Fjalori

SHPREHJE TË HUAZUARA TË PAASIMILUARA

Kërkimi më sipër vepron vetëm në këtë shtojcë. Kliko këtu për t'u kthyer në fjalorin kryesor.
A B C D E F G H I J L M N O P Q R S T U V W

Shprehje që fillojnë me “V”

Kliko shprehjen për të hapur shpjegimin e plotë.

Vade ad formicam (váde ad formíkam) lat., fig. shko te milingona; mëso nga milingona, sepse milingona është shembull i punës së palodhur (shprehja e ka burimin nga Bibla: Vade ad formicam, o piger, et considera vias eius, et disce sapientiam-Shko te milingona, o përtac, shiko sjelljen e saj dhe mëso urtësinë. Ky motiv është trajtuar edhe në gjininë e fabulave, si nga Ezopi, La Fonteni me titullin “Gjinkalla dhe milingona” etj.).

Vade mecum (váde mékum- váde cum me) lat., libr. eja me mua, shko me mua, më merr me vete (në shqip edhe si një fjalë e vetme; titull i librave që shërbejnë si doracakë, udhërrëfyes, guida, përkujtues etj., sipas titullit të veprës së poetit Lotik).

Vae soli! (ve sóli) lat. Mjerë njeriu i vetëm!; Mjerë njeriu pa njerëz!

Vellus aureum (vélus aurúm) lat., fig. bashka e artë (sipas mitologjisë greke, diçka shumë e çmueshme, fuqiplotë a çudibërëse, që ke dëshirë ta zotërosh, por edhe shumë e vështirë për t'u arritur).

Vendere fumum (véndere fúmum) lat. të shesësh tym / një gjë pa vlerë; të mashtrosh, të hedhësh hi syve; të shesësh sapunin për djathë.

Venerabile nomen (venerábile nómen) lat. 1. Emër i nderuar; emër i denjë për nderim (për të shprehur mirënjohje dhe respekt për dikë që ka arritur një shkallë të lartë të vlerësimit a të nderimit). 2. fet. Emër i shenjtë (për figura fetare të shenjtëruara).

Veni, vidi, vici! (véni, vídi, víci) lat. 1. Erdha, pashë, fitova! (fjalë triumfi të Jul Cezarit drejtuar Romës për fitoren e tij të rrufeshme në Azinë e Vogël kundër mbretit të Pontos, në vitin 47 p. e. s.). 2. fig., lart. Shprehja përdoret me mburrje si lajm për një sukses a fitore të shpejtë e të lehtë që arrin dikush në një garë, në një betejë etj.

Venit senectus cum querelis omnibus (vénit senéktus kum kuérelis ómnibus) lat., prov. pleqëria vjen me të gjitha ankesat; kur vjen pleqëria, vijnë të gjitha hallet; pleqëria s’vjen kurrë vetëm; fig. pleqëria vjen me shokë / me sëmundje; sa rëndon pleqëria, nuk është varfëria; aeta senilis mala merx.

Verba in ventos dare (vérba in véntos dáre) lat. të flasësh në erë; të thuash fjalë pa u menduar, të lëshosh fjalë boshe; të bësh premtime të kota; të flasësh gjepura; rreh ujë në havan (Ovidi).

Verba magistri (vérba magístri) lat. 1. Fjalët e mësuesit; fjalët e njeriut me autoritet; fjalët e mjeshtrit; mësimet ose këshillat që jepen nga një mësues i zoti e me autoritet, nga një udhëheqës shpirtëror, nga një filozof a nga një figurë tjetër me autoritet të lartë në fushën e tij. 2. iron. Shprehja përdoret edhe për të ironizuar bindjen e verbër ndaj fjalëve të dikujt; magister dixit (Pitagora).

Verba rebus proba (vérba rébus próba) lat. fjalët provohen me fakte / me vepra; fjalët dhe premtimet e dikujt besohen vetëm kur mbështeten me fakte dhe me veprime konkrete.

Verba res sequuntur (vérba res sekúuntur) lat. fjalët pasojnë veprat; veprimet janë ato që u japin kuptim dhe peshë fjalëve.

Verba volant, scripta manent (vérba vólant, scrípta mánent) lat. fjalët fluturojnë, fjala e shkruar mbetet; fjalët e thëna i merr era / fluturojnë, e shkruara mbetet; fjalët e thëna edhe mund të harrohen, ndërsa dokumenti i shkruar i qëndron kohës (Ciceroni).

Verbatim et litteratim (verbátim et litterátim) lat, gjuh.. fjalë për fjalë e shkronjë për shkronjë; në mënyrë të qartë e të shkoqur; në mënyrë të spikatur (përdoret kur bëhet fjalë për përkthime, citime ose ripërsëritje të saktë të diçkaje që është thënë a është shkruar pa asnjë ndryshim nga origjinali).

Verbi causa (vérbi káuza) lat. për hir të fjalës; sa për shembull; për ilustrim; për të sqaruar a për të ilustruar diçka me anë të fjalëve; verbi gratia.

Verbi gratia (vérbi grácia) lat. shih Exempli gratia.

Verbum sat sapienti (vérbum sat sapiénti) lat. për të mençurin mjafton një fjalë; kush është i mençur / i zgjuar, e kupton vetë; ata që janë të aftë dhe të mençur nuk kanë nevojë për shumë shpjegime (Terenci).

Veritas curat (verítas kúrat) lat. e vërteta shëron; edhe pse e vërteta mund të jetë e dhembshme ose e vështirë për t'u pranuar, ajo është gjithmonë më e shëndetshme e më e dobishme se përhapja e gënjeshtrave a e gjërave të dyshimta.

Veritas odit moras (verítas ódit móras) lat. e vërteta i urren vonesat; e vërteta nuk ka nevojë për shtyrje dhe është gjithmonë më e fuqishme kur del në dritë pa vonesë.

Veritas odium parit (véritas ódium párit) lat. e vërteta lind urrejtje (zbulimi a thënia e së vërtetës shpesh mund të shkaktojë qëndrime negative, përfshirë edhe urrejtjen, nga ata që nuk e pranojnë ose që ndihen të kërcënuar nga ajo) (Ciceroni).

Veritas temporis filia (véritas témporis fília) lat. e vërteta është bijë e kohës; e vërteta shpesh zbulohet vetëm me kalimin e kohës; diçka që mund të duket e dyshimtë dhe e padëshiruar në një kohë, më vonë mund të dalë si e vërtetë e pamohueshme (Volteri).

Veritas vincit! (véritas víncit) lat. E vërteta fiton!

Veritas vos liberabit (véritas vos liberábit) lat. e vërteta do t’ju çlirojë; e vërteta do të të bëjë të lirë (njohja e së vërtetës mund të çlirojnë njeriun nga gënjeshtrat, nga iluzionet ose nga një jetë e mbushur me dyshime) (Bibla).

Veritatis sermo est simplex (veritátis sérmo est símpleks) lat. fjala e së vërtetës është e thjeshtë; e vërteta, në thelbin e saj, është e drejtpërdrejtë dhe e kuptueshme, pa stërhollime ose argumente të panevojshme; e vërteta shprehet më së miri në mënyrë të thjeshtë dhe të qartë; e vërteta është ajo që është; veritatis simplex oratio est.

Veritatis simplex oratio est (veritátis símpleks orácio est) lat. shih Veritatis sermo est simplex (Seneka).

Vero nihil verius (véro níhil vérius) lat. s'ka gjë më të vërtetë se e vërteta; për diçka që është absolutisht e vërtetë, pa asnjë dyshim; forca e së vërtetës është e padiskutueshme.

Verum amicum pecunia non parabis (vérum amíkum pekúnia non parábis) lat., prov. mikun e vërtetë nuk e ble dot me para;

Verum dicere... (vérum dícere) lat. të thuash të vërtetën...

Verum plus uno esse non potest (vérum plus úno ésse non pótest) lat., prov. e vërteta nuk mund të jetë më shumë se një.

Vi et animo (vi et ánimo) lat. me forcë e me shpirt; me mish e me shpirt; me fuqinë e trupit e të shpirtit.

Vi et armis (vi et ármis) lat. me forcë e me armë; përmes dhunës dhe luftës.

Via media (vía média) lat., libr. rruga e mesme; fig. zgjidhje e ndërmjetme; qëndrim i moderuar; zgjidhje që përpiqet të jetë në mes të dy anëve të kundërta, pa anuar as nga njëra e as nga tjetra; mënyrë veprimi që synon të shmanget nga të kundërtat ose t’i pajtojë ato; zgjidhje e arsyeshme dhe pranueshme në politikë, në diplomaci, në jetën shoqërore etj.; aurea mediocritas.

Via trita, via tuta (vía tríta, vía túta) lat., prov. rruga e rrahur / e shkelur, rrugë e sigurt; rruga e zakonshme / e njohur është më e sigurt.

Vice versa (více vérsa) lat. në të kundërtën; përkundrazi; anasjellas.

Victoria concordia crescit (viktória konkórdia kréshit) lat., prov. fitorja vjen nga harmonia / me bashkëpunim; fitoret, arritjet etj., janë më të lehta e më të qëndrueshme kur njerëzit punojnë së bashku në harmoni (Plini i Ri).

Vide et crede! (víde et kréde) lat. Shih dhe beso!; Beso dhe kontrollo!

Vide infra (víde ínfra) lat., biblio. shih më poshtë; referoju pjesës më poshtë, që vjen më pas në tekst; kund. vide supra.

Vide supra (víde súpra) lat., biblio. shiko më sipër, më lart; referoju pjesës më sipër (përdoret zakonisht në dokumente të shkruara, për të drejtuar lexuesin që të kthehet dhe të shikojë një pjesë të mëparshme të tekstit); kund. vide infra.

Videant consules (vídeant kónsules) lat. Le ta kenë mendjen konsujt!; shih Caveant consules.

Vincit omnia veritas (víncit ómnia véritas) lat. e vërteta mposht gjithçka; e vërteta triumfon mbi të gjitha; e vërteta del fitimtare mbi gjithçka; pavarësisht sfidave dhe vështirësive që mund të hasen, e vërteta do të dalë në pah dhe do të fitojë në fund (Ciceroni).

Vincit qui patitur (vínçit kuí patítur) lat. fiton ai që duron; durimi sjell fitoren; i duruari i fituari.

Vincit qui se vincit (víncit kúi se víncit) lat. kush fiton ndaj vetes, fiton; fiton ai që e mund vetveten; vetëkontrolli dhe disiplina janë kushte për të arritur sukses.

Viperam nutricare sub ala (víperam nutrikáre sub ála) lat. rrit gjapërin nën sqetull; kujdesem, pa e ditur, për një njeri të keq, të rrezikshëm e të pabesë; rrit, mbroj e ndihmoj dikë, që më pas ma shpërblen me mosmirënjohje të mirën me të keqe; ngroh / mbaj gjarpërin në gji.

Vir prudens non contra ventum mingit (vir prúdens non kóntra véndum minxhít) lat., fig. burri me mend nuk pshurr kundër erës; njeriu i mençur gjen mënyra të zgjuara për të shmangur situatat e vështira dhe me pasoja.

Vires acquirit eundo (víres akuírit eúndo) lat. forcat i fiton me të ecur; fig. fiton fuqi duke shkuar përpara; përpjekjet dhe veprimet e vazhdueshme i japin njeriut fuqi, duke u bërë gjithnjë më të fortë dhe më të aftë, ndërsa ecën përpara dhe përballon sfida të vështira (Virgjili).

Viribus unitis (viríbus unítis) lat. me forca të bashkuara; me fuqinë e unitetit; unitis viribus (ishte motoja e Perandorisë Austro-Hungareze gjatë fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, si dhe emri i një anijeje luftarake austro-hungareze: SMS Viribus Unitis).

Virtus in media stat (vírtus in média stat) lat. virtyti është në mes; rruga e mesme është më e mirë (shprehje e filozofisë morale të Aristotelit, sipas të cilit, virtyti gjendet në një ekuilibër të mesëm dhe se veprat e mira janë ato që shmangin të dyja ekstremet: as shumë tepër dhe as shumë pak); aurea mediocritas.

Vis a fronte (vis a frónte) lat. 1. usht. Forcë, e cila vjen nga përpara; goditje e drejtpërdrejtë; përballje e hapur; sulm frontal; kund. vis a tergo. 2. polit., fig. Kritikë ose sulm i drejtpërdrejtë, i hapur; guxim; përballje publike.

Vis a tergo (vis a térgo) lat. forcë, e cila vepron nga prapa;

Vis atrox (vis atróks) lat., drejt. forcë e tmerrshme; forcë brutale; dhunë e egër

Vis comica (vis kómika) lat., let. fuqia / forca e komikes; aftësia për të shkaktuar të qeshurën; komedia ka një forcë të veçantë për të bërë njerëzit të qeshin, për të krijuar lidhje emocionale dhe për të shtruar probleme shqetësuese e të meta, duke i goditur me pambuk).

Vis formativa (vis formatíva) lat., biol. forcë formuese / krijuese; energji që përdoret për formimin e indeve të reja.

Vis legis (vis légis) lat., drejt. fuqia / forca e ligjit; ligji ka një ndikim të rëndësishëm në jetën e përditshme dhe zbatimi i tij është i nevojshëm për të mbrojtur të drejtat e liritë e njerëzve.

Vis major (vis májor) lat. forcë madhore; fig. forcë e pamposhtur / spontane / instiktive; fuqi e verbër e krijuar nga rrethanat

Vis vitae (vis vis vité) lat. shih Vis vitalis.

Vis vitalis (vis vitális) lat. forcë vitale, fuqi jetësore / jetike; fig. shpirti që e mban gjallë dikë a diçka.

Vis à vis (viz a vi) frëngj. 1. Në sy; ballë për ballë; kundrejt njëri-tjetrit (kur dy njerëz bisedojnë drejtpërdrejt). 2. Në pozita të kundërta, në opozitë (me dikë). 3. në krahasim me (kur diçka krahasohet me diçka tjetër).

Vita brevis, ars longa (víta brévis, ars lónga) lat. jeta është e shkurtër, arti është i gjatë; shih Ars longa, vita brevis.

Viva voce (víva vóce) lat. 1. Me zë “të gjallë”, gojarisht; me zë; duke folur drejtpërdrejt; me gojë (provim, votim etj.). 2. fig. Me fjalën e gjallë; gjallërisht; personalisht.

Vive ut vivas (víve ut vívas) lat. jeto që të jetosh; jeto në mënyrë të tillë që ta kesh jetën të gjatë; fig. gëzoje jetën, jetoje jetën.

Vivere est cogitare (vívere est kogitáre) lat. të jetosh do të thotë të mendosh; pra, jeta ka dhe problem që duhen menduar e zgjidhur mirë (Ciceroni).

Vivere militare est (vívere militáre est) lat. të rrosh, do të thotë të luftosh; jeta është luftë; jeta është një përpjekje e vazhdueshme dhe e vështirë, e ngjashme me një luftë; militia est vita hominis (Seneka).

Volenti animo (volénti ánimo) lat. me gjithë shpirt; me gjithë qejf; me shumë dëshirë.

Votum separatum (vótum separátum) lat., drejt., pol. vota e pakicës.

Vox audita perit litera scripta manet (voks audíta périt lítera skrípta mánet) lat., prov. fjala e dëgjuar humb, fjala e shkruar mbetet; zëri i dëgjuar tretet, shkronja e shkruar mbetet; e folura harrohet, e shkruara ruhet; verba volant, scripta manet.

Vox clamantis in deserto (voks klamántis in dezérto) lat. zëri i njërit / i atij që thërret në shkretëtirë; fig. thirrje e kotë, që mbetet pa përgjigje a pa vëmendje; fjalë, mendim a këshillë që bie në vesh të shurdhër; përpjekje e kotë (Bibla).

Vox et praetera nihil (voks et pretérea nihíl) lat./ tingull, zhurmë e asgjë më shumë; zë bosh e asgjë tjetër; fjalë pa vepra (Ciceroni).

Vox humana (voks humána) lat. zëri njerëzor; shprehja njerëzore; fig. emocionet dhe veçantia që ka zëri i njeriut për të ndikuar; zëri i shpirtit.

Vox nihili (voks níhili) lat. zë i kotë; fjalë boshe; diçka që nuk ka asnjë vlerë.

Vox popoli (voks pópoli) lat., polit. zëri i popullit; ajo që thotë populli; mendimet, ndjenjat e dëshirat e asaj mase njerëzish, që duhet të dëgjohen në vendimmarrje dhe në politikë; opinioni publik, vullneti i shumicës së njerëzve.

Vulgaris eloquenti (vulgáris elokuénti) lat. gjuha e zakonshme; gjuha e përdorur nga shumica e popullit.

Vultur non capit muscam (vúltur non kápit múskam) lat., fig. shqiponja s'kap / s'ha miza; njeriu i madh nuk merret me vogëlsira.

Vultus est index animi (vúltus est índeks ánimi) lat., prov. fytyra është pasqyrë e shpirtit.