.; p.sh.:

 

PRAPËSÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Të qenët i prapë, sjellje e prapë; veprim i keq, punë e mbrapshtë. Prapësitë e fëmijës. Nuk bën prapësi.

2. Fjalë e keqe. Nuk thotë prapësi. Nuk nxjerr prapësi nga goja.

3. Mungesë përparimi e mbarësie në diçka, mbrapshti. Filloi (nisi) prapësia.

4. Fatkeqësi, e keqe; kund. mbarësi. Sjell (ndjell) prapësi. E ndiqnin prapësitë. Nuk iu ndanë prapësitë.

5. sh. ~RA, ~RAT Lloje të ndryshme prapësish. Prapësirat e tij nuk kanë të sosur.

Sin.: mbrapshti, prapështi, mbrapshtim, e prapë, xanxë, djallëzi, e keqe, tersllëk, fatkeqësi.

 

§ 18. Për mbiemrat, veç trajtës përfaqësuese, vihet edhe trajta e gjinisë femërore. Te mbiemrat, që përdoren vetëm në një gjini, veç shënimit për pjesën e ligjëratës, janë vënë, sipas rastit, edhe shënimet vet. m. (vetëm në gjininë mashkullore) ose vet. f. (vetëm në gjininë femërore); p.sh.:

 

BÁRRSË mb. f. Që është me barrë (kryesisht për kafshë) Lopë barrsë.

PATËLLXHÁNËS mb. m. Që është vjeshtak, kokërrgjatë, ngjyrëmanushaqe e shumë i ëmbël, që, kur piqet, plasaritet vija-vija (për një lloj fiku). Fik patëllxhanës.

 

 

§ 19. Për foljet, veç trajtës përfaqësuese, vihen trajtat e së kryerës së thjeshtë dhe ato të pjesores. Trajtat plotësuese jepen dhe te foljet vetvetore dhe te trajta e pësores.

 

a. Për karakteristikën e përgjithshme gramatikore të foljeve përdoren shkurtimet për trajtën vep. e jovep.; te kuptimet vihen shkurtimet për diatezën (vetv. pës., pavet., njëvet.) a shkurtimet për kalimtarësinë  a moskalimtarësinë e veprimit (kal., jokal.); p.sh.:

 

MADH/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Përkujdesem për dikë që të rritet e të bëhet i madh, e rrit. Prindërit e rritën dhe e madhuan.

2. Rrit, zmadhoj. E madhoi moshën. Këto ngjyra ia madhonin bukurinë pikturës. Si shpërblim, i vinte një ferman i madh nga Stambolli, që ia forconte rrënjët e ia madhonte vulën.

3. keq. I rrit vlerën a rëndësinë dikujt ose diçkaje; e mburr dikë më shumë sesa e meriton a sesa duhet, e lëvdoj tepër. Ia madhuan nusen. Mos e madho, se e njohim.

►MADH/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Bëhem më i madh, rritem. Rritet e madhohet dashuria.

2. vetv., vet. v. III Zmadhohet; rritet. Nga të qarët sytë iu madhuan. Flluskat ngjyra-ngjyra rriteshin e madhoheshin. Çmimi i ushqimeve madhohet ditë për ditë. Gabimet shtoheshin e madhoheshin.

3. pës. e MADHÓJ.

 

b. Foljet njëvetore e pavetore jepen që në krye në vetën e tretë të numrit njëjës, pa ndonjë shënim të veçantë; p.sh.:

 

VES/ÓN vep., ~ÓI, ~ÚAR jokal. 1. pavet ...

.........................................

 

c. Te kuptime të veçanta të foljeve, që në krye janë dhënë në vetë të parë, vihet shënimi vet. v. III kur përdoren vetëm në këtë vetë.; p.sh.:
 

BUZËQÉSH vep., ~A, ~UR jokal. 1. Vë buzën në gaz, qesh lehtë duke lëvizur pak buzët; nënqesh. Buzëqesh i gëzuar. Buzëqesh lehtë (ëmbël, hidhur). Buzëqesh me pahir (me qesëndi). I buzëqeshin njëri-tjetrit. 

2. fig., vet. v. III Del, shfaqet me një pamje të gëzueshme e të këndshme. Buzëqesh dielli (hëna). Buzëqesh mëngjesi. Buzëqesh deti. Buzëqesh natyra (pranvera). 

