Kliko shprehjen për të hapur shpjegimin e plotë.
Da mihi ubi consistam (da míhi úbi kónsistam) lat. më jep një vend ku të qëndroj; më jep një pikëmbështetje (shprehja lidhet me fjalët e famshme të Arkimedit “Më jep një vend ku të qëndroj dhe unë do të lëviz tokën” dhe përdoret në mënyrë të figurshme kur dikush kërkon mbështetjen e duhur për arritjen e një qëllimi të lartë).
Data venia (dáta vénia) lat., libr. me miratim të dhënë; me leje të dhënë; duke nënkuptuar se një veprim është bërë ose është pranuar me miratimin e një autoriteti të lartë.
De auditu (de audítu) lat. nga dëgjimi; përmes dëgjimit; me të dëgjuar, nga sa kam dëgjuar; nga fjalët e botës (për dëshmi ose informacione që janë marrë nga dikush tjetër a nga përvoja vetjake e atij që po flet).
De caelo in coenum (de célo in cénum) lat. nga qielli në baltë; fig. nga një pozitë e lartë dhe e nderuar në një gjendje shumë të ulët; kthim prapa; rënia në një pozitë shumë të ulët; të zbresësh nga shala e të hipësh në samar; kund. de limo in caelum; ab equis ad asinos.
De candentibus atra facere (de kandentíbus átra fácere) lat. të bardhat / të ndritshmet t’i bësh të zeza; të thuash të kundërtën e asaj që duhet; të mohosh të vërtetën; ta paraqitësh diçka krejt ndryshe nga ç’është në të vërtetë; diçka të mirë e paraqit si të keqe, e nxin; e bën të bardhën të zezë; e bën mjaltin baltë.
De die in diem (de díe in díem) lat. nga dita në ditë; dita-ditës; çdo ditë e më shumë.
De duobus malis minus est eligendum (de duóbus mális mínus est elígendum) lat., fj. u. nga dy të këqija, duhet zgjedhur e keqja më e vogël; midis dy të këqijave më e vogla është më e mira; ex malis eligere minima.
De facto (de fákto) lat. në fakt, në praktikë; në realitet, në të vërtetë, faktikisht (shprehja përdoret për të treguar një gjendje reale, pavarësisht nga baza juridike që ka); kund. de jure.
De fideli (de fidéli) lat. me besnikëri; besnikërisht; me ndershmëri; me zemër në dorë (kur diskutohet për besnikërinë e dikujt lidhur me kontratat e punës, me marrëveshjet tregtare etj., ku besnikëria dhe përmbushja e detyrimeve janë të rëndësishme për suksesin e tyre).
De gustibus non disputandum (de gústibus non disputándum) lat. shijet nuk diskutohen; për shijet nuk mund të flitet; shijet e individëve janë subjektive dhe nuk ka kuptim të debatohet për to; gjithkush ka shijen e vet; chacun à son goût (Moyen Age).
De integro (de intégro) lat. nga fillimi; përsëri, edhe një herë; në mënyrë të plotë, në tërësi (për një veprim që bëhet nga e para ose për një rishikim të plotë të një çështjeje, pa marrë parasysh vendimet ose përfundimet e mëparshme).
De internis (de intérnis) lat. nga brenda; për çështjet e brendshme; në lidhje me çështjet e brendshme (në politikë, në drejtësi ose në administratë për të treguar se diçka lidhet me zhvillime që ndodhin brenda një institucioni, një shteti etj. dhe nuk lidhen me aspekte të jashtme ose ndërkombëtare).
De jure (de júre) lat., drejt. sipas ligjit; në përputhje me ligjin, ligjërisht; formalisht, zyrtarisht; sipas rregullave a normave të përcaktuara me ligj; kund. de facto.
De lana caprina (de lána káprina) lat. në qimen e dhisë; për lesh dhie; fig. për çështje pak ose aspak të rëndësishme; për argumente, debate ose shqetësime të kota, që nuk duhen marrë parasysh e seriozisht; për mustaqet e Çelos, për mjekrën e qoses (Horaci).
De limo in caelum (de límo in célum) lat. nga balta në qiell; fig. nga një gjendje e ulët në një pozitë e lartë e të nderuar; kund. de caelo in coenum.
De mortius nil nisi bonum (de mórtius nil nísi bónum) lat. për të vdekurit, asgjë tjetër, përveç së mirës; për të vdekurit veç mirë të flitet (shprehja thekson rëndësinë e respektit kur flasim për ata që kanë vdekur); de mortius aut bene, aut nihil (Lukreci).
