Kliko shprehjen për të hapur shpjegimin e plotë.
Faber fabro invidet (fáber fábro invídet) lat., prov. farkëtari e ka zili farkëtarin; njerëzit e të njëjtit profesion apo zanat shpesh kanë smirë ndaj njëri-tjetrit; zanatçiu ka zili për zanarçiun tjetër.
Fabula de te est (fábula de te est) lat. fabula / historia është për ty / të përket ty; shih Mutato nomine de te fabula narratur (Horaci).
Fabula rosa (fábula róza) lat. fabula e trëndafilit / histori e trëndafiltë; fig., edhe iron. diçka e sajuar bukur e me natyrë romantike për të kënaqur të gjithë ata që e lexojnë a e dëgjojnë, por që në realitet mund të jetë ndryshe.
Fac simile (fak símile) lat. bëje njëlloj a të ngjashme, t’i bëhet një kopje; riprodhim i saktë e i përpiktë i shkrimit ose i nënshkrimit (zakonisht në shqip sot përdoret si një fjalë e vetme faksimile, për një dokument, për botimin e librave ose për riprodhimin e veprave të artit).
Facta loquuntur (fákta lokúuntur) lat., fj. u. veprat flasin vetë; flet vetë puna; fshati që duket s’do kallauz.
Facta non verba (fákta non vérba) lat., fj. u. punë, jo fjalë; vepra, jo fjalë; puna flet vetë; shih punën e jo gunën (duke këshilluar që puna dhe veprat e njerëzve kanë më shumë rëndësi se sa ajo që ata thonë).
Factum notorium (fáctum notórium) lat. fakt i njohur; gjë e ditur, qw wshtw thwnw e stwrthwnw.
Fair play (féir pléi) angl. 1. sport. Lojë e ndershme dhe e drejtë, pa përdorur mashtrime e taktika të pandershme; respektim i rregullave; lojë miqësore. 2. Kushte të drejta e të njëjta për të gjithë në ndonjë veprimtari, si biznesi, marrëdhëniet shoqërore, konkurset etj., pavarësisht konkurrencës.
Faire peau neuve (férë po nëvë) frëngj. 1. Bën / vesh një lëkurë të re; ndryshon pamje, merr një dukje tjetër nga fytyra, nga flokët, nga veshja etj.; rinovon mjedisin e shtëpisë, të punës, të biznesit etj., i ndërron faqen diçkaje. 2. fig. Bën kthesë; ndryshon sjellje a qëndrim nga e keqja ose për të përfituar diçka; ndërron lëkurën; e kthen / e ndërron fletën.
Fait accompli (fet akomplí) frëngj. fakt i kryer; gjë e kryer / e mbaruar / e përfunduar; diçka që është bërë e nuk mund të kthehet më; çështje e mbyllur përfundimisht; diçka që tashmë ka ndodhur a është bërë e nuk mund të ndryshojë.
Falsae lacrimulae (fálse lakrímule) lat. lot të rremë / të shtirur; shih Crocodili lacrimae.
Fama volat (fáma vólat) lat. fama fluturon / përhapet; zërat qarkullojnë; nami merr dhenë; lajmet, thashethemet, emri i mirë për dikë ose për ngjarje të ndryshme shpesh përhapen shpejt, ndonjëherë pa kontroll e pa saktësi a duke i shtrembëruar ato (Virgjili).
Farinam facis (farínam fácis) lat. e bën miell diçka; e prish për hiçgjë a e shpenzon kot; fig. e harxhon me dorë të lëshuar e pa dobi; e bën rrush e kumbulla diçka.
Faute de mieux (fótë dë mjë) frëngj. 1. Gabim më i mirë; për shkak të mungesës së diçkaje më të mirë; në mungesë të një zgjidhjeje më të arsyeshme; kur s’ke një më të mirë; për shkak të rrethanave. 2. fig. Nga halli e jo nga malli; kur s’ke pulën do të hash sorrën (kur zgjidhja e gjetur mund të mos jetë e përsosur, por ajo është e pranueshme për rastin e dhënë).
Faux pas (fo pa) frëngj. hap i gabuar / i pamatur; veprim që dëmton një punë (si, për shembull, thënia e diçkaje të papërshtatshme në një bisedë zyrtare, shkelja e rregullave të mirësjelljes etj., që ndikojnë në marrëdhëniet me të tjerët).
Favete linguis! (fávete línguis) lat. Mbajeni gojën! Rrini në heshtje të plotë!; Mbani qetësi!; lart. thirrje për të mbajtur një minutë heshtjeje në nderim të të vdekurit.
Feci quod potui / faciant meliora potentes (féci kuód potuí, / fáciant melióra poténtes) lat. bëra atë që munda / le ta bëjnë më mirë ata që kanë më shumë fuqi; unë bëra ç’mund të bëja, kush mundet le ta bëjë më shumë a më të mirë diçka (shprehje e Virgjilit për të treguar se ka derdhur gjithë mjeshtërinë në veprën e vet dhe ua lë pasardhësve që vepra të dalë edhe më e mirë).