3. fig., vet. v. III (me trajtë të shkurtuar të përemrit vetor në r. dhanore) Më del përpara si diçka e bukur dhe e gëzuar, më afrohet si diçka premtuese, duket sikur do t’ia arrij, më bëhet i mundshëm (për fitoren, suksesin etj.). Na buzëqesh e ardhmja.

Sin: nënqesh, qesh, qeshem.

 

ç. Kur pas trajtës përfaqësuese kryesore të foljes është dhënë në kllapa edhe një variant fonetiko-morfologjik që përdoret sot në gjuhën letrare kombëtare, elementet e trajtave plotësuese lidhen me variantin kryesor jashtë kllapave; p.sh.:

 

MAT (MAS) vep., ~A, ~UR kal. (do të thotë që ~A, ~UR lidhen me MAT, pra: mata, matur).

UJÍT (UJÍS) vep., ~A, ~UR kal. (do të thotë që ~A, ~UR lidhen me UJIT, pra: ujita, ujitur).

 

§ 19. Disa shënime gramatikore të shkurtra jepen si pjesë e shpjegimit dhe jo si shënime të veçanta në këto raste:

 

a. Te foljet pësore që shpjegohen në lidhje me foljet veprore përkatëse; p.sh.:

 

SHQIPËR/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR pës., vet. v. III e SHQIPËRÓJ.

 

b. Te përdorimet emërore, mbiemërore, ndajfoljore etj. të pjesëve të tjera të ligjëratës; p.sh.:

 

SHEGÁN,~E mb. 1. ...

........................

3. si  em. m. f.  Sipas kuptimeve të mbiemrit.

 

SHQIPÓNJ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. ...

....................................... 

4. fig., si mb. sipas kuptimit 2 të emrit.

 

c) Te trajtat me temë krejt të ndryshme që çohen tek trajta përfaqësuese;

p.sh.:

 

DHÁSHË kr. thj. e JAP.

MUA dhan. dhe kallëz. e përem. vetor UNË.

 

 

 

IV. SHPJEGIMI I KUPTIMEVE TË FJALËVE DHE TË NJËSIVE FRAZEOLOGJIKE

 

§ 20. Shpjegimet e kuptimeve të fjalëve e të njësive frazeologjikeFjalor kanë karakter gjuhësor (filologjik) dhe jo enciklopedik. Ato synojnë të jenë të plota e të përpikta dhe sa më të thjeshta e të qarta.

Shpjegimet fillojnë zakonisht me fjalën që shënon klasën më të afërt ku bën pjesë realia (sendi, veprimi etj.) e vijon me ndërtimin e saj, me cilësitë, lëndën, funksionin etj.; p.sh.: bilbil,~i ...zog...; qumësht,~i ... bulmet...; sharroj ... pres me sharrë..;. tryez/ë,~a ... orendi... etj.

 

§ 21. Emrat prejfoljorë të veprimit me -im dhe -je trashëgojnë prej foljeve gjegjëse kuptimin e veprimit, veçse e shprehin atë jo si proces, si folja, por të substantivuar. Prandaj edhe shpjegimi i tyre nis me një emër veprimi, kurse i foljeve me një folje. Shpjegimi bëhet sipas formulimit tip do të jetë:

Për veprimin: Veprimi kur + foljet përkatëse:

Për gjendjen: Gjendja kur + foljet përkatëse; p.sh.:

 

LÁRJ/E,⁓A f. sh. ~E, ~ET Veprimi kur lajmë dikë a diçka ose kur lahemi. Larja e duarve. Larja e rrobave (e enëve). Larja e filmit. Makina e larjes. Vendi i larjes.

RINGJÁLLJ/E,~A fVeprimi kur ringjallim dikë ose kur ringjallet dikush a diçka. Ringjallja e vendit. Ringjallja e ekonomisë (e industrisë, e bujqësisë). Ringjallja e diktaturës (e militarizmit, e fashizmit).

BRENGÓSJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur brengosim dikë ose kur brengosemi.

2. Gjendja kur brengosim dikë ose kur brengosemi. Bie në brengosje.

 

§ 22. Shpjegimi i emrave prejfoljorë asnjanës do të jetë me referim tek emrat me -im,  -je, -es(ë), -atë.

 

§ 23. Në shpjegime e në shembuj, fjalët si gjymtyrë homogjene, me nyja të përparme, me trajta analitike a të pathjeshta foljore etj., do të jepen me strukturë të plotë; p.sh.:

 

RESPEKTÍM,~I m.  1. ...

2. Plotësim i përpiktë i kërkesave të caktuara; zbatim. Respektimi i parimeve (i ligjeve, i marrëveshjes) [jo: Respektimi i parimeve (ligjeve, marrëveshjes...)] 

 

Po kështu jepen të plota trajtat e pathjeshta të foljeve; jo: … ka kërkuar, pyetur e hetuar imtësisht…, por: ka kërkuar, ka pyetur e ka hetuar imtësisht...; jo: …për të marrë, studiuar e zbatuar…, por: …për të marrë, për të studiuar e për të zbatuar… etj.

 

§ 24. Kuptimet renditen sipas lidhjeve dhe varësisë që kanë ndërmjet tyre. Zakonisht në fillim vihet kuptimi më i përgjithshëm e më i njohur. Nuancat brenda një kuptimi ndahen me pikëpresje.
 

§ 25. Sinonimet në Fjalor janë përdorur si mjete të drejtpërdrejta dhe si mjete plotësuese të shpjegimit. Si mjete të drejtpërdrejta jepen kur shpjegohet një variant fjalëformues ose një fjalë e huaj që ende nuk ka dalë nga përdorimi, po që mund të zëvendësohet me fjalë shqipe, kur fjala ka ngjyrim të qartë stilistik, është e vjetruar a krahinore në krahasim me një tjetër ose kur një variant leksikor çfarëdo përdoret më pak se një tjetër më i përhapur etj.; p.sh.:

 

DHASKÁL,~I m. sh. DHASKÉNJ, DHASKÉNJTË 1. vjet. Mësues.

..........................................

BARKÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Barkëtar.

GACULLÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT zool.  Xixëllonjë.

FERMENT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR spec., kal. 1. Tharmëtoj. Fermentoj verën.

2. spec., vet. v. III Tharmëtohet. Fermentohet birra.

►FERMENT/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR vet. v. III ...

 

FERMENTÚAR (i, e) mb., spec. I tharmëtuar. Lëng rrushi i fermentuar.

FERMENTÚES,~E mb., spec. Tharmëtues. Substancë fermentuese.

FERMENTÚES,~I m. sh. ~, ~IT spec. Tharmëtues. Fermentuesit e verës.

FERMENTÚES/E,~JA f. sh. ~E, ~ET spec. Tharmëtuese. Kishin fermentuese cilësore.

FERMENTÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. I tharmëtueshëm. Lëng i fermentueshëm.

 

Si mjete plotësuese sinonimet përdoren brenda shpjegimeve ose në fund të tyre dhe ndahen sipas rastit me presje a me pikëpresje. Si rregull vihen më të njohura te fjalë më pak të njohura me përjashtim të rasteve kur sinonimi më pak i njohur vihet te një më i njohur me qëllim që të këshillohet zëvendësimi i tij.

 

§ 26. Fjalët dialektore shpjegohen me perifrazim ose me sinonimi. Variantet dialektore shpjegohen duke iu referuar trajtës së standardit.

 

§ 27. Si mjete plotësuese të shpjegimit përdoren edhe antonimet e mirëfillta, që jepen në fund të shpjegimeve me shkurtimin kund. dhe me fjalën antonimike me shkronja të zeza normale.

 

MADH (i), ~E (e) mb. 1. Që ka vëllim ose përmasa mbi mesataren; që zë një sipërfaqe ose vëllim jo të vogël; i gjerë, i shtrirë; i bollshëm; kund. i vogël. Gur (shkëmb, mal) i madh. Anije e madhe. Arë e madhe. Pyll i madh. Qytet (port, vend, shtet) i madh. Shtëpi (dhomë) e madhe. Shpellë të madhe. Me duar të mëdha. Me sy të mëdhenj. Xhaketë e madhe. Dallgë e madhe. Lumë (hendek) i madh. Livadh i madh. Bjeshkë e madhe. Largësi (thellësi) e madhe. E ka këmbën të madhe. Ecte me hapa të mëdhenj. Ndërtoi një kub të madh. Vizitoj piramidat e mëdha. Në mur u hap një e çarë e madhe. 