De mortuis aut bene, aut nihil (de mórtuis, áut béne, áut níhil) lat. për të vdekurit ose fol mirë, ose hesht; nuk mund të flitet keq për të vdekurit; de mortius nil nisi bonum (Soloni).
De nihilo nihil (de nihílo níhil) lat., filoz. shih Ex nihilo nihil fit.
De novo (de nóvo) lat. nga e para, përsëri; sërish, edhe një herë në një mënyrë të re (për diçka që bëhet e re, e rinovuar që nga fillimi, pa marrë parasysh gjendjen e mëparshme).
De nuce fit corylus, de glande fit ardua quercus (de nuce fit corylus, de glande fit ardua kuerkus) lat., prov. nga fara bëhet lajthia, nga lendja bëhet lisi; shih Sub qua nunc recubas arbore, virga fuit.
De omnibus dubitandum (de ómnibus dubitándum) lat., filoz. dysho për gjithçka; duke dyshuar për çdo gjë (shprehja këshillon një qasje kritike ndaj informacionit, duke nxitur të menduarit e pavarur dhe dyshimin si mjete për të arritur tek e vërteta) (Dekarti).
De opinionibus non est disputandum (de opiniónibus non est disputándum) lat. mendimet / opinionet nuk diskutohen (në rastet kur ka kundërshti të forta në mendime dhe përpjekjet për të bindur dikë nuk janë të suksesshme).
De principiis non disputandum est (de princípis non disputándum est) lat., filoz. parimet nuk diskutohen; për gjërat parimore nuk ka diskutime (disa parime themelore në filozofi, në teoritë logjike etj. janë pranuara si të vërteta dhe nuk duhet të vihen në diskutim).
De profundis (de profúndis) lat. 1. Nga thellësitë (shkurtim i shprehjes De profundis clamavi ad te, Domine- nga thellësitë e mia, të thërras, o Zot, e cila shpreh një ndjenjë të thellë dëshpërimi, si dhe lutje për ndihmë e shpëtim në momente të vështira. 2. fig. Fundi, dështimi i dikujt (për dikë që nuk e përfill njeri) (Bibla).
De proprio motu (de próprio mótu) lat. 1. Me iniciativën e tij; në mënyrë të pavarur (shprehja nënkupton veprimin e dikujt me dëshirën e vullnetin e tij, pa ndonjë shkak a trysni nga jashtë). 2. Vetvetiu; rastësisht.
De re vestra agitur (de re véstra ágitur) lat. për çështjen tuaj po flitet; kjo ka të bëjë me ju; është fjala për punët tuaja (shprehja shpesh përdoret në kontekste ligjore, politike, administrative etj. për të tërhequr vëmendjen ndaj rëndësisë së një çështjeje për ata që preken nga ajo a lidhen drejtpërdrejt me të).
De te fabula narratur (de te fábula narrátur) lat. fabula / historia për ty tregohet; kjo histori është për ty; rrethanat hollësirat drejtohen te ju saktësisht (thuhet për të sjellë në vete dikë që, ndërsa flitet për të, bën sikur nuk kupton, por në të vërtetë duhet të merret me pasojat e veprimit të tij) (Horaci).
De toutes les couleurs (dë tútë le kulër) frëngj. 1. Me të gjitha ngjyrat; shumë i ndryshëm, me shumë variacione (për diçka të larmishme e të ndërlikuar). 2. fig., keq. I çdolloj kallëpi, pa karakter e pa parime, pa shtyllë kurrizore; tregtar flamujsh (për karakterin e dikujt).
De tripode dictum (de trípode díctum) lat. e thënë nga trekëndëshi; shih ex tripode.
De verbo ad verbum (de vérbo ad vérbum) lat. 1. Fjalë për fjalë; nga fjala në fjalë; nga një fjalë në tjetrën (në përkthim kjo shprehje nënkupton se duhet gjetur një përputhje e plotë midis fjalëve në gjuhën burimore dhe atyre në gjuhën e përkthyer). 2. fig. Besnikërisht, pa ndryshuar asgjë, sç është thënë.
De visu (de vízu) lat. 1. Nga pamja; sipas pamjes, ashtu siç duket. 2. Nga ajo që shoh me sytë e mi; duke e parë vetë konkretisht (për njohuri dhe informacione të nxjerra përmes vëzhgimit të drejtpërdrejtë ose nga përvoja vetjake).
Delenda est Carthago (delénda est Kartágo) lat., hist. Kartagjena duhet të shkatërrohet! (thënie e njohur a thirrje e Katonit Plak në senatin romak; fig. thirrje simbolike për përkushtim të palëkundur për arritjen e një qëllimi të caktuar, sikurse shkatërrimi i Kartegjenës, rivalja e Romas gjatë Luftërave Punike; ceterum censeo Carthaginem esse delenda; Hannibal ante portas.
Delirium majestatis (delírium majestátis) lat., mjek. shih Mania grandiosa.
Dente lupus, cornu taurus petit (dénte lúpus, kórnu táurus petit) lat., prov. ujku sulmon me dhëmbë, demi me brirë; fig. secili mbrohet me mjetet e veta, me ato që i ka dhënë natyra; dy duar për një kokë (Horaci).
Des vessies pour des lanternes (de vesí pur de lontérnë) frëngj. i merr mëshikëzat për fenerë; fig. gënjehet, mashtrohet, gabon në mënyrë trashanike; e ha sapunin për djathë; e merr arëzën për bletë.
Desinit in piscem (dézinit in píscem) lat. përfundon në bisht peshku; fig. përfundon tjetër për tjetër; tjetër niset, tjetër mbarohet; më del kapuç me mëngë (thuhet për diçka që nis mirë dhe papritur përfundon keq ose në mënyrë të pabesueshme) (Horaci).
Determinatio est negatio (determinácio est negácio) lat., filoz/, logj. përcaktimi / përkufizimi është mohim (përdoret në filozofi e në logjikë, duke nënkuptuar se kur përkufizojmë një ide a një koncept me një përmbajtje të caktuar, lëmë jashtë çdo aspekt tjetër, që nuk është në përputhje me atë përkufizim) (Spinoza).
Deus ex machina (déus eks mákina) lat. 1. Zoti nga makina; fig. zgjidhje e çastit të fundit dhe e paarsyeshme; rrugadalje e papritur për një problem të ndërlikuar a për një ngjarje në një subjekt filmi a tregimi, sikurse Zoti në pjesët teatrale antike. 2. fig., iron. Një zgjidhje shpëtimtare që gjejmë në një situatë të dëshpëruar (Platoni).
Dicis causa / gratia (dícis káusa / grácia) lat. meqë ra fjala; sa për formë; sa për të larë gojën; sa për sy e faqe (për diçka që thuhet a bëhet jo për qëllimin e vërtetë).
Dictum de dicto (díktum de díkto) lat. e thënë nga e thëna /e një tjetri; diçka e treguar nga fjalët e një tjetri;
Dictum de omni et nullo (díktum de ómni et núllo) lat. e thënë / thënie për gjithçka dhe për asgjë (përdoret për të ilustruar një parim ose një formulë logjike, që merret parasysh për çdo rast / për gjithçka, si dhe për të theksuar se ndonjëherë, kur flasim për diçka të njohur, ne po flasim edhe për diçka tjetër që nuk e kemi para syve / për asgjë.
Dictum sapienti sat est (díktum sapiénti sat est) lat., prov. një fjalë i mjafton të mençurit; fig. njëherë i thuhet të mençurit; i mençuri e kupton me gjysmë fjale; verbum sat sapienti.
Dictum- factum (díktum fáktum) lat., prov. e thënë-e bërë; me të thënë e me të bërë
Dis aliter visum (dis áliter vízum) lat. perënditë vendosën ndryshe, fati e pa ndryshe; fig. të mëdhenjtë kanë marrë tjetër vendim; fati apo rrjedha e ngjarjeve mori një drejtim të papritur, shpesh duke qenë krejt ndryshe nga shpresat a pritshmëritë e dikujt (Virgjili).
Divide et impera (dívide et ímpera) lat. përça e sundo (shprehje e një strategjie të përdorur përgjatë historisë njerëzore nga pushtuesit për t’i sunduar popujt më lehtë duke i përçarë ata (Bibla).
Dixi et animam meam salvavi (díksi et anímam méam salvávi) lat. lat. unë fola / e thashë dhe shpëtova shpirtin tim; e thashë të vërtetën dhe shpëtova ndërgjegjen; fig. unë paralajmërova dhe tani ndërgjegjja ime është e qetë; e bëra timen; duke shprehur mendimet vetjake për një situatë të caktuar, njeriu arrin qetësinë shpirtërore (Bibla).
Do ut des (do ut des) lat., drejt. të jap, që të më japësh; më jep, të të jap; na nem (parim i së drejtës romake për kërkesa a lëshime të dyanshme, për marrëdhënie të ndërsjella të barabarta, kur secila palë a secili person përfiton nga pala a personi tjetër).
Docendo discimus (docéndo díscimus) lat. duke mësuar / të tjerët, mësojmë / edhe vetë; kush mëson tjetrin, mëson edhe për vete; dijet përvetësohen më mirë duke i praktikuar dhe duke ua shpjeguar ato të tjerëve (Seneka).
Docta ignorantia (dókta ignoráncia) lat. padituri e ditur; padituri nga dija; dija është relative (Nikola Kuzani).
Doctus cum libro (dóktus kum líbro) lat. i ditur me librin; i ditur vetëm me libër (për të karakterizuar dikë që mund të ketë studiuar shumë libra dhe të ketë dije të thella teorike, por nuk është në gjendje t’i zbatojë ato në situata reale, praktike).
Dolce far niente (dólce far niénte) ital. ëmbëlsia e të mos bërit asgjë; kënaqësi duke mos punuar; limonti e këndshme; të ndenjurit kot; qetësi e rehatisë.
Dolce vita (dólçe víta) ital. jetë e ëmbël; jetë qejfesh; kohë pa shqetësime e probleme; ku leh qen e ku del tym / dhe ku ia bën daullja bym.
Duabus sedere sellis (duábus sedére séllis) lat. të ulesh në dy karrige; rri / qëndron në dy karrige; fig. i bën qejfin edhe njërit, edhe tjetrit për të përfituar nga të dy krahët; nuk është parimor dhe i qëndrueshëm në pikëpamjet e tij, lëkundet sa në një anë në tjetrën; mësallë me dy faqe (Seneka).
Dubia res (dúbia res) lat. gjendje kritike; situatë a çështje e pasigurt a e paqartë.
Ducere exemplo (dúcere ekzémplo) të udhëheqësh me shembull; shih Operibus anteire.
Dulcis in fundo (dúlcis in fúndo) lat. e ëmbla / ëmbëlsira në fund; fig. ajo që është e këndshme dhe e mirë, thuhet a bëhet në fund; e mira duhet pritur në fund (Horaci).
Dum ego salvus sim, pereat mundus (dum égo sálvus sim peréat múndus) lat përderisa unë jam i sigurt, le të përmbyset bota; le të përmbyset bota, vetëm unë të shpëtoj; pas meje kiameti; aprés nous / moi le déluge!
Dum spiro, spero (dum spíro, spéro) lat. derisa marr frymë, shpresoj (për shpirtin e pathyeshëm njerëzor dhe vullnetin për të ecur përpara, pavarësisht pengesave që mund të dalin në jetë) (Ovidi).
Duo cum faciunt idem, non est idem (dúo kum fáciunt ídem, non est ídem) lat. kur dy njerëz bëjnë të njëjtën gjë, nuk do të thotë se janë të njëjtë.
Duobus certantibus, tertius gaudet (duóbus certántibus tértius gáudet) lat., prov. kur zihen / grinden dy vetë, gëzon / fiton i treti.
Dura lex, sed lex (dúra léks, sed léks) lat. ligji është i ashpër / i rëndë, por është ligj; edhe pse ligji kërkon sakrifica të mëdha, duhet respektuar njëlloj nga të gjithë (Dante Aligieri).
Dura necessitas (dúra necéssitas) lat. nevojë e padurueshme; fig. domosdoshmëri e ashpër; në situata të caktuara, rrethanat e vështira mund të justifikojnë veprime që ndryshe do të ishin të papranueshme (Horaci).
Déjà vu (dezhá vy) frëngj. 1. E parë tashmë; diçka e njohur (dukuri psikologjike që shkakton shpesh një ndjesi të çuditshme, kur dikujt i duket sikur ngjarjet e ndodhura tani i ka të njohura a i ka jetuar më parë ose, kur dikë e sheh për herë të parë, i duket sikur e ka njohur prej kohësh). 2. fig. Vepër joorigjinale; përsëritje e një formule a e diçkaje tjetër të shpeshpërdorur.
Délire de toucher (delírë dë tushé) frëngj. 1. Të çmendur pas prekjes; deliri i prekjes (gjendje ose ndjenjë e fortë pasioni a dëshirë e thellë për të prekur fizikisht dikë. 2. fig. Pasion i thellë për artin, për muzikën ose përvoja të tjera që përfshijnë ndjeshmërinë dhe ndjesitë fizike.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë