Fjalori

SHPREHJE TË HUAZUARA TË PAASIMILUARA

Kërkimi më sipër vepron vetëm në këtë shtojcë. Kliko këtu për t'u kthyer në fjalorin kryesor.
A B C D E F G H I J L M N O P Q R S T U V W

Shprehje që fillojnë me “N”

Kliko shprehjen për të hapur shpjegimin e plotë.

Nascuntur poetae, fiunt oratores (naskúntur poéte, fíunt oratóres) lat. poetët lindin, oratorët bëhen; ka dallim mes talentit të lindur dhe aftësive që fitohen përms praktikës, studimit dhe trajnimit (shprehja përdoret për të treguar prirjen e natyrshme që zotërojnë poetët dhe puna e madhe e vullneti që duhet për t’u bërë gojëtar) (Ciceroni).

Natura naturans (natúra natúrans) lat. natyra që krijon, natyra që vepron (shprehja nënkupton energjinë dhe forcën krijuese të natyrës, që lëviz dhe transformon gjithçka, duke përfshirë materien dhe jetën).

Natura naturata (natúra naturáta) lat. natyra e krijuar; gjithçka që ekziston si rezultat i forcës krijuese të natyrës.

Natura nihil frustra facit (natúra níil frústra fácit) lat., filoz. natyra s'bën asgjë pa arsye / pa shkak; çdo proces natyror nuk është i rastësishëm.

Natura non facit saltus (natúra non fácit sáltus) lat. natyra nuk bën kërcime / hope / shkëputje; natyra zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme, pa krijuar shkëputje (shprehja bën fjalë për ekuilibrin e natyrës) (Karl Lineu).

Nature morte (natýrë mórtë) frëngj. natyrë e vdekur; jetë e qetë (shprehja përdoret për të shënuar llojin e pikturave që pasqyrojnë sendet ose natyrën, si fruta, lule, drurë, objekte shtëpiake etj.).

Ne bis de eadem re sit actio (ne bis de eádem re sit ákcio) lat., drejt. jo dy herë për të njëjtën gjë; të mos bëhet padi dy herë për të njëjtën çështje (parim themelor i drejtësisë, që ndalon ndjekjen penale të një njeriu për të njëjtën vepër të kryer më parë).

Ne judicet sutor supra crepidam (ne júdicet sútor súpra krépidam) lat. këpucari të mos gjykojë përtej sandales; shih Ne sutor supra crepidam.

Ne multa dicam (ne múlta díkam) lat. që të mos zgjatem shumë; për të mos folur gjatë; që të mos hyjmë në gjëra të tepërta.

Ne sutor supra crepidam (ne sútor súpra krépidam) lat. këpucari të mos gjykojë përtej sandales (sipas një anekdote historike, këto janë fjalë të piktorit Apelles: një ditë, një këpucar, pa një pikturë të ekspozuar të Apelles dhe e kritikoi për mënyrën se si ishin pikturuar sandalet. Piktori e pranoi kritikën, e korrigjoi vërejtjen dhe e vendosi përsëri në ekspozitë. I nxitur nga kjo, këpucari filloi të bënte vërejtje edhe për pjesë të tjera të trupit, ndërsa Apelles i tha: Ne sutor supra crepidam); fig. mos jep gjykim përtej zanatit që ke; nuk mund të japësh një mendim të drejtë për ato gjëra që s’i kupton; çdo njeri duhet të flasë ose të japë mendime vetëm për ato që di më mirë dhe për ato fusha ku është i zoti; mos ec larg se lagesh (Plini Plak).

Ne varietur (ne variétur) lat., drejt. të mos ndryshohet, për të mos u ndryshuar (shënim në një dokument etj., që është përfunduar dhe nuk mund të ndryshohet).

Nec plus ultra (nek plus últra) lat. 1. mit. Jo më tej, asgjë më tutje; asgjë përtej; deri këtu; në kufirin e skajshëm; një pikë a një cak përtej të cilit nuk mund të shkohet (sipas mitologjisë, ky ishte një mbishkrim i gdhendur nga Herkuli në dy shtyllat e tij, që ishin simboli i kufirit të botës që njihej deri atëherë). 2. fig. Deri në shkallën e fundit, më të lartë, që s’ka ku të vejë më; kulmi i dikujt a i diçkaje, deri në përsosje, deri në përkryerje.

Nemine contradicente (nemíne kontradicénte) lat., zyrt. pa kundërshtim nga askush; njëzëri (për një propozim, vendim, ligj etj. që është miratuar pa asnjë vërejtje ose kundërshtim).

Nemo est supra legis (némo est súpra légis) lat., drejt. askush s'është mbi ligjin, askush nuk ka të drejtë të veprojë jashtë ligjit ose të jetë mbi ligjin (parim themelor në shtetin e së drejtës).

Nemo judex in causa sua / propria (némo júdeks in káuza súa / própria) lat., drejt. askush nuk mund të jetë gjykatës për çështjet e veta; askush nuk mund të gjykojë për vetveten (parim themelor i drejtësisë, që thotë se dikush nuk mund të gjykojë një rast në të cilin ka interes vetjak ose është i përfshirë në të).

Nemo nascitur magister! (némo náscitur magíster) lat., prov. Askush nuk lind mësues!; askush nuk lind i ditur; dija dhe mjeshtëritë fitohen me kohë, me përvojë dhe duke mësuar.

Nemo omnia potest scire! (némo ómnia pótest scíre) lat., prov. Askush nuk mund t’i dijë të gjitha!

Nemo propheta in sua patria (némo proféta in súa pátria) lat. askush nuk është profet në vendin e tij; nuk çmohen profetët në vendin e tyre; njeriun e mirë nuk e duan njerëzit e vet; të mirin e pengojnë për të bërë diçka (njerëzit shpesh nuk vlerësohen e nuk respektohen për aftësitë, arritjet ose mençurinë e tyre nga ata që i njohin që prej fillimit, siç janë bashkëqytetarët ose bashkëkombësit) (Bibla).

Nervus probandi (nérvus probándi) lat., fig. nervi / thelbi i provës / i argumentimit; provë bindëse; pika më e fortë në një provë ose argument.

Nervus rerum (nérvus rérum) lat., fig. nervi / thelbi i gjërave / i sendeve; dikush a diçka që mban peshën kryesore në një punë, në zgjidhjen e një çështjeje të rëndësishme etj. shtylla kurrizore; forca lëvizëse.

Never more (névër mór) angl. kurrë më (kur flitet për humbjen e një dashurie ose të një shprese të madhe dhe përjetësimin e dhembjes, duke treguar se diçka e çmuar nuk do të kthehet më (Edgar Poe).

Never say never (névër séi néver) angl. kurrë mos thuaj kurrë (shprehja nënkupton se asnjëherë nuk duhet të përjashtosh mundësinë e diçkaje që mund të ndodhë në të ardhmen, pavarësisht se sa e pamundur ose e pabesueshme duket tani).

Ni plus, ni moins... (ni plu, ni muën...) frëngj. as më shumë, as më pak; një gjë është e saktë në një masë të caktuar (përdoret për të shprehur që diçka është e saktë ose e përsosur në atë që është, pa shtesa a mungësi).

Nigro notanda lapillo (nígro notánda lápilo) lat. për ta shënuar me gurë të zinj; është diçka e keqe dhe e padëshirueshme (një traditë e lashtë romake, ku ditët e këqija shënoheshin me gurë të zinj, ndërsa ditët e mira me gurë të bardhë, për të treguar një ngjarje ose një ditë të pafat a të keqe, që nuk duhet harruar asnjëherë); kund. albo lapillo notare diem.

Nihil ad rem (níhil ad rem) lat. pa farë lidhjeje me çështjen; asgjë për këtë çështje; nuk ka lidhje me temën; krejt pa vend; asgjë e saktë dhe me vlerë (përdoret për të theksuar se një fakt, një argument a një koment është i pavlefshëm ose i papërshtatshëm për temën që po disktohet); ad rem.

Nihil probat, qui nimium probat (níhil próbat, kuí nímium próbat) lat., prov. asgjë nuk provon ai që provon shumë; asgjë nuk provon / nuk vërteton ai që provon shumë shpesh ose jashtë mase (përdoret për të shprehur idenë se, nëse dikush përpiqet të mbrojë një pikëpamje ose të argumentojë diçka me tepri, kjo mund të krijojë dyshime në vend që të forcojë argumentin e tij) (Seneka).

Nihil sine causa (níhil síne cáuza) lat., filoz. asgjë pa shkak; asgjë nuk ndodh pa një shkak; çdo gjë është subjekt i lidhjes shkak-pasojë (parim filozofik i shkakësisë, që thekson se çdo pasojë e ka një shkak dhe asgjë nuk ndodh rastësisht ose pa një arsye të qenësishme).

Nihil sub sole novum (nil sub sóle nóvum) lat., bibl. asgjë të re nën këtë diell; fig. gjendja është si më parë, nuk ka asnjë ndryshim (sipas tekstit biblik “Çfarë ka qenë, ajo do të jetë; çfarë është bërë, ajo do të bëhet; nuk ka asgjë të re nën diell").

Nil / nihil admirari (nil / níhil admirári) lat. mos u habit për asgjë; asgjë nuk duhet të na çuditë; mos e humb toruan për asgjë (shprehja këshillon qëndrimin e qetë dhe të ftohtë ndaj ngjarjeve, duke mos u prekur emocionalisht nga befasitë, nga lavdia a nga fatkeqësitë) (Horaci).

Nil mortalibus arduuim est (nil mortálibus árdui est) lat. për të gjallët / për njerëzit asgjë s'është e pamundur; s’ka gjë të vështirë për njerëzit; njerëzit, me përpjekje e me vendosmëri, mund të kapërcejnë çdo vështirësi (Horaci).

Nil nisi bonum (nil nísi bónum) lat. për të vdekurin / flitet vetëm mirë; de mortius nil nisi bene; de mortius aut bene, aut nihil.

Nil posse creari de nihilo (nil póse creári de níhilo) lat. asgjë nuk mund të krijohet nga hiçi; çdo gjë e ka një burim (shprehja lidhet me diskutimet filozofike për krijimin e universit dhe natyrën e qenies) (Lukreci).

Nil sub sole novum (nil sub sóle nóvum) lat. asgjë të re nën këtë diell; shih Nihil sub sole novum.

Nimis multa verba nocent (nímis múlta vérba nócent) lat., prov. fjalët e tepërta të dëmtojnë / të bëjnë keq; fjalët e shumta janë fukarallëk.

Nimium ne crede colori (nímium ne kréde kolóri) lat., prov. mos i beso shumë ngjyrës / pamjes së jashtme; fig. pamja e jashtme të gënjen; mos u mashtro nga pamja e jashtme; jo çdo gjë që shndrit është ar (Virgjili).

No comment (no kóment) angl. 1. Pa koment (përdoret për të shprehur se dikush nuk dëshiron të japë një koment ose një përgjigje në lidhje me një temë të caktuar). 2. Nuk ka nevojë për fjalë të tjera; ajo që thuhet a që bëhet është shumë e qartë.

Nodus gordius (nódus górdius) lat., mit. nyja gordiane; fig. çështje e ngatërruar për t’u zgjidhur; zgjidhje e vështirë; punë a detyrë e ngatërruar; situatë e ndërlikuar, që duket sikur nuk ka zgjidhje, por gjendet një zgjidhje e thjeshtë dhe e fuqishme, siç bëri Aleksandri i Madh, i cili, sipas mitologjisë, në vend që ta zgjidhte nyjen “e pazgjidhshme” të Gordiut, e preu me shpatë.

Nolens, volens (nólens vólens) lat. dashur pa dashur; dua s’dua; me hir e me pahir (përdoret për të përshkruar një situatë ku dikush është i detyruar të veprojë ose të pranojë diçka, pavarësisht nga dëshira e tij vetjake).

Noli equi dentes inspicere donati (nóli ékui déntes inspícere donáti) lat., prov. kalit të dhuruar mos i shiko dhëmbët; shih Equi donati dentes non inspiciuntur.

Noli me tangere (nóli me tángere) lat., bibl. mos më prek / më prekni (shprehje biblike, që përdoret për diçka të shenjtë ose të paprekshme).

Noli turbare circulos meos (nóli turbáre církulos méos) lat. mos m'i trazo / mos m’i prish / mos m’i ngatërro rrathët e mi (sipas Plutarkut, janë fjalë të Arkimedit një çast para se të vritej, kur ishte duke vizatuar figura gjeometrike në rërë, duke i kërkuar ushtarit romak që të mos ia prishte vizatimet); fig. më lër në punën time; mos më ndërhy kur jam i përqendruar; mos më prish punë.

Nolite mittere margaritas ante porcas (nolíte míttere margarítas ánte pórkas) lat. mos ua hidhni margaritarët derrave; shih Margaritas ante porcos.

Nolo contendere (nólo konténdere) lat., drejt. nuk dua të kundërshtoj (kur një i akuzuar pranon të mos kundërshtojë akuzën e ngritur ndaj tij, pa e pranuar plotësisht fajin).

Nomen est omen (nómen est ómen) lat. emri është shenjë; vetë emri është një ogur; emri flet për mirësi (sipas teorive të ndryshme, emri i dikujt ka lidhje me tiparet fizike a me veçoritë e tij dhe këto mund të shërbejnë për t’i parashikuar fatin) (Plauti).

Non causa pro causa (non káuza pro káuza) lat., filoz. jo shkak për hir të shkakut, jo shkaku si shkak; diçka që nuk shërben si shkak për një shkak tjetër (gabim logjik në të cilin një faktor i caktuar përmendet si shkak për diçka, ndërkohë që ai nuk është shkaku i vërtetë).

Non compos mentis (non kómpos méntis) lat. i paaftë mendërisht.

Non constat (non kónstat) lat., drejt., fet. nuk është i sigurt; nuk është i qartë (për një informacion, për një ngjarje etj., që duhet verifikuar).

Non erat his locus (non érat his lókus) lat. nuk është këtu vendi; nuk kishte vend për këto (shprehja përdoret për diçka që nuk kryhet në kohën e duhur ose për diçka që bëhet a thuhet pa vend e jashtë kontekstit të caktuar) (Horaci).

Non est fumus absque igne (non est fúmus ábskue ígne) lat., prov. nuk ka tym pa zjarr; kur flitet shumë për diçka, patjetër duhet të ketë një të vërtetë.

Non fit per saltus (non fit per sáltus) lat., fig. nuk bëhet / nuk ndodh me një kërcim; nuk bëhet me një të rënë të shkopit (arritjet e mëdha ose ndryshimet e thella kërkojnë kohë, punë të vazhdueshme dhe përpjekje dhe nuk mund të bëhen në mënyrë të shpejtë ose të papritur).

Non grata (non gráta) lat., dipl. i padëshiruar; shih Persona non grata.

Non in solo pane vivit homo (non in sólo páne vívit hómo) lat., prov. s’rron njeriu vetëm për bukë (shprehje me prejardhje biblike, që përcjell mesazhin se njeriu nuk ka nevojë vetëm për bukë, por edhe për ushqim shpirtëror etj.).

Non licet bovi quod licet Jovi (non lícet bóvi, kuód lícet Jóvi) lat. shih Quod licet Jovi, non licet bovi.

Non licet omnibus adire Corinthum (non lícet ómnibus adíre Koríntum) lat. jo të gjithëve u lejohet / kanë mundësi të shkojnë në Korint (qytet i famshëm në Greqinë e lashtë); nuk është e drejtë e gjithë botës të shkojë në Korinth; shtri këmbët sa ke jorganin; hidh këmbët sa e ke hapin (shprehja përdoret për të gjitha ato gjëra prej të cilave duhet të heqësh dorë për mungesë parash, mjetesh etj. a për shkak të pozitës shoqërore) (Ciceroni).

Non liquet (non líkuet) lat., drejt. nuk është i qartë, nuk është i përcaktuar (në kontekstin juridik do të thotë se një çështje është e paqartë dhe nuk ka mjaftueshëm prova ose informacion për të marrë një vendim të drejtë) (Ciceroni).

Non multa, sed multum (non múlta, sed múltum) lat. jo tepër, por shumë; jo sasi, por cilësi; jo shumë fjalë, por shumë përmbajtje; me pak fjalë të japësh shumë informacion; jo shumë e për lumë, por pak e saktë (proverb i njohur nga romakët antikë e lidhet me të gjitha veprimet e njeriut, që, në thelb, do të thotë se nuk ia vlen të mësosh shumë gjëra, por pak e saktë); multa non multum (Plini i Ri).

Non nobis solum (non nóbis sólum) lat., prov. jo vetëm për vete; o Mete për vete, zoti për të gjithë.

Non olet (non ólet) lat. nuk bie erë; shih Pecuniae non olet.

Non omnia possumus omnes (non ómnia pósumus ómnes) lat. jo të gjithë mund të bëjnë gjithçka; ne nuk mund t’i bëjmë të gjitha gjërat; njeriu nuk është i zoti për gjithçka (Virgjili).

Non plus ultra (non plus últra) lat. shih Nec plus ultra.

Non possumus (non posúmus) lat. nuk mundemi; nuk kemi mundësi; s'është e mundur (për të vënë në dukje një mohim kategorik).

Non progredi est regredi (non progrédi est regrédi) lat. qëndrimi në vend është kthim prapa; të mos shkosh përpara do të thotë të shkosh prapa; po bëre në vend numëro, mbetesh shumë prapa.

Non quis sed quid (non kúis sed kúid) lat. jo kush / e tha, por çfarë / tha (rëndësia nuk është te njeriu / kush, por te veprimi, te karakteristika ose te thelbi i diçkaje / çfarë).

Non rex est lex, sed lex est rex (non rex est lex, sed lex est rex) lat., prov. mbreti s’është ligj, por ligji është mbret!

Non scholae, sed vitae discimus (non skóle, sed víte díscimus) lat., fj. u. nuk mësojmë për shkollën, por për jetën (qëllimi kryesor i edukimit nuk është vetëm për të kaluar provimet a për të përmbushur kërkesat e shkollës, por për të përgatitur njeriun për jetën reale dhe sfidat e saj) (Seneka).

Non sens (nón séns) lat. 1. Gjë e pakuptueshme; gjë pa kuptim (në shqip përdoret edhe si një fjalë e vetme, si shënim anash librve a shkrimeve të ndryshme). 2. fig. Marrëzi, absurditet.

Non sibi, sed suis (non síbi, sed súis) lat. jo për vete, por për të vetët.

Non stop (non stop) angl. pa u ndalur; pa ndërprerje; pa pushim; pa rreshtur asnjë çast.

Non sum qualis eram (non sum kuális éram) lat. nuk jam ai që isha; tashmë nuk jam ai / i tillë, siç isha (kjo thënie shpreh idenë e ndryshimit, si një reflektim për kohën e shkuar dhe ndryshimin e dikujt në krahasim me të kaluarën) (Horaci).

Non vi, sed verbo (non vi, sed vérbo) lat. jo me dhunë, por me fjalë; jo me forcë, por me bindje (përdoret në situata ligjërimore fetare, diplomatike, arsimore etj.).

Nosce te ipsum! (nóske te ípsum) lat. Njih vetveten!; shih Gnothi seauton.

Nota bene (shkurt. N. B.) (nóta béne) lat. shënim i mirë; vini re; merr parasysh; dallo mirë (përdoret për të tërhequr vëmendjen ndaj diçkaje të rëndësishme, e cila duhet të theksohet ose të mbahet mend).

Novus rex, nova lex (nóvus reks, nóva leks) lat., fig. mbret i ri me ligje të reja (shprehja përdoret me ironi për ata drejtues që vendosin rregulla të reja të panevojshme për të treguar se dinë më shumë se paraardhësit).

Nuda veritas (núda véritas) lat. e vërteta lakuriq / e zbuluar, nudo; e vërteta këmbëzbathur (sipas legjendës, e vërteta bridhte këmbëzbathur); e vërteta në formën e saj më të pastër e më të thjeshtë, pa asnjë zbukurim a maskim dhe e pakushtëzuar (Horaci).

Nulla dies sine linea (núla díes síne línea) lat. asnjë ditë pa një vizë / pa një rresht, pa shkruar; fig. asnjë ditë pa mësim, pa punë; domosdoshmëria e ushtrimit të përditshëm në profesion për të arritur përsosmërinë (shprehje e Plinit Plak për piktorin Apelles: Apelles nullam diem sine linea ducebat- Apelles nuk e linte të kalonte asnjë ditë pa hequr një vijë).

Nulla est possessio praestantior amico (núla est posséssio prestántior amíco) lat., prov. nuk ka pasuri më të vyer se një mik; miku është pasuria më e madhe; vlen më shumë një mik se njëqind dukatë; më mirë një mik se një çiflig.

Nulla poena sine lege (núlla póena síne lége) lat., drejt. asnjë dënim pa ligj; nuk ka ndëshkim pa ligj (shprehje që nënvizon rëndësinë e sundimit të ligjit dhe mbrotjen ligjore për njerëzit, duke siguruar që dënimet të jenë të arsyeshme dhe të bazuara në ligje të qarta).

Nulla ratione (núlla racióne) lat., logj. pa arsyetim; pa arsye; pa asnjë bazë; pa kurrfarë argumenti (përdoret për të kritikuar një veprim që nuk ka bazë logjike a ligjore dhe që mund të duket i paarsyeshëm ose i pabazuar).

Nulla regula sine exceptione (núla régula síne ekscepcióne) lat., drejt. asnjë rregull pa përjashtim; nuk ka rregull pa përjashtim; çdo rregull ka përjashtim (parim që përdoret në drejtësi etj. për të theksuar se, ndonëse rregullat e përgjithshme janë të nevojshme, prania e përjashtimeve është e pashmangshme për të trajtuar raste të veçanta dhe për të ruajtur drejtësinë).

Nulli secundus (núli sekúndus) lat. njeri që s’ia lëshon kujt vendin; njeri shumë i zoti, që s’ka të dytë; s’ka më të mirë; i pashoq.

Nullius filius (nulíus fílius) lat., drejt. i biri i askujt; kopil; jetim (për dikë që nuk ka prindër të njohur ose nuk ka të drejta ligjore mbi trashëgiminë e një familjeje).

Nullius in bonis (nulíus in bónis) lat., drejt. mall pa zot; bona vacantia; res nullis.

Nullius in verba (nulíus in vérba) lat. nuk pranohet fjala e askujt; mos u beso fjalëve të botës (shprehja është një thirrje për të qenë kritikë dhe të kujdesshëm ndaj informacionit, duke theksuar se njohuritë duhet të bazohen në fakte dhe prova, jo vetëm në fjalët e autoriteteve).

Numera stellas, si potes (númera stélas, si pótes) lat. 1. Numëroi yjet, nëse mundesh (për të treguar pafundësinë e botës). 2. fig. Kufijtë e dijes njerëzore janë aq shumë të gjera e të pafundme, sa është njëlloj si të numërosh yjet në qiell (Bibla).

Numerus clausus (númerus cláuzus) lat., zyrt. numër i mbyllur / i kufizuar; numër i caktuar paraprakisht e që nuk mund të ndryshohet, p. sh. kuotat e pranimit janë me numerus clauses.

Nunc aut nunquam (nunk áut núnkuam) lat. o tani, o kurrë; tani ose kurrë; momenti për të vepruar është tani dhe nuk ka kohë tjetër për të vepruar më vonë; është mundësi e vetme për të bërë diçka dhe nuk do të ketë mundësi tjetër në të ardhmen.