2. Që ka shtat të gjatë, që ka trup mbi mesataren, i gjatë; i lartë; kund. i vogël. Djalë (burrë) i madh. Vajzë e madhe. Lis i madh. Pemë e madhe.

…..................

4. Që përbëhet nga shumë njësi, pjesë, frymorë, sende etj.; i shumtë; kund. i vogël. Tufë (kope) e madhe dhensh. Grup i madh njerëzish. Ngre pesha të mëdha. Vendi ka popullsi të madhe. Janë familje e madhe. Bëri një numër të madh pyetjesh.

….................

7. Që ia kalon nga mosha dikujt tjetër; kund. i vogël. Jemi tre fëmijë, unë jam djali i madh. Ajo është motra ime e madhe. I doli përpara kunati i madh.

8. Që ka arritur moshën e pjekurisë, që është zhvilluar plotësisht në moshë dhe në trup, i rritur; kund. i vogël; i ri. Në moshë të madhe. Është i madh tani. U bë i madh u rrit, arriti një moshë madhore.

9. Që është në moshë të vjetër, i plakur, i kaluar, i shkuar, i thyer (për moshën); kund. i ri.

10. Që bëhet për një kohë të gjatë; që vijon a zgjat më shumë se zakonisht; kund. i vogël; i shkurtër. Pati një ndërprerje (vonesë) të madhe. U bë heshtje e madhe. Pushimi i madh në shkollë zgjat 25 minuta.

 

§ 28. Në disa raste shpjegimet me përkufizim, për t’u bërë sa më të qarta e të kapshme, plotësohen edhe me elemente të tjera, si simboli për elementet kimike, shkurtimi për njësitë e masave, shembujt për disa mjete fjalëformuese ose për disa tipa fjalësh, për disa figura të stilistikës letrare etj.; p.sh.:

 
AMPÉR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT fiz. Njësi për të matur fuqinë e rrymës elektrike (shkurt. A).

FOSFÓR,~I m., kim. Element i thjeshtë kimik... (simboli P); ...

PORSÁ- fjalëform. Pjesë e parë e fjalëve të formuara nga tema e mbiemrave prejpjesorë, me kuptimin “që sapo ka ndodhur a që sapo është bërë” (p.sh., i porsaardhur, i porsaçelur etj.).

 

§ 29. Me referim (me shënimin shih ose shih te) jepen ato fjalë, kuptime, njësi frazeologjike e emërtime të pathjeshta që nuk përdoren sot realisht ose që nuk këshillohet të përdoren, që janë variante fonetike fjalëformuese të ngushta, fjalë të huaja, të vjetruara etj. ose që i përgjigjen vetëm një kuptimi a një numri të kufizuar kuptimesh të njësisë ku referohen; p.sh.:

 

ANGAZHÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. ...

2. shih ZOTIM,~I.

ÁMËT (i, e) mb. 1. shih AMËSHT (i, e)1.

.........................................

ARITMETIKÓR,~E mb. shih ARITMETÍK,~E.

 

§ 30. Për disa klasa e grupe fjalësh me lidhje fjalëformuese, në vend të shpjegimit janë përdorur shprehje të përgjithësuara (edhe me shkurtime), që i lidhin ato me fjalët e tjera të shpjeguara plotësisht. Mënyra të tilla përdoren:

 

1. Për huazimet që në fjalor, kur kanë gjegjësen e vet, do të shpjegohen me referim (shih); p.sh.:

 

AGRAV/ÓJ vep., ~ÓVA (u), ~ÚAR  shih RËNDÓJ.

RADIÁL,~E mb., libr. shih RREZÓR,~E.

RAPÓRT,~IІІ m. sh. ~E, ~ET 1. kryes. sh. shih MARRËDHË́́NI/E,~A.

...................................................

 

2. Përpjesëtimi midis dy a më shumë anëve, dukurive, madhësive; lidhje e ndërsjellë sipas një përpjesëtimi të caktuar. Raporte sasiore (cilësore). Raporti i forcave. Raporti ndërmjet numrave (madhësive, vlerave). Raporti ndërmjet masës dhe energjisë. Në raportin një me njëqind. E ndryshoi (e prishi) raportin. U vendos një raport i drejtë. Në raport me... në krahasim me.

 

3. Për emrat e prejardhur me kuptim zvogëlues, që në fjalorët e mëparshëm janë dhënë me shprehjen e shkurtuar zvog. e..., tanimë është dhënë shpjegimi i plotë, p.sh.:  MIÚSH,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Mi i vogël. ...

 

 

§ 30. Te parafjalët me shumë kuptime, për ta thjeshtuar shpjegimin, pjesa e përbashkët e përkufizimit të kuptimeve jepet që në krye; p.sh.: 

 

PA parafj. Përdoret me një emër, me një përemër ose me një numëror në rasën kallëzore për të treguar: 1. Mungesën e dikujt a të diçkaje në një kohë a vend të caktuar ose gjatë një veprimi ose mungesën e një gjymtyre a pjese te dikush a te diçka etj. Shtëpi pa ballkon. Arrë pa bukë. Gjellë pa mish. Ditë pa diell. Natë pa hënë. Dimër pa borë. Humbi pa gjurmë. Jetonin pa fëmijët. Nuk rrinte dot pa të. Armëmbajtje pa leje. Fëmija pa nënë si nata pa hënë. (fj. u.). 

2. Mungesën e një pjese ndaj një njësie të plotë të peshës, të gjatësisë a të kohës (me fjalë që tregojnë sasi, masë, kohë). Tetë pa dy (minuta). Dhjetë pa pak. Një metër pa katër centimetra. Peshon pesë kile pa dyqind gramë. 

3. Mungesën e një vetie të brendshme a të një tipari thelbësor e të përhershëm. Gjellë pa shije. Njeri pa cene (pa fjalë). Njeri pa cipë (pa turp, pa nder, pa vlerë, pa brumë). Fëmijë pa vullnet. Vajzë pa djallëzi.  

4. Mungesën a mohimin e një veprimi a një gjendjeje të caktuar ose të një mënyre veprimi, të një rrethane etj. gjatë kryerjes së një pune, gjatë shfaqjes së një dukurie etj. Doli pa humbje. U dorëzua pa kushte. Punonte pa kujdes (pa mend në kokë). Flet pa pushim. Mbeti pa gojë. E bëri pa dashje. E bëri pa bujë. E la pa frymë. Na la pa mend. E kish pa të keq. Shaka pa lezet (pa kripë). Çështje pa rëndësi. Fjalë pa vend. 

5. Mungesën e cakut a të kufijve në hapësirë, në kohë ose në sasi etj. Erdhi pa vonesë. Kishte pa numër. Shpenzon pa hesap. Ha (flet, shëtit, vjen) pa kohë. Erdhën të gjithë pa përjashtim. 

6. Heqjen, përjashtimin, veçimin e diçkaje a të dikujt (në kuptimin “duke mos e llogaritur, duke e hequr a zbritur, duke e përjashtuar, veç, përveç”). Peshon 10 kilogram pa ambalazhin.

7. Përdoret me një emër të përsëritur për të ndërtuar togje të qëndrueshme që shënojnë një mënyrë veprimi ose një rrethane, e cila zakonisht nuk është e përshtatshme a e dëshirueshme. Flet (ndërhyn) vend e pa vend. Vjen kohë pa kohë. Udhëtuan rrugë pa rrugë. 

 

 § 31. Shpjegimi i njësive frazeologjike dhe i njësive të tjera që vihen pas yllthit (*) bëhet sipas parimeve të shpjegimit të fjalëve, në përputhje me klasën e tyre leksiko-gramatikore. Kur ato kanë më shumë se një kuptim, ndarja e kuptimeve shënohet me numra.

Shpjegime plotësuese jepen edhe te disa thënie kuptimi i të cilave nuk del plotësisht i qartë nga shpjegimi i fjalës me të cilën lidhen.

 

 

V. SHKURTIMET DHE SHENJAT

 

§ 32.Fjalor jepen edhe shkurtime të ndryshme për fjalët, për kuptimet, për togjet e fjalëve, për frazeologjinë dhe për disa thënie:

a. Për pjesët e ligjëratës dhe për kategoritë e kuptimet gramatikore (p.sh.: m., f., sh., kal., jokal., vetv., ndajf., pj. etj.); 

b. Për llojet dhe kufizimet e kuptimeve (p.sh.: përmb., fig., kryes. nj. etj.);

c. Për veçoritë stilistike sipas ligjërimeve dhe për sferat e përdorimit (p.sh.: bised., libr., thjesht., vjet., lart., poet., bot., zool., kim., det., fet. etj.);

ç. Për ngjyrimet emocionuese e shprehëse (p.sh., përk., tall., përb., keq. etj.).

 

Kur fjala, kuptimi a togu i fjalëve përdoret në dy-tri fusha të ndryshme ose ka dy-tri vlera stilistike e të përdorimit njëkohësisht, shoqërohet me të gjitha shkurtimet përkatëse të ndara me presje; p.sh.:

 

ARÁSHK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT bot., krahin. Panxhar...

BALLUKECJÁP,~E mb., shak., tall. ....

 

Kur fjala, kuptimi ose togu i fjalëve me karakter terminologjik përdoret në dy a më shumë fusha të shkencës e të teknikës, zakonisht shoqërohet me shkurtimin spec.; p.sh.:

 

BAKTERMBYTËS,~E mb., spec. 1. ...

...............................

Për fjalët e urta është përdorur shkurtimi fj. u. në kuptimin më të gjerë që të shpjegohet në Fjalor.

 

 § 33.Fjalor janë përdorur edhe disa shenja, si vija e lakuar horizontale (~) , që përfaqëson pjesën e pandryshueshme të fjalëve, katrori (), që vihet në të dy anët e një shembulli në trajtë dialogu, yllthi (*), që vihet në krye të pjesës së dytë të artikullit për çdo fjalë etj.

   

 

Shenjat

 

*   shenjë referimi te fjala ku shpjegohet një njësi togfjalëshore

♦ – shenjë që vihet para paragrafit frazeologjik

 – shenjë që vihet para vargut sinonimik

–  shenjë që ndan pjesën e ndryshueshme nga pjesa e pandryshueshme e fjalës 

~ – shenjë që lidh trajtën plotësuese a pjesën e ndryshueshme nga pjesa e pandryshueshme e fjalës

 

Shkurtimet

anat.

term në anatomi

angl.

anglisht

antrop.

term në antropologji

arb.

fjalë a shprehje e arbëreshëve të Italisë ose të Greqisë

arkeol.

term në arkeologji

arkit.

term në arkitekturë

ars.

term në arsim

art.

term i arteve

as.

emër i gjinisë asnjanëse

astr.

term në astronomi

astrol.

term në astrologji

astron.

term në astronautikë

aut.

automobilizëm

av.

term në aviacion

bank.

term në bankë

bet.

si betim

bibliotek.

term në bibliotekonomi

biokim.

term në biokimi

biol.

term në biologji

bised.

i ligjërimit bisedor

blet.

term në bletari

bot.

term në botanikë; emërtim për bimë

bujq.

term në bujqësi

det.

term në detari

dëft.

përemër dëftor

dipl.

term në diplomaci

drejt.

term në drejtësi

dhan.

dhanore (rasa)

e.

emërore (rasa)

ek.

term në ekonomi

elektr.

term në elektronikë

elektrotek.

term në elektroteknikë

em.

emër

estet.

term në estetikë

etnogr.

term në etnografi

euf.

eufemizëm

f.

emër i gjinisë femërore; në gjininë femërore

farm.

term në farmaceutikë

fet.

fjalë a shprehje fetare

fëm.

fjalë a shprehje fëmijërore

fig.

kuptim i figurshëm

filoz.

term në filozofi

fin.

term në financë

fiz.

term në fizikë

fiziol.

term në fiziologji

fj. u.

fjalë e urtë

fjalëform.

element fjalëformues

folk.

folklor; term i folklorit

fot.

term në fotografi

frëngj.

frëngjisht

gr.

greqisht

gj.

gjinore (rasa)

gjah.

term në gjueti

gjell.

term në gjellëtari

gjeod.

term në gjeodezi

gjeofiz.

term në gjeofizikë

gjeogr.

term në gjeografi

gjeol.

term në gjeologji

gjeom.

term në gjeometri

gjëz.

gjëegjëzë

gjuh.

term në gjuhësi

hek.

term në hekurudha

hidrol.

term në hidrologji

hidrotek.

term në hidroteknikë

hist.

term në histori; historizëm

ind.

term në industri

inf.

term në informatikë

iron.

me ironi

jokal.

folje jokalimtare

jovep.

formë joveprore e foljes

kallëz.

kallëzore (rasa)

kal.

folje kalimtare

kallëzues.

si kallëzues

keq.

me kuptim keqësues

kim.

term në kimi

kinem.

term në kinematografi

kirur.

term në kirurgji

kish.

term kishtar

kompj.

term i kompjuterit

kopsht.

term në kopshtari

koreogr.

term në koreografi.

kr. pop.

i krijimtarisë popullore

kr. thj.

e kryera e thjeshtë

krahin.

fjalë a shprehje krahinore; krahinorizëm

kryes.

kryesisht

kund.

fjalë me kuptim të kundërt; antonim

lart.

i stilit të lartë

let.

term në letërsi; letërsi

libr.

i ligjërimit libror

lidh.

lidhëz

lidhor.

përemër lidhor

log.

term në logopedi

logj.

term në logjikë

m.

emër i gjinisë mashkullore; në gjininë mashkullore

mallk.

mallkim

mat.

term në matematikë

mb.

mbiemër

mek.

term në mekanikë

meteor.

term në meteorologji

min.

term në mineralogji e në miniera

mit.

nga mitologjia

mjek.

term në mjekësi

moh.

pjesëz mohuese; mohues

mospërf.

me ngjyrim mospërfillës

muz.

term në muzikë

ndajf.

ndajfolje

ndërt.

term në ndërtim

neol.

neologjizëm, fjalë e re

num.

numëror

nj.

numri njëjës

njëvet.

folje njëvetore

okul.

term në okulistikë

opt.

term në optikë

onom.

onomatope, tingullimitim

pacak.

përemër i pacaktuar

pakr.

koha e pakryer

palak.

fjalë e palakueshme

paleont.

term në paleontologji

pasth.

pasthirrmë

pedag.

term në pedagogji

peshk.

term në peshkatari

përb.

me ngjyrim përbuzës

përçm.

me ngjyrim përçmues

përem.

përemër

përf.

me vlerë përforcuese

përk.

me ngjyrim përkëdhelës

përmb.

përmbledhës

pës.

folje pësore

pj.

pjesëz

pjes.

pjesore (e foljes)

poet.

fjalë a shprehje poetike

pol.

term në politikologji

pron.

përemër pronor

prov.

proverb

psikol.

term në psikologji

pub.

term në publicistikë

pyllt.

term në pylltari

r.

rasa

radio.

term në radioteknikë

rrjedh.

rrjedhore (rasa)

rrallë

me përdorim të rrallë

sizm.

term në sizmologji

soc.

term në sociologji

spec.

term special ose në disa fusha

sport.

term në sport

sh.

numri shumës

shah.

term në shah

shak.

me shaka

shar.

me ngjyrim sharës

shih

për shpjegimin me referim

shkenc.

term në shkencë

shpërf.

me ngjyrim shpërfillës

shtypshkr.

term në shtypshkronjë

tall.

me ngjyrim tallës

teatër

term në teatër

tek.

term në teknikë

teknol.

term në teknologji

tekst.

term në tekstile

telegr.

term në telegrafi

topogr.

term në topografi

tr.

trajtë

supl.

trajtë supletive

trans.

transport

treg.

term në tregti

tur.

turizëm

tv.

term në televizion

thjesht.

i ligjërimit të thjeshtë

ur.

urim

urb.

term në urbanistikë

ushq.

term në ushqim

usht.

term në ushtri

v.

veta

vep.

formë veprore e foljes

vet.

shkurtim i fjalës vetëm

veter.

term në veterinari

vetor.

përemër vetor

vetv.

folje vetvetore

vjet.

i vjetruar; arkaizëm

zakon.

zakonisht

zejt.

zejtari

zool.

term në zoologji; emërtim për kafshë

zootek.

term në zooteknikë

zooveter.

term në zooveterinari

zvog.

me kuptim zvogëlues

zyrt.

fjalë a shprehje e punëve zyrtare


Jani Thomai
Valter Memisha