Felix culpa (féliks kúlpa) lat., teol., filoz. faj i lumtur, faj me pasoja të lumtura; gabim i bekuar / fatlum; disa gabime / faje, pavarësisht se si i pwrjetojmw, mund të sjellin përfundime të mira ose dhe zbulime të reja).
Ferro et igni / ignique (férro et ígni / igníkue) lat. me hekur e me zjarr; fig. me terror, duke djegur e duke vrarë; me dhunë të egër; me shpatë në dorë; me shpatë zhveshur; me kordhë në dorë (Ciceroni).
Ferrum, dum in igni candet, cundendum est tibi (férrum, dum in ígni kándet, kundéndum est tíbi) lat., prov. hekuri, derisa të nxehet në zjarr, duhet të goditet; duhet të veprosh në kohën e duhur; hekuri rrihet sa është i nxehtë (Syrus).
Festina lente (féstina lénte) lat., fig. shpejto / nxito ngadalë / me kujdes; mos u ngut, se vonohesh; kush nxiton, gabon; ai që nxitohet, më tepër vonohet; kush ngutet mbërrin më vonë; speude bradeos.
Fiat justitia, pereat mundus! (fíat justícia, péreat múndus) lat., lart. Le të bëhet drejtësi, sikur edhe bota të përmbyset!; Le të vendoset drejtësia, pa le të zhduket bota!; drejtësia mbi gjithçka; fiat justitia, ruat caelum (shprehje që vihet në gojën e perandorit romak Ferdinandi I, e cila përdoret si një thirrje për të mos ndërhyrë në drejtësi, pavarësisht sfidave qw mbart dhe pasojave që mund të sjellë).
Fiat justitia, ruat caelum (fíat justícia, rúat célum) lat., lart. le të bëhet drejtësi, edhe sikur të shembet qielli; drejtësia të zbatohet, sikur qielli të përmbyset; fiat justitia, pereat mundus!
Fiat lux (fíat luks) lat. Të bëhet dritë!; U bëftë drit!a; Qoftë dritë; fig. të vijë më e mira, të plotësohen të mirat me një të mirë tjetër më të madhe (përdoret për të bërë sqarime më të hollësishme për çështje të errëta e të diskutueshme ose, kur pas shumë mundimesh, arrihet diçka e mirë, e cila u hap rrugën gjërave të tjera) (Bibla).
Fiat veritas et pereat mundus! (fíat véritas et péreat múndus) lat. Të dalë e vërteta, pa le të përmbyset bota!; fiat justitia, pereat mundus!
Fides graeca (fídes gréka) lat., iron. besë greke, besnikëri greke (në kontekstin e Romës së lashtë kjo shprehje përdorej me ironi duke nënkuptuar mungesë besnikërie, pabesi etj.).
Fifty-fifty (fífti-fíftí) angl. pesëdhjetë e pesëdhjetë; fig. barabar; pa humbur askush (zakonisht përdoret në një situatë ku diçka ndahet në mënyrë të barabartë).
Fin du siècle (fê dy siéklë) frëngj. Fundi i shekullit; fig. rënia morale dhe pesimizmi si karakteristika të fundit të shekullit XIX në Europë, që pasqyrohej në veprat e shkrimtarëve Oskar Uajld, Sharl Bodler, Tomas Man etj. (H. Micard).
Finem respice! (fínem réspice) lat. Shih / ki kujdes fundin / përfundimin!; fig. mendo ku duhet të arrish pas çdo veprimi.
Finita la commedia (finíta la komédia) ital. shih Commedia finita est.
Flagrante delicto (flagránte delíkto) lat. shih En flagrant delit.
Foenum habet in cornu (foénum hábet in córnu) lat. ka fije bari në brirë; brirët janë të mbuluar me bar; fig. situatë e vështirë dhe e papritur ose rrezik i fshehtë, siç janë brirët e demit të mbuluar me bar, e cila mund të parandalohet me zgjuarsi a të zbulohet me kujdes e me qetësi (Horaci).
Foire sur la place (fuárë syr la plásë) frëngj. pazar / treg në shesh; fig. rrëmujë e madhe; ngjarje a mjedis me rrëmujë e zhurmë, ku secili nuk di kush është e çfarë po bën; nuk e merr vesh / nuk e njeh i pari të dytin; s’e njeh qeni të zotin; Kulla e Babelit.
Folie de grandeur (folí de grandër) frëngj., mjek. marrëzi / çmenduri e madhështisë; delir i madhështisë (për njerëz që kanë iluzione të mëdha për veten, si p. sh., u duket sikur janë të jashtëzakonshëm, shumë të rëndësishëm a të fuqishëm, kanë besim të tepruar në vetvete etj.).
Folio verso (shkurt. F. V.) (fólio vérso) lat. në faqen e kthyer, në faqen tjetër; në pjesën e pasme të faqes, në anën tjetër të faqes, në anën e kundërt të faqes; fig. në të kundërtën e një arsyetimi, mendimi, vendimi etj., e kundërta.
For ever! (for évër) angl., lart. përgjithmonë; fig. pa u ndarë asnjë çast; gjithë jetën, sa të më rrahë zemra.
Force de frappe (fórsë dë frápë) frëngj. 1. usht. Forcë goditëse, forcë bërthamore (për kapacitetin ushtarak të një vendi a të një aleance ushtarake, veçanërisht për armët e shkatërrimit në masë). 2. fig. Aftësitë e dikujt, e një grupi njerëzish, e një organizate etj. për të pasur një ndikim të fuqishëm e bindës në njerëz a në ngjarje të ndryshme ose për të ndikuar me forcë në një situatë të caktuar.
Force majeure (fors maxhë́r) frëngj. 1. Forcë / fuqi madhore; fuqi e pakundërshtueshme ose e pashmangshme, që nuk varet nga dëshira a vullneti i njeriut; forca më e madhe; forcë që mposht çdo pengesë; forcë së cilës nuk i bëhet dot ballë (si tërmete, përmbytje, luftë, zjarre etj.). 2. drejt. Rrethana të paparashikueshme, diçka e papritur dhe e pazakontë që është jashtë kontrollit të palëve që kanë lidhur një marrëveshje, një kontratë etj. dhe ndikojnë në përmbushjen e detyrimeve ose në prishjen e tyre; it. forza magiore.
Forcer la main (forsé la mên) frëngj. të forcosh dorën; fig. të detyrosh dikë të veprojë; të përdorësh forcë për të marrë diçka; ta bësh tjetrin të mbajë qëndrim ndryshe nga ç’mendon, kundër vullnetit të tij; ta shtrëngosh e ta detyrosh dikë të veprojë nën trysni a me kërcënime; t’ia mbledhësh rripat, t’ia vësh të dyja këmbët në një këpucë.
Forte scutum, salus ducum (fórte skútum, sáles dúkum) lat., prov. shqyti i fortë është shpëtimi i prijësave; fig. mburoja e fortë është shpëtimi; një mbrojtje e fortë dhe e sigurt shpëton njerëz e vende në situata të vështira.
Fortes fortuna adjuvat (fórtes fortúna adjúvat) lat., prov. fati i ndihmon guximtarët / trimat; fati është me trimat; vetë trimëria është ajo që i ndihmon trimat;; audantes fortuna juvat (Plutarku).
Fortuna caeca est (fortúna céka est) lat., prov. fati është i verbër; fig. fati nuk është i drejtë dhe nuk i ndihmon gjithmonë ata që e meritojnë.
Fortune rota (fortúne róte) lat., mit. rrota e fatit (shprehja lidhet me perëndeshën romake Fortuna, e cila shpesh paraqitet duke rrotulluar një rrotë që tregon ngritjen dhe rënien e njerëzve: një njeri mund të ngjitet në krye të rrotës dhe të arrijë suksesin por, po aq shpejt, mund të bjerë poshtë dhe të humbasë gjithçka); let., filoz., art. suksesi dhe dështimi janë të përkohshme dhe asgjë nuk është e sigurt në jetë.
Forum delicti (fórum delíkti) lat., drejt. vendi i krimit; vendi ku është kryer krimi.
Foudre de guerre (fúdrë dë gérrë) frëngj. 1. Rrufe lufte; forcë shkatërruese; goditje e fuqishme dhe e papritur, siç ndodh kur bien rrufetë. 2. fig. Udhëheqës i zoti, zakonisht në ushtri, që ka aftësi të mëdha për të ndikuar menjëherë dhe fuqishëm në zgjidhjen e një situate të vështirë. 3. iron. Kapedan i madh; njeri që hiqet sikur është trim e i fortë dhe mund të bëjë çdo gjë; dikush që vret degë më degë.
Foul play (fául pléi) angl. sport. lojë e rëndë, e pandershme e mashtruese; fig. veprim keqdashës; dredhi, pabesi.
Fronti nulla fides (frónti núlla fídes) lat., prov. pamja e jashtme nuk është besnike / të gënjen; nuk duhet t’i besosh pamjes së jashtme; dukja të merr më qafë; shih punën e jo gunën (Virgjili).
Fructus belli (frúktus bélli) lat. pemë / fruta lufte; plaçkë lufte; pre; fig. çdo send që i rrëmbehet dikujt me forcë.
Fuit Troja! (fúit Trója!) lat., lart. Iku / mbaroi Troja!; Nuk ka më Trojë!; Troja ka qenë!; Troja ekzistonte!; fig. përdoret si ngushëllim për humbjen e pakthyeshme të diçkaje të pazëvendësueshme (siç ishte fundi i një periudhe të shkëlqyer në historinë e Trojës etj.).
Furor loquendi (fúror lokuéndi) lat., let. furia e të folurit; pasioni për të folur.
Furor poeticus (fúror poétikus) lat., let. furia poetike; pasioni / frymëzimi poetik.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë