Në këtë shtojcë përfshihen shprehje që përdoren ose mund të përdoren në ligjërimin e shkruar shqip, kryesisht në ligjërimin libror, në stilin shkencor, juridik, në veprimtarinë politike e zyrtare, në publicistikë, në letërsinë e përkthyer etj. Si njësi specifike, të ndërfutura në komunikimin e këtyre ligjërimeve e stileve, zakonisht janë vënë shënime për fushën e përdorimit.
Shumica e këtyre shprehjeve kanë strukturë togfjalëshi, edhe si togfjalësha terminologjikë, por ka edhe fjalë të urta, thënie fjali, si dhe disa sintagma, zakonisht parafjalë + emër (À la lettre, De facto, De jure, De visu...) ose parafjalë + ndajfolje (Ab intra, De internis, En passant...), shumë rrallë edhe njësi të përngjitura (Abrakadabra, Eureka!...). Janë shprehje të thëna nga njerëz të shquar të artit, të shkencës, të filozofisë, të politikës, nga shenjtorë, nga Bibla, nga mitologjia etj. që në lashtësi e nga njerëz të shquar përgjatë kohëve, kryesisht në latinishte e në gjuhët neolatine. Në disa raste janë shënuar edhe autorët antikë e të mëvonshëm, që i kanë krijuar a i kanë përdorur më shpesh. Disa prej tyre lidhen me ngjarje historike reale a me persona realë. Këto shprehje, enciklopedike në thelb, për shkak edhe të ngjyresës historike, me kohë kanë fituar nuanca figurshmërie e simbolike (shpesh janë sinonime me njësi frazeologjike a mënyra të thëni të figurshme) dhe përdoren kështu, sipas rastit, në shumë gjuhë, edhe në shqipen, lidhur me situata ligjërimore të ngjashme, të hapura për këtë formë gjuhësore. Bashkë me mënyrën e të thënit, me forcën e shprehësinë dhe me përmbajtjen e tyre, ato zgjerojnë e pasurojnë edhe kulturën e mendimit e të komunikimit. Janë këto vlera gjuhësore-filologjike që përligjin përfshirjen e tyre në këtë fjalor, në një shtojcë të veçantë.
Renditja e njësive bëhet sipas fjalës së parë, pavarësisht nëse është kryesore a shërbyese (parafjalë, lidhëz etj.). Pas çdo shprehjeje jepet shqiptimi dhe gjuha burimore. Shpjegimi i tyre këtu është filologjik, por rrallë shtohen edhe të dhëna të shkurtra enciklopedike, kur ndihet e nevojshme për të plotësuar dhe për të qartësuar kuptimin e përdorimin. Në fillim zakonisht jepet përkthimi i fjalëpërfjalshëm a i përafërt i shprehjes e më tej, sipas rastit, plotësohet me shpjegime sa më të gjera të nevojshme, me fjalë e me mënyra të thëni sinonimike dhe me situatën e përdorimit për të dhënë gjithë vlerat e tyre, nuancat kuptimore e mbishtresore, si edhe larminë e mundësive të barasvlerësisë me mjetet sinonimike të shqipes. “Fjalori i madh i gjuhës shqipe” po i jep këto shprehje, edhe si ndërkombëtarizma, për këdo që kërkon të dijë kuptimin e tyre ose dëshiron t’i përdorë në atë kuptim, si shprehje të mençura, me vlera të spikatura e të veçanta mbishtresore (stilistike), që i japin ligjërimit forcë e bukuri.